Nëse mendoni se me fenomenin Era Istrefi bota u ngop me artistë shqiptarë… Duhet ta lexoni këtë.
Emri i saj është Njomza Vitia, dhe së fundmi ka bashkëpunuar me Skrillex! Producenti dhe DJ i famshëm i muzikës elektronike ka sjellë këngën e tij më të re ‘Pretty Bye Bye’, që është kënduar nga këngëtarja me origjinë nga Kosova. Ritmet elektronike të këtij produksioni mund të dëgjohen në kanalin zyrtar të Skrillex në Youtube.
Njomza ka lindur në Chicago, Illinois, megjithatë i flet rrjedhshëm shqipen si edhe gjuhën angleze. Ajo është 21 vjeç, e deri më tani ka dhënë shenja të mjaftueshme se mund të jetë mjaft e suksesshme.
Që në moshën 14-vjeçare, Njomza krijoi një grup të quajtur ‘Scarlett’, nga i cili do të shkëputej 2 vjet më vonë për të ndjekur karrierën solo. Dhe nuk bëri zgjedhjen e gabuar: Njomza u zbulua nga producenti i njohur Mac Miller, dhe nënshkroi kontratë me shtëpinë e tij diskografike, Most Dope.
Ajo ka hedhur në treg mixtape-in e saj të parë, të quajtur Gold Lion, duke prezantuar kështu stilin e saj vetjak, pasi fillimisht njerëzit e njohën përmes cover-ave të këngëve të famshme në Youtube. Dëgjoni bashkëpunimin e saj të fundit, me Skrillex: