
Prej gati tre vitesh, "Top Awards" bazohet në votimet online të publikut për të renditur artistët më të pëlqyer. Referuar të dhënave të fundit në lidhje me gjithë votimet që kanë ndodhur për 151 javë, rezultatet janë si në vijim.
Elvana Gjata është artistja që ka kryesuar më shumë në gjithë këto javë, duke qëndruar plot 18 herë në vend të parë.
Përpara se t’i përkushtohej karrierës ndërkombëtare, Elvana solli disa këngë që menjëherë u kthyen në hite si “Puthe”, “Njësoj” apo “Lejla”. Përkatësisht, “Njësoj” qëndroi në vend të parë për 2 javë rresht,
ndërsa “Lejla” – në bashkëpunim me reperët 2po2 dhe Capital T, nuk e lëshoi fronin për një muaj.
Më pas, bashkëpunimi i saj i parë ndërkombëtar rezultoi po aq i pëlqyer sa edhe hitet e mëparshme. “Forever is Over” u kompozua nga një prej kompozitorëve më të njohur në Amerikë, Poo Bear, ndërsa producent ishte DJ i famshëm francez David Guetta.
Kënga dhe klipi që na solli një imazh tjetër të Elvanës – flokë të krehura në një stil natyral dhe grim të lehtë që shkonte për shtat tregut amerikan – qëndroi në vend të parë për 5 javë rresht.
Në shkurt të këtij viti, përmes një koncerti privat, Elvana prezantoi minialbumin e quajtur “3, Live Sessions”, një bashkëpunim me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov.

2 këngët më të pëlqyera nga publiku të albumit EP (6 këngë gjithsej) që numëron miliona klikime në YouTube, janë “Xheloz” dhe “Më fal”, përkatësisht me tre dhe katër javë në klasifikim.
Para se ta performonte në koncert, Elvana hoqi takat pasi një këngë si “Më Fal” s’mund të këndohej kurrsesi ndryshe. Ndërsa për “Xheloz”, takat u veshën sërish, po për të njëjtën arsye.
Pas Elvanës, në klasifikimin e “Top Awards” renditet Tayna, që edhe pse e re në treg, arriti që për 10 javë të qëndronte në vendet e para. “Columbiana” në bashkëpunim me Don Phenom qëndroi për 8 javë,
ndërsa klipi i fundit “Doruntina” për 2 javë rresht.
Artiste të tjera që kanë qenë ndër të preferuarat e publikut janë Era Istrefi,
Dhurata Dora,
Xhensila Myrtezaj,
Kida etj.