Ditën e djeshme, teksa hapëm për ndjekësit tanë temën e “sikleteve verore” në Revista Anabel, Facebook, dikush na shkroi përsa i përket këtij problemi:
Nëse higjiena juaj personale është maksimale (çfarë nënkupton se bëni dush sistematikisht, ndërroni të brendshmet e jo vetëm apo përdorni deodorant) dhe përsëri ndjeni një aromë të pakëndshme në trupin tuaj (përgjithësisht në zonën e sqetullave) arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet.
Kryesisht, kjo erë kronike e trupit vjen si pasojë e një mbingarkese bakteriale në lëkurën e trupit të individit. Po kështu shkaku mund të jetë një dietë e pasur me sheqerna, problemet hormonale ose përdorimi i shumtë i antibiotikëve.
Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të kryeni një kontroll mjekësor për të njohur zanafillën e kësaj gjendjeje në të cilën ndodheni. Çfarë e shkakton, pse dhe si mund ta luftoni.
Ndërkohë përpiquni të shmangni sa më shumë konsumimin e qepëve dhe hudhrave, të cilat çlirojnë në pore një erë akoma më të rëndë.
Nuk është çudi që rasti juaj të konsistojë edhe në çrregullimin gjenetik të njohur si trimethylaminuria, ku trupat e personave në fjalë lëshojnë aroma të pakëndshme pas konsumit të vezëve, peshkut apo bishtajoreve. Teksa kryeni vizitat e nevojshme, përpiquni të:
~ Investoni në një deodorant të mirë ~
~ Të laheni sistematikisht ~
~ Të ndërroheni sa më shpesh ~
~ Dhe mbi të gjitha, të mësoheni me trupin tuaj! ~