
Mbrëmja e djeshme ka përfundur në një sherr mes drejtorit të Top Channel- it, Ben Blushi dhe ish- drejtorit të Digitalb- it, Alban Jaho. Ngjarja ndodhi diku rreth orës 22:00 të mbrëmjes në restorantin “Padam” ku Jaho dhe Blushi po darkonin me dy miqtë e tyre, pronarin e TV Klan- it, Aleksandër Frangajn dhe biznesmenin Samir Mane.
Sipas “Newsbomb”, teksa gjendeshin në ambientet e jashtme të restorantit, janë hedhur në drejtim të dy palëve pjata, gota dhe gjithçka që gjendej mbi tryezë. Në një kohë kur Frangaj dhe Mane u përpoqën të ndalonin përplasjen, njëri prej qytetarëve të pranishëm në restorant ka njoftuar menjëherë policinë.
Dëshmitarët nuk kanë mundur dot të dëgjojnë se si nisi sherri Blushi- Jaho, por aktualisht po aludohet se nisur nga periudha kohore e ngjarjeve, ardhja e Blushit në Top mund të ketë lidhje me shkarkimin e Jahos si administrator i Digitalb- it.
Në vendngjarje mbërritën disa forca policore dhe vetë prokurorët, por asnjëri prej tyre nuk u shoqërua në polici. Sipas informacioneve për “Newsbomb” sherri disaminutësh është filmuar edhe nga kamerat e restorantit, që aktualisht zotërohen nga policia.