Shtatë vite më parë, në Vizion Plus transmetohej “Nga e para,” një version shqiptar i “Extreme Makeover: Home Edition.” Nën moderimin e Valbona Selimllarit, ekipi i arkitektëve transformonte tërësisht shtëpi të rrënuara, të familjeve në nevojë. Siç njofton televizioni, emisioni do të rikthehet sërish së shpejti.
“‘Nga e para’ synon njëkohësisht dy gjëra. Të edukojë dhe të përcjellë shije, estetikë dhe mënyrë jetese me standarte bashkëkohore dhe të jetë një zgjidhje shumë e mirë sociale dhe humane për familje dhe individë që kanë nevojë për një ndihmë të tillë,” shkruhet në VizionPlus.tv.
Gjithçka realizohet në shtatë ditë. As shikuesit dhe as vetë të zotët e shtëpisë nuk e shohin rezultatin përfundimtar deri ditën e shtatë. Thuajse çdo apartament a shtëpi ndryshohet totalisht, me pajisje e mobilje krejt të reja dhe emocionet e pronarëve e shikuesve janë mëse të pritshme, aq më tepër kur kemi të bëjmë me familje në nevojë.
Emisioni do të moderohet nga Anila Çela e cila gjithashtu moderon “Vizionin e Pasdites.”