
Gjykata e Durrësit ka dhënë dënimin për vrasjen shokuese të Pëllumb Metës, më 10 shkurt të vitit 2024. Autoritetet shpallën fajtor dhe dënuan me burgim të përjetshëm Hysen Metën, djalin e të ndjerit, për vrasjen e babit.
Hetuesit bënë me dije se Hyseni e qëlloi me armë zjarri të atin, pas një konflikti në familje dhe anëtarët e tjerë e ndihmuan të fshihte trupin në një stallë pranë banesës së tyre.
Gjithashtu, Hygerta Meta, e cila fillimisht mori përsipër krimin, u dënua me 8 vite burg; Amarildo Meta, u dënua me 5 vite burg, si dhe Blerina Meta, nëna e fëmijëve, me 3 vite burg. Ata u shpallën të pafajshëm për vrasjen, por u akuzuan si fajtorë për ndihmën pas krimit.
Sipas Euronews, mbrojtja kërkoi lehtësim të dënimeve dhe ndryshim të kualifikimit ligjor, por gjykata i rrëzoi këto kërkesa, pasi vrasja u cilësia si “vrasje të qëllimshme për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ç’ndodhi më 10 shkurt 2024?
Në fshatin Shënvlash në Durrës, një burrë 50 vjeç, i identifikuar si Pëllumb Meta, u gjet i varrosur në shtëpinë e tij. Fillimisht, u raportua se ai ishte vrarë nga e bija, 19 vjeç, për arsyen se donte ta fejonte pa dëshirë.
Vajza asokohe pranoi krimin. Por, nga dëshmitë e mëvonshme, u kuptua se në fakt, ajo po mbulonte krimin e të vëllait.
Djali i Pëllumbit, Hyseni, kallëzoi në policinë e Durrësit zhdukjen e të atit. Disa ditë më vonë, policia gjeti makinën e 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënvalsh – Sektori Rinia. Pas provave, lindi pista se ai mund të ishte vrarë.
Gazetarja Enkeleda Arapi u shpre asokohe se ishte mësuar se 50-vjeçari, pasi është vrarë, ishte mbështjellë me plastmas dhe është futur në një gropë, me qëllim që të mbuloheshin gjurmët e krimit.
Thuhet se familjarët kanë treguar se Pëllumbi ishte një njeri autoritar dhe se nuk guxonin të vepronin kundër dëshirës së tij.
Hetimet zbardhën ngjarjen, duke bërë me dije se në fakt, vrasja ishte kryer nga djali i madh, 26 vjeç dhe se gjithë familja më pas, kishte bashkëpunuar për fshehjen e krimit makabër.