“Noizi është [bosh] më i njohur për të rinjtë shqiptarë. Ai u lind në qytetin e [bosh]. Disa nga këngët e tij janë: [bosh].” Ky është një ushtrim në një libër shkollor shqiptar, me shumë mundësi, Gjuha Shqipe. Ushtrimi synon kërkimin në internet nga ana e nxënësve për të gjetur informacionet që mungojnë. Në 2018-n, Noizy u bë zyrtarisht pjesë e kurrikulës shkollore.
Një ditë më vonë, shqiptarët shokohen sërish. Në Letërsi, nxënësit mësojnë për Stresin! “Tregojnë tregime nxënësve, ndër ta personazhi Stresi. Hahaha, i lumtur,” shkruan reperi në Instagram përbri fotos së një teksti, ku duket emri i personazhit. “Jam Stresi, më njihni?” shkruhet diku.
Ndjekësit e reperit që kanë qenë në gjimnaz dhe kanë qenë të vëmendshëm në orën e Letërsisë komentuan emrin e veprës nga vjen fragmenti. “Kush e solli Doruntinën” nga Ismail Kadare ka protagonist pikërisht kapiten Stresin, të cilit nuk i besohet se Konstandini u ngrit nga varri për të çuar të motrën tek e ëma. Si rrjedhim, ai përpiqet të zbulojë ç’ndodhi në të vërtetë.
“Kush e solli Doruntinën” u botua për herë të parë në vitin 1980 dhe pa frikë mund të themi që breza të tërë e kanë studiuar në shkollë. Fakti që Stresi po e merr vesh sot, në tetor të 2018-s, është të paktën i trishtë.