Që në dhënien e çmimit të parë, Akademia Suedeze është treguar e kujdesshme për sa i përket listës së kandidatëve për Nobel-in në letërsi. Nuk mund të dihet me siguri cilët autorë janë të nominuar apo cilët autorë kanë më shumë shans për të fituar.
Kjo s’ka ndaluar askënd të hamendësojë. Këtu përfshijmë dhe faqet për vendosjet e basteve. Sado e çuditshme mund të ngjajë të vendosësh baste për një fitues Nobel-i, është diçka që ndodh.
Emrat që përfliten këtë vit, nga blogjet letrare, gazetarë kulture, lexues të thjeshtë apo edhe në faqet e basteve, janë: Haruki Murakami, Ngugi Wa Thiong’o, Margaret Atwood, Don DeLillo, Amos Oz, Ismail Kadare, Claudio Magris, e shumë të tjerë.
I pari që theu heshtjen mbi fitimtarin e mundshëm ishte gazetari suedez i kulturës, Bjorn Wiman. Ai mendon se çmimi do t’i shkojë ose portugezit Antonio Lobo Antunes ose Kadaresë. Pas Bob Dylan-it që fitoi vjet, ai mendon se Akademia do të zgjedhë një alternativë pa rrezik siç janë të lartpërmendurit.

Le të flasim për numra. Opinionet janë tërësisht subjektive, ndërsa numrat thonë diçka më të sigurt. Me një kërkim të shpejtë në faqet e basteve europiane, zbulon se koefiçenti i fitimit për Kadarenë është përafërsisht 21. Fakti që është i lartë tregon se shumë pak bastevënës ia kanë besuar paratë e tyre Kadaresë. Pra, shanset e tij për të fituar, sipas zgjedhjes së publikut në një farë mënyrë, është e ulët.

Jo vetëm në faqet e basteve, por edhe në listat e blogjeve letrare, lufta ndodh mes dy shkrimtarëve: Haruki Murakami dhe Ngugi Wa Thiong’o. Japonezi Murakami përflitet prej vitesh si një fitues i mundshëm i Nobel-it në letërsi. Veprat e tij janë popullore në Shqipëri, pasi punë të njohura të tij si “Pylli norvegjez”, “Kronika e zogut kurdisës”, “Kafka në breg”, e të tjera, janë përkthyer me kohë në shqip. Stili i tij është shpeshherë surrealist, melankoliko-fatalistik me lajtmotivin e alienizimit dhe vetmisë kafkesque. Murakami ka marrë çmime të tjera ndërkombëtare si Çmimi Franz Kafka, Çmimi i Jeruzalemit dhe i janë dhënë grada honorifike nga Universiteti i Princeton dhe Tufts. Për sa i përket Nobel-it, ai ka thënë se nuk do çmime, pasi aty kupton që ke marrë fund si shkrimtar.

Ngugi Wa Thiong’o nga ana tjetër, me origjinë nga Kenia, është tërësisht i panjohur për shqiptarët. Vepra e tij më e famshme është Ngaahika Ndeeda, një dramë teatrale e cila inkurajon pjesëmarrjen e publikut në skenë përmes improvizimit. Qëllimi i veprës ishte zhveshja nga misteri i procesit teatral dhe shmangia e procesit të alienizimit që rezulton në një galeri vëzhguesish pasivë. Edhe pse drama ishte një sukses komercial, qeveria keniane e ndaloi vënien në skenë gjashët javë pas premierës. Ngugi më pas u burgos për një vit. Në momentin që fitoi lirinë, ai u shpërngul në Sh.B.A. ku jep mësim prej disa vitesh. Gjithashtu, edhe ai përflitet si fitues i mundshëm i Nobel-it në letërsi prej goxha kohësh.
Për t’u rikthyer tek Kadareja: edhe pse ka marrë çmime të të njëjtit nivel me të lartpërmendurit, edhe pse është krahësuar me Kafkën, Gogolin dhe Orëellin, edhe pse është thënë se ka një zë unik universal, Nobel-i këtë vit i qëndron larg. Murakami dhe Nguga fokusohen tek individi, tek sfidat që has dhe vetmia që ndjen në jetën e përditshme. Ndërsa Kadareja shkruajti për totalitarizmin dhe si rrënoi breza të tërë shqiptarë. Shkruajti për legjendat më të hershme të vendit në kontekste moderne, sigurisht ndërtuar mbi themelin e totalitarizmit.
Sidoqoftë spekulimeve, fituesi do të shpallet mes datës 5 dhe 12 tetor. Deri atëherë, “ç’dimër i gjatë që ishte”.