
Madonna ka zbuluar se dekadat e kaluara në skenë kanë lënë pasoja të rënda në shëndetin e saj fizik. Në një intervistë të fundit për revistën Interview, ikona e muzikës rrëfeu se ka humbur plotësisht kërcin në njërin gju, si pasojë e viteve të tëra me performanca intensive, vallëzim me taka të larta dhe stërvitje të lodhshme.
“Kam një problem me gjurin tani. Nuk kam fare kërc”, tha këngëtarja, duke shpjeguar se dëmtimi është rezultat i viteve të tëra duke kërcyer me taka, vrapuar dhe praktikuar Ashtanga Yoga, një nga format më intensive të yogës.
Edhe pse sot është 67 vjeç, Madonna tregoi se deri rreth një vit më parë vazhdonte të ndiqte një regjim stërvitor tepër të ngarkuar.
“Bëja kërcime në trampolinë, kardio dhe aktivitete që mjekët do t’i konsideronin si mbingarkesë për kyçet. Tani nuk mund t’i bëj më”, u shpreh ajo.
Megjithatë, artistja nuk ka hequr dorë nga aktiviteti fizik. Ajo ka përshtatur rutinën e saj me ushtrime më të lehta si Peloton, Versa Climber, stërvitje me intervale me intensitet të lartë, çiklizëm në natyrë dhe, sigurisht, vallëzim.
Gjatë turneut “Celebration Tour” në vitin 2023 ajo u shfaq disa herë me mbajtëse speciale në gju, ndërsa në vitin 2019 u detyrua të anulonte disa koncerte të turneut “Madame X” për shkak të dhimbjeve që i përshkroi atëherë si “të padurueshme”.
Përveç sfidave shëndetësore, Madonna foli edhe për një tjetër zhgënjim të madh: projektin e filmit biografik për jetën e saj, i cili nuk arriti të realizohej.
Ajo tregoi se kishte punuar për dy vite me radhë në skenarin e filmit në bashkëpunim me Universal Pictures, por projekti u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve mbi buxhetin.
“Kam pasur një jetë të jashtëzakonshme dhe historia ime kërkonte një buxhet të madh. Ata nuk mund ta kuptonin këtë”, tha këngëtarja.
Sipas saj, edhe përpjekja për ta kthyer historinë në një serial për Netflix hasi pengesa ligjore, pasi nuk mund të përdorte skenarin që kishte shkruar pa e riblerë atë nga studioja me një kosto shumë të lartë.
Madonna zbuloi se pas anulimit të projektit autobiografik, energjinë e saj e kanalizoi te muzika. Aktualisht ajo po punon për albumin e saj të 15-të në studio, “Confessions on a Dance Floor: Part II”, ndërsa në fillim të qershorit prezantoi në Festivalin Tribeca filmin e shkurtër “Confessions II”, një projekt që shërben si hyrje në epokën e saj të re artistike.




