
Pas presionit gjithnjë e në rritje për të kërkuar falje që bashkëpunoi me R. Kelly-n në 2013-n, Lady Gaga reagoi përmes një deklarate në Twitter duke treguar arsyet përse bashkëpunoi me këngëtarin dhe u shpreh se beson plotësisht te gratë që kanë folur në dokumentarin “Surviving R. Kelly” (Të mbijetuarit e R. Kelly-t) të transmetuar në kanalin televiziv amerikan, Lifetime.
Javën e kaluar, Lifetime solli në dritë (sërish) akuzat e shumta për R. Kelly-n, i cili thuhet se ka abuzuar seksualisht me shumë vajza, një pjesë e tyre të mitura – akuza këto që janë injoruar në disa raste. Megjithatë policia ka nisur hetimin falë raportimeve të ndryshme. Pjesa dërrmuese e njerëzve duan që lëvizja #MuteKelly – e cila kërkon që të shkatërrohet njëherë e përgjithmonë karriera e tij muzikore – të mos ndalet.
Historitë e transmetuara në dokumentarin e Lifetime u panë si një kthesë e madhe drejt drejtësisë. Të famshëm si John Legend, Chance The Raper u shfaqën në kamera për t’u solidarizuar me viktimat e supozuara të R. Kelly-t. Shikuesit pritën që të shihnin edhe Lady Gaga-n, por sipas producentit të “Surviving R. Kelly”, këngëtarja nuk pranoi.
Gaga dhe R. Kelly bashkëpunuan në vitin 2013 në këngën “Do What You Want” (Bëj çfarë të duash), për të cilën menduan edhe një videoklip, por për arsye ende të paqarta, videoja u hoq. Në video, R. Kelly luante rolin e një doktori, ndërsa Gaga të një pacienteje. “A do të jem ndonjëherë në gjendje të eci përsëri?” e pyeste ajo. “Po, por nëse më lejon të bëj çfarë të dua me trupin tënd. Po të bëj të pavetëdijshme dhe kur të zgjohesh, do të jesh shtatzënë”, i përgjigjej ai.
Megjithatë, disa orë më parë, Gaga iu drejtua rrjeteve sociale për të kërkuar falje për këngën dhe për faktin që nuk foli më herët.
“I mbështes 1000% këto gra, i besoj, e di që po vuajnë dhe ndjej fort se zërat e tyre duhet të dëgjohen dhe të merren seriozisht. Gjithë ç’po dëgjoj në lidhje me akuzat kundër R. Kelly-t janë absolutisht të tmerrshme dhe të pambrojtshme.
Si një viktimë e abuzimit seksual, e kam bërë këngën dhe videon në një periudhë të errët të jetës sime; qëllimi im ishte të sillja diçka sfiduese dhe provokative sepse ishte e zemëruar dhe s’e kisha marr veten nga trauma që më kishte ndodhur në jetë.
Kënga u quajt “Do What You Want (With My Body)”, dhe është e qartë sa të shtrembëruara ishin mendimet e mia në atë kohë. Nëse do të kthehesha mbrapa, do t’i thoja vetes që të shkonte të bënte terapi, në mënyrë që të kuptoja situatën post-traumatike ku ndodhesha.
Ndër të tjera, Gaga thekson se nuk mund të kthehet mbrapsht, por “mund të vazhdojë para, të mbështesë gratë, burrat dhe gjithë njerëzit, pa dallim race apo identiteti seksual, të cilët janë viktima të abuzimeve seksuale".
“I them këto fjalë jo për të justifikuar veten, por për t’u shpjeguar. Nëse nuk e provon vetë, nuk e ke idenë e ndjesisë. Por unë e di si ndiheni. Kam ndërmend ta heq këngën nga iTunes dhe nga të gjitha platformat e tjera online dhe s’do të bashkëpunoj kurrë me të sërish. Më vjen keq për gjykimin e pavend kur isha e re dhe për faktin që nuk fola më herët. Ju dua.”
Rreth 2 vite më parë, në një hetim të bërë nga Buzzfeed News, u raportua se që nga vera e vitit 2016 të paktën pesë gra u përfshinë në skemën e R Kelly-t: Ai u akuzua se u shpëlante trutë vajzave dhe grave dhe i fuste më pas në një “kult” siç e quanin prindërit e tyre. Thuhej se u diktonte si të visheshin, si të silleshin, si të ushqeheshim, i trajtonte si kukulla duke i kontrolluar mendjen.
Në korrik të 2018-s, R. Kelly publikoi këngën “I Admit”, 19 minuta, ku shprehej kështu: “Merrni karrierën time dhe zhdukuni, pasi jeni thjesht të çmendur për të dashurat e mia”, ndërsa më pas vazhdon duke pranuar se ka mëkatuar dhe i ka tradhtuar të dashurat, por kurrë nuk ka abuzuar me to apo me fëmijët. I vemti abuzim ka qenë alkooli, sipas tij.
Avokatët e Kelly-t kanë mohuar çdo akuzë dhe kanë kërkuar që të respektohet jeta private e këngëtarit, megjithëse reputacioni i tij ka marrë tashmë një super goditje që pas akuzave për posedim pornografie pedofilike në 2008-n.