Beniada Nishanin nuk e zinte gjumi nga pikëpyetjet se pse disa personazhe shqiptarë u veshën “shumë seksi” për Halloween, si modele të Playboy. Në një seri postimet në Stories në Instagram, ish-konkurrentja e “Big Brother VIP” ndan këndvështrimin e saj.
“Përpara se të iki të fle gjumë, dua të di se për çfarë arsyesh është ngatërruar festa e Halloween-it me festën e karnavaleve ose një festë e Playboy. Ok, shumë mirë Playboy, sepse ka disa veshje të këndshme si mace, si lepurushë, por festa e Halloween-it është festa e Satanit (djallit), festë horror dhe nuk e di. E keni ngatërruar për një festë kur duhet të dilni lakuriq?” – shprehet ajo.
Pastaj publikon disa maskime të përshtatshme për festën, sipas saj:
Beniada nuk përmend emra, por u referohet kostumeve të cilat i përshkruan si në vijim:
“Këtu sikur mezi prisnin eventin e Halloween-it që të dilnin pa asnjë lloj reçipetash, me gurë, me xixa, me reçipeta të ngushta fare, me mbathjet që dalin nga pantallonat. U habita, sepse po mundohem të kuptoj arsyen dhe objektivin. Pse të dukesh seksi për Halloween?”


Në botë sot ekzistojnë versione të ndryshme të traditave të Halloween-it, por origjina e vërtetë nis te festivali antik i keltëve, i njohur si Samhain. Në Skocinë e vjetër mendohej se ishte pikërisht nata e 31 tetorit, kur nuk kishte më kufi mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve. Legjenda thotë se shpirtrat që kishin vdekur gjatë atij viti mblidheshin së bashku për t’u përzier me botën e të gjallëve dhe më pas për të nisur rrugën drejt një bote tjetër. Në natën e fundit të të korrave të vjeshtës, bota ndryshon nga ngrohtësia e diellit të verës në ftohtësinë e errët të dimrit, toka nga pjellore në shterpë.
Pra, në natën e Samhain, keltët besonin se shpirtrat e njerëzve që kishin vdekur vitin e kaluar do të ecin në mesin e të gjallëve. Kështu, fshatarët vinin ushqim dhe ëmbëlsira të qetësonin shpirtrat dhe maskoheshin për t’i trembur ata.
Në shekullin VII, Papa Bonifaci IV dekretoi që 1 nëntori të festohej si dita e shenjtorëve (All Hallows’ Day). Në vigjilje të festës, të vazhdonin të ndizeshin zjarre të mëdhenj dhe të visheshin kostume, por nën një emër tjetër: “All Hallows’ Eve”, që në vazhdim do të bëhej Halloween. Pra, tradita nuk ishte më vetëm pagane.
Festimet u bënë vërtet popullore në shekullin XIX, në kulmin e emigrimit irlandez në SHBA. Vitet kaluan dhe festa, si shumë të tjera, u kthye në një mjet fitimprurës. Një numër shumë i lartë njerëzish harxhojnë para për të blerë kostumet, zbukurimet e frikshme, ëmbëlsirat etj. Halloween-i sot nuk festohet njësoj si shekuj më parë; është një industri që zakonisht renditet e dyta pas festës së Krishtlindjes.
Rikthehemi te Beniada. Modelja mund të ketë të drejtë për këndvështrimin e saj, por festat dhe traditat ndryshojnë. Në Shqipëri, ashtu si kudo në botë, kjo festë është kthyer sot në një “garë” për kostumin më të bukur. Imitimi i personazheve të njohur, jo të frikshëm, është gjithashtu trend. Thënë këto, nëse dikush dëshiron të duket si modele seksi aspak e frikshme, le të duket. Nuk është ndonjë hata e madhe!