
Reperi Unikkatil (Viktor Palokaj), disa kohë pasi humbi të vëllain, Mentor Palokajn, ka publikuar një foto me të.
“(Janë) ca plagë që nuk shërohen kurrë”, shkroi reperi në mbishkrimin e fotos, shoqëruar me një emoji me zemër të thyer.

Më 2 mars të këtij viti, Mentor Palokaj u gjet i pajetë nga autoritetet, në Prishtinë.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlora Ahmeti për mediat asokohe.
Unikkatil, më pas, në një postim në rrjetet sociale, bëri me dije se i vëllai ka qenë një mbështetje e pazëvendësueshme në jetën e tij:
“Një dhe i vetmi. Ty që ke qenë gjithmonë aty për mua. Ty që të kisha jo vetëm vëlla, por edhe shokun më të mirë. Ti më doje më shumë se veten dhe unë ty njësoj. Gjithmonë i buzëqeshur, pozitiv dhe sypatrembur. Trimi im! Edhe në momentet e fundit ke thënë të mos më tregonin mua sepse kishe frikë se do pësoja aksident duke u nxituar për të ardhur tek ti. Përjetove gjëra që disa nuk do mund t’i përjetonin as për qindra jetë, vetëm në ëndrra. Zemra ime u thye në miliarda copa,” shkroi ai.
Mentori u përcoll për në banesën e fundit në Klinë, më 6 mars.