Ndërkohë që bota e modës mban zi për ndarjen nga jeta në moshën 85-vjeçare të dizajnerit Karl Lagerfeld, macja e tij Choupette është një ndër pretendentet kryesore për trashëguar pasurinë e ikonës së Chanel që shkon rreth...mbani frymën miq...200 miliardë lekë.
Një ndër njerëzit më të rëndësishëm në jetën e dizajnerit ishte padyshim Choupette, të cilën kohë më parë e quajti “dashurinë e tij të vërtetë”, me të cilën do të martohej nëse ligji do e lejonte.
Fillimisht Choupette i përkiste modelit francez Baptiste Giabiconi, por kur Lagerfeld e takoi macen në 2011-n, i tha modelit se “përfundimisht, Choupette më përket mua”. Sigurisht që askush nuk mund t’i thoshte “Jo”.
Macja u përfshi denjësisht në sfilata, u përdor në fushata të shumta reklamuese, koleksione makeup-i etj. Një koleksion i tërë i Chanel u quajt “Choupette in Love”; shumë veshje u frymëzuan nga sytë e saj. Momentalisht Choupette numëron më shumë se 146 mijë ndjekës në Instagram.
Bazuar në disa struktura ligjore të vendeve të ndryshme, si Gjermania për shembull, një mace mund të shpallet trashëgimtare e një shoqate, fondacioni apo çfarëdo pasurie tjetër.
Vitin e shkuar, dizajneri i ndjerë tha në një intervistë se në trashëgimi mund të përfshinte macen, por edhe djaloshin që ka pagëzuar, Hudson Kroening. Hudson ka sfiluar në pasarelat e Chanel që në moshën 2-vjeçare. Pra, është edhe ai një konkurrent i fortë.
Nuk dihet ende me detaje si do të ndahet pasuria, por putrat e buta të Choupette do të përfitojnë medoemos shumëëë, shumëëë para.