Mbrëmjen e djeshme, nën tensionin e dhënies së pikëve mund t’ju ketë shpëtuar një detaj aspak i vogël. Teksa shpallej rezultati i Islandës në "Eurovision 2019", grupi përfaqësues i punk rock- ut, Hatari ngriti flamunjtë palestinezë.
Sigurisht, veprimi në fjalë nxiti një reagim të mënjëhershëm në turmë!
Organizatorët janë shprehur se akti i Islandës gjatë transmetimit live mund të shoqërohet me marrjen e një ndëshkimi. Në një deklaratë të posaçme u tha se “pasojat e këtij veprimi do të diskutohen nga bordi ekzekutues i konkursit”.
Por sidoqoftë, grupi nuk qe i vetmi që shkeli rregullat e festivalit. Gjatë performancës së hitit “Like a Prayer”, Madonna tentoi të jepte një mesazh bashkimi të popujve duke shfaqur në skenë dy balerinë, të cilët mbanin në shpinë flamurin izraelit dhe atë palestinez.
Raportohet se e gjitha kjo nuk ishte konfirmuar kurrsesi nga organizatorët; madje këta të fundit as që nuk ishin në dijeni të diçkaje të tillë.
“Eurovision- i nuk është një event politik dhe Madonna duhej të ishte lajmëruar për këtë fakt.” u deklarua ndër të tjera.
Krahas konkursit pati përplasje në Jeruzalemin qëndror pasi hebrenjtë ultra- ortodoksë protestuan kundër Eurovision- it.
Po kështu, gjatë gjithë kësaj kohë janë ndërmarrë fushata të ndryshme në internet për të bojkotuar mbajtjen e festivalit në Izrael, nisur nga keqtrajtimi i palestinezëve dhe parë si një mënyrë për të zhdukur dhe zbehur nga vëmendja gjurmët e diskriminimit.
Për më shumë rreth konfliktit arabo- izraelit lexoni këtu.