
Beyoncé është përballur me një valë kritikash pas performancës së saj në Paris në kuadër të turit Cowboy Carter, ku u shfaq me një bluzë që shumë e konsideruan fyese ndaj popujve indigjenë.
Bluza e veshur nga këngëtarja gjatë një koncerti për nder të Juneteenth (dita që shënon fundin e skllavërisë në SHBA) paraqiste figurat e Buffalo Soldiers, njësi të ushtrisë amerikane të përbëra nga ushtarë afrikano-amerikanë që vepruan nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX.
Por, problemi lindi nga mbishkrimi në pjesën e pasme të bluzës, ku thuhej:
“Armiqtë e tyre ishin armiqtë e paqes, rendit dhe vendbanimeve: indigjenët luftarakë, banditët, hajdutët e bagëtive, vrasësit, kontrabandistët, shkelësit e ligjit dhe revolucionarët meksikanë.”
Foto dhe video të performancës me këtë bluzë janë të publikuara edhe në faqen zyrtare të Beyoncé.
View this post on Instagram
Shumë ndjekës, aktivistë indigjenë dhe personalitete të rrjeteve sociale kanë reaguar ashpër ndaj përshkrimit që i bëhet në bluzë amerikanëve indigjenë dhe revolucionarëve meksikanë, duke e cilësuar atë si anti-indigjene dhe përkrahëse të imperializmit amerikan.
Kritikat u shtuan edhe më shumë në TikTok dhe Instagram nga aktivistë, studiues dhe artistë indigjenë, por edhe nga fansa të vetë këngëtares, të cilët kërkojnë një falje nga ajo.
Kush ishin Buffalo Soldiers?
Buffalo Soldiers ishin pjesë e gjashtë njësive të ushtrisë amerikane të krijuara pas Luftës Civile të SHBA-së në vitin 1866. Përbëheshin nga ish-skllavë të liruar, njerëz të lirë me ngjyrë dhe veteranë të Luftës Civile. Ata morën pjesë në qindra konflikte, nga lufta me Spanjën, deri te Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, derisa u shpërbënë më 1951.
Ndërsa roli i tyre në historinë amerikane është i rëndësishëm, diskutimi aktual rreth bluzës së Beyoncé ka hapur një debat të thellë mbi mënyrën se si paraqiten kapituj të ndërlikuar të historisë, dhe se kush mbetet viktimë e kësaj narrative.