Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në disa bashki të vendit, përfshirë këtu edhe atë të Kolonjës. Sipas Top Channel dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare, aktori Erion Isai, përfaqësues i Partisë Socialiste, numëron 4278 vota ndërsa kandidati i Bindjes Demokratike, Fatjon Feka, 304.
Duket se Isai ka ndjekur nga afër gjithë procesin e votimin, ndonëse nuk ka reaguar ende.
Aktori u zyrtarizua si kandidat i Partisë Socialiste në Kolonjë në maj. Në një intervistë të ditëve të fundit me Sonila Meçon, Isai tha se marrëdhënien me Kolonjën e ka parë gjithmonë si angazhim. “Çfarë kam mundësi ta bëj për atë qytet, do ta bëj,” tha ai duke theksuar se nëse fiton, mandati si kryetar bashkie do të jetë mundësia e duhur për t’i dhënë diçka mbrapsht qytetit që e rriti.
“Unë kam 30 vite jetë, në të cilat 15 i kam kaluar në Kolonjë dhe 15 në kryeqytet. Marrëdhënien time me Kolonjën e kam parë gjithmonë si angazhim që do të thotë se atë çfarë kam pasur mundësi të bëj dhe ta jap e kam dhënë, do ta jap sa herë të më jepet mundësia dhe të kem mundësi,” u shpreh ai. “Marrëdhënia ime me Kolonjën është fundi i funksionit dramaturgjik të Shekspirit që vazhdon dhe kërkon pse-në deri në momentin kur përgjigja është sepse e dua. Kolonjën e dua dhe kaq. Mjafton që unë të kem një munësi t’i tregoj mirënjohjen atij qyteti. Dhe jap kontribut artistik sa herë më kërkohet, sa herë kam mundësi në çdo lloj angazhimi. Kolonjën e shoh si angazhim, çfarë unë kam mundësi ta bëj për atë qytet, do ta bëj gjithmonë.”