Erion Isai, aktor i tërhequr nga skena dhe regjisor, është emëruar drejtor i Teatrit të Kukullave. Burime pranë Newsbomb konfirmojnë se Monika Lubonja, drejtoresha e mëparshme, është shkarkuar nga detyra për t’i lënë vend Isait.
Javë më parë, Isai kritikoi lëvizjen e artistëve kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe u tërhoq nga biseda pasi protesta u kthye në çështje politike. Në Rreze Dielli në Report Tv, Isai tha:
“Godina do të prishet patjetër. Ne kemi nevojë për një teatër të ri, të tjerat janë marrëzira. Nëse rikonstruktohet kjo godinë apo bëhet e re, apo bëhet një sallë mes të dyjave, i takon arkitektëve, urbanistëve, historianëve. Nuk i takon as regjisorëve, as aktorëve. [...]”
Gjithashtu, në të njëjtën intervistë, Isai tha se “vetëm Teatri i Metropolit është ai që paratë i çon për teatrin. Pse të mos bëjnë dhe të tjerët të njëjtën gjë?”
Teatri i Kukullave nuk ka një faqe zyrtare si gjithë institucionet e tjera simotra. Në faqen e Facebook, gjenden më tepër shikues të pakënaqur sesa të kënaqur. Mungon informacioni online dhe mesa duket dhe cilësia e shfaqjeve. Si kritik i drejtorëve të tjerë, Isai tanimë ka mundësinë për të bërë një ndryshim pozitiv.