
I ftuar mbrëmjen e djeshme në "Opinion" epidemiologu Pëllumb Pipero njoftoi se duke filluar nga dita e hënë, stafi i QSUT-së do t'i nënshtrohet analizës serologjike.
“Sapo më erdhi një njoftim që të hënën fillon analiza serologjike me personelin e QSUT dhe besoj edhe me personelin e COVID 2, për të parë ekspozimin dhe nivelin e mbrojtjes dhe për të ditur më shumë rreth situtës qarkulluese të virusit. Është një lajm shumë i mirë që duhet përshëndetur." - tha Pipero duke shtuar se ky ishte një vendim i Ministrisë së Shëndetësisë.
Shën.red. Serologjia është studim shkencor i serumeve dhe lëngjeve të tjera të trupit. Në praktikë, termi i referohet identifikimit të disa anti-trupave, që formohen si përgjigje ndaj një infeksioni, kundër proteinave të tjera të huaja etj.
Aplikimin e këtij testimi të ri, e pohoi pak javë më parë për mediat edhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silvia Bino. Ky testim ka për qëllim të ndihmojë më mirë në diagnozën e sëmundjes.
Nga ana tjetër, Pipero shtoi se brenda një jave pas kësaj analize do të merren të dhëna të rëndësishme rreth virusit që do të ndikojnë në marrjen e vendimeve të ardhshme.