
Autorja irlandeze Evie Woods ka shkruar një roman që nuk lexohet, por përjetohet. “Libraria e humbur” është një himn për gratë që kanë guxuar të jetojnë ndryshe, për librat që frymojnë si njerëz, dhe për kujtimet që nuk i fshin as koha, as harresa.
Ky është një rrëfim për dashurinë që mund të gjendet mes faqeve të verdha të një libri, por edhe për dhimbjen që fshihet pas grave që nuk iu bindën rregullave të kohës së tyre. Tre personazhe – një vajzë që arratiset në Paris në vitet ‘20, një grua e dhunuar që kërkon shpëtim në Dublinin e sotëm dhe një studiues librash të rrallë – lidhen përmes një librarie të zhdukur dhe një dorëshkrimi misterioz.
Woods sjell një rrëfim që lëviz në kohë dhe hapësirë, por mbetet thellësisht i rrënjosur në zemrën e çdo lexuesi, që e ka dashur ndonjëherë një libër më shumë se realitetin, që ka ëndërruar të humbasë në ndonjë librari, që ka gjetur dashurinë e vërtetë mes rreshtave, që e ka konsideruar leximin si një portal për t’u shkëputur nga bota, apo që i ka kushtuar gjithë jetën botës letrare.
Këtu, librat nuk janë thjesht objekte – janë miq, dëshmitarë, ngushëllim. Dhe ndonjëherë, e vetmja mënyrë për të shpëtuar veten, është të lexosh.
Ky roman është për të gjithë ata që e kanë dashur të kenë një librari si shtëpi, një libër si shok, dhe një histori si shpëtim. “Libraria e humbur” nuk është thjesht për t’u lexuar, por për t’u dëgjuar, për të vendosur veshin mbi faqe dhe për të kapur atë psherëtimë që vjen nga thellësia e librave të humbur e të harruar. Sepse ndoshta, nëse i dëgjojmë me kujdes, ata do të na tregojnë historitë që u mohuan, jetët që nuk u shkruan kurrë, dhe gratë që i dolën për zot vetes, përballë një botë që donte t’i shtypte.