Dje “Shiko kush luan” nisi sezonin e ri televiziv, me katër të ftuar e gjysmë: Iva Tiço, Eneda Tarifa, Ervin Salianji, Kastro Zizo dhe violonistja Albana Leka që qëndroi në skenë për pak momente dhe u largua “sepse e priste burri dhe fëmijët në shtëpi” për t’i lënë vendin Kastros.
Pranë fundit të emisionit, Kastro dhe Ervin Salianji u vunë përballë një zileje dhe përbri Luanës, në mënyrë që kush i binte ziles t’i përgjigjej pyetjes. Pasi Salianji tha se do të martohej me Jozefina Topallin, po të vihej para zgjedhjes dhe se Grida Duma ishte më simpatikja e parlamentit, Kastro ra në sy me një tjetër mënyrë. “Edhe sa herë do të martohesh?” pyeti Luana.
“Unë dua të lë shumë trashëgimtarë. Martesat janë... femrat janë mbartëse të farës sime,” tha Kastro, me një ton dhe qëndrim të denjë për një gotë e shtrenjtë vere.
Nuk e di nëse do të habiteni apo jo, por kjo s’është hera e parë që Kastro ka thënë diçka të kësaj natyre. Madje, ka thënë ekzaktësisht të njëjtën gjë thuajse një vit më parë. “Unë mendoj se gruaja është mbartëse e embrionit njerëzor,” tha Kastro në “Why Not” nga Roza Lati.
Gruaja, femra, embrion, farë. Eh, njësoj është.