Linda dhe bizhutë
Shpesh Linda Ramën e shohim me varëse të gjata. Për disa kohë ajo mbante një varëse me simbolin e një fëmije, simbol i sjellë për herë të parë në treg nga kompania e bizhuve të çmuara “Crivelli”. Në të tjera dalje ajo ka preferuar rruazat e gjata ose varëse me forma gjeometrike. Së fundmi, Linda e ka “thyer” rregullin e gjatësisë dhe nuk heq nga qafa një varëse floriri të shkurtër të gdhendur me emrin e të birit, Zahos. Simbolikat janë tepër të rëndësishme edhe për bashkëshortin e saj, i cili shpeshherë i shpërfaqte nëpërmjet stampimeve në bluza, apo në kollaret e tij. Asokohe Edi Rama nuk ishte ende kryeministër i vendit.
Linda dhe “shallvaret”
Shumë gra, sa më shpesh të dalin në ekran, aq më të ndërgjegjshme bëhen për format e tyre dhe “kilet e tepërta” që i shton kamera. E kundërta ka ndodhur me Lindën. Jo vetëm në shtatëzëni, por edhe më parë (vijon edhe tani), ajo ka eksperimentuar me shumë pantallona të tipit shallvare, që çuditërisht na ndërmendin pantallonat e të shoqit në kohën kur ishte kryetar Bashkie. Rama dikur shpaloste një garderobë të tërë pantallonash të gjera, me pensa sipër dhe të ngushta poshtë, në shumë variante ngjyrash. Në momentin që ai vendosi të kandidonte për kryetar të Partisë Socialiste, papritur ky stil u zhduk dhe tashmë bie në sy tek e shoqja.
Linda mes ngjyrave
Nuk është aspak e çuditshme që Linda Rama të ketë po aq pasion për ngjyrat e forta sa edhe bashkëshorti. Nuk e dimë nëse ky ka qënë stili i saj i përhershëm, apo është ndikuar edhe nga ‘fiksimi”, që i shoqi, i diplomuar për pikturë, ka për ngjyrat e ndezura, i reflektuar tek veshjet plot kolorit dhe deri tek fasadat e pallateve te pallateve të Tiranës. Nëse i duhet të zgjedhë ngjyra që godasin, Linda zakonisht zgjedh reflekset e së verdhës, lejlanë apo të kuqen. Por, gjithmonë kujdeset që pjesa tjetër të jetë bazike dhe kryesisht e zezë!
Linda politikisht korrekt
Me kalimin e viteve, Rama po shfaqet gjithnjë e më shumë konservativ në veshje, madje këtë vit nuk po shohim më as kollaret e tij “gazmore”. Ky ndryshim imazhi mund të ketë të bëjë edhe me ndonjë strategji politike. Në pozicionin që ka dhe me sulmet që ka nga opozita apo shoqëria civile, çdo lloj ekstravagance në stil, mund të çojë në dyshime. Por Lindës, nga ana tjetër, i lejohet të eksperimentojë dhe të ruajë stilin.
Ka vetëm disa vende, kur ajo zbaton me përpikmëri kodin. Shembujt lidhen me
vizitën në Shtëpinë e Bardhë, ku Linda zgjodhi dy veshje krejtësisht të thjeshta dhe chic; me Vatikanin, ku në të dyja vizitat, ka preferuar të zezën, madje në vizitën e parë vendosi në kokë edhe një vello sipas kodit të vendit. Gjithashtu, Linda është treguar tepër zyrtare edhe në fjalimin përmbyllës të fushatës së PS-së, ku shfaqej po aq elegante dhe konservatore sa në daljen e parë të saj televizive.