
Është sërish ajo periudhë e vitit, ku yjet më të mëdhenj të Hollywood-it do të mblidhen për të festuar më të mirët e filmit dhe televizionit në eventin e 83-të të Golden Globe Awards, që pritet të zhvillohen sot, më 11 janar.
Mes emrave të nominuar janë Leonardo DiCaprio, Jessie Buckley, Jennifer Lawrence, Timothée Chalamet, Jeremy Allen White, Oscar Isaac, Chase Infiniti, Cynthia Erivo, Britt Lower, Rhea Seehorn, Seth Rogen dhe Noah Wyle.
Ceremonia e këtij viti sjell për herë të parë kategorinë “Podkasti më i mirë”, një risi për Golden Globes, që i jep mundësinë figurave të njohura të botës së podkasteve të konkurrojnë krah për krah me emra të mëdhenj të filmit dhe televizionit.
Nikki Glaser rikthehet si prezantuese për të dytin vit radhazi, pasi vitin e kaluar u bë gruaja e parë që e drejtoi e vetme ceremoninë.

Batutat e saj plot ironi drejtuar Ariana Grande-s, Zendaya-s, Harrison Ford e Glen Powell tërhoqën mjaft vëmendje vitin e shkuar. Por, kësaj here ajo paralajmëroi se këtë vit do të jetë më e kujdesshme, kjo pasi do përpiqet të ruajë ekulibrin mes humorit e atmosferës në sallë.
Sa i takon nominimeve, filmi “One Battle After Another” kryeson listën me nëntë nominime, përfshirë nominime për aktorët Leonardo DiCaprio dhe Chase Infiniti, si dhe për regjisorin Paul Thomas Anderson.

DiCaprio konkurron me Timothée Chalamet (Marty Supreme), George Clooney (Jay Kelly) dhe Ethan Hawke (Blue Moon).

Tek aktoret femra konkurrentet kryesore janë Cynthia Erivo (Wicked: For Good), Emma Stone (Bugonia) dhe Rose Byrne (If I Had Legs I’d Kick You).


Filmi danez “Sentimental Value” renditet i dyti me tetë nominime, përfshirë edhe një për aktoren Renate Reinsve, e cila konkurron me Jessie Buckley, Julia Roberts dhe Jennifer Lawrence.
Në kategoritë e roleve dytësore janë nominuar, mes të tjerëve, Ariana Grande, Elle Fanning, Adam Sandler, Sean Penn dhe Jacob Elordi.
Në televizion, “The White Lotus” kryeson me gjashtë nominime, ndjekur nga “Adolescence” me pesë, ndërsa “Only Murders in the Building” dhe “Severance” kanë nga katër nominime.





