Prej më shumë se 2 javësh, 12 futbollistë të vegjël dhe trajneri i tyre 25-vjeçar qëndrojnë të bllokuar në një shpellë të rrezikshme në Tajlandë. Më 23 qershor, ata u panë të eksploronin shpellën, por mbetën brenda saj si pasojë e vërshimit të ujërave.
Një komb i tërë është në ankth për misionin e madh, sipas së cilit ekipet e shpëtimit hynë dje në shpellë në orën 10 me atë lokale (5 e mëngjesit) duke angazhuar Forcat e Sigurimit të Lartë, zhytës, mjekë etj.
Për herë të parë prej kaq ditësh, vogëlushët qenë në gjendje të dërgonin mesazhe tek familjarët në një letër të përbashkët. “Mos u bëni merak, jemi të gjithë mirë”, “Kërkojini mësuesve të mos na japin detyrat” ishin disa nga shënimet e tyre.
Niveli i ulët i oksigjenit, nëntoka dhe ujërat e përmbytjeve po shtojnë urgjencën për të nxjerrë sa më shpejt djemtë nga shpella.
Sipas parashikimeve, mendohet se operacioni i vështirë do të zgjasë disa ditë. “Ne, Forcat e Marinës së Tajlandës, së bashku me Ekipin Ndërkombëtar të Zhytësve, jemi gati të sjellim ekipin e futbollit në shtëpi” është slogani me duart e bashkuara të 13 zhytësve të huaj dhe 5 të tjerëve nga Forcat e Marinës vendase.