
Dy javë më parë, në rrethrrotullimin “Zogu i Zi” u vendos skulptura abstrakte e Helidon Xhixhës, “Cosmic S”. Shumë nga ne, duke lënë mënjanë realizimin dhe bukurinë estetike të veprës nuk arrinim të përthithnim kuptimin e saj.

I ftuar ditën e sotme në “Jo vetëm modë”, Xhixha foli rreth S- së kozmike, që konsiston në kundërvënien e dy piramidave.

“Qyteti i dinamizmit që ka Tirana, ky emocion, ky stimul më erdhi nga Tirana. Pashë Tiranën me këtë evolucion drite, enegjie dhe këtë ndryshim force që ka ky qytet. Dy piramida në lëvizje dhe s- ja, domethënë shenja e të pafundmes, infinitit, që është ky qytet në evolucionin kontemporan.”

Më tutje Xhixha është shprehur se “duhet të japim kontributin tonë si artistë mbi të gjitha, jo vetëm nëpër botë.” Prej 3 dekadash, skulptori ka shkrirë metale të pathyeshëm në dhjetëra forma që sot qëndrojnë në disa nga qytetet më të rëndësishme të botës.

Pesëmbëdhjetë vite më parë, Helidon Xhixha krijoi monumentin “Kali në Hedhje”, i tëri prej inoksi, frymëzuar nga logoja e makinave të shpejtësisë, Ferrari.