
Dua Lipa ka mbushur 18 vjeç në datën 18 Gusht dhe është krenare që është shenja e Luanit. Ajo është vajza e liderit të grupit ODA, Dukagjin Lipa, një nga rrok bandat më të famshme në Kosovë, por ne këtë s’e dinim në fillim. Nga i ati s’ka trashëguar vetëm pamjen, por dhe pasionin për muzikën. Sapo ka mbaruar shkollën e mesme dhe në Shtator do të nisë studimet në Universitetin e Arteve në Londër (ku dhe ka lindur e jeton) për të studiuar media dhe komunikim.
Duke viziuar blogun tënd duadaily.com nuk mund të mos vësh re stilin shumë origjinal, aspak njësoj me blogjet e tjera, ku shumë vajza duken “copy – paste”.
Kam shumë interes për botën e modës dhe mendoj se moda portretizon atë çka jemi, pa qenë e nevojshme të thuash asnjë fjalë. Mendoj se ajo çka vesh, është ajo që unë jam. Për këtë arsye vendosa të hapja këtë blog, që është në një farë mënyre një dokumentim rreth jetës sime dhe marrëdhënies me modën.
Ti je pjesë e një agjencie, punon si modele?
Jam pjesë agjencisë “M+P”. Si një artiste e re kam bërë disa punë, që mund t’i shihni në blog dhe në profilin tim në Instagram (DuaLipa), ndërkohë që më është ofruar të jem dhe në kategorinë “New Faces” për të bërë kasting si modele.
Në venat e tua rrjedh muzika, është thjesht hobi apo diçka më serioze se kaq?
Në fakt muzika është aspirata ime kryesore në jetë. Kam qënë e rrethuar nga muzika gjithë jetën time dhe duhet të falënderoj babain tim për dashurinë time për muzikën dhe përkushtimin ndaj saj. Kam studiuar për 9 vjet në “Sylvia Young” Theater School dhe aktualisht jam duke regjistruar këngët e mia me producentë e artistë. Po ndërtoj një portofol timin për ta paraqitur më pas nëpër shtëpitë diskografike.
A të ndjek moda ty apo ti modën?
Unë mundohem të kem stilin tim që më dallon nga të tjerët, kështu që do të thoja se moda më ndjek mua. Siç ka thënë dhe Coco Chanel, “Moda venitet, është stili ai që mbetet”.
Nëse do të ishe një këpucë, cila do të ishe?
Unë i adhuroj këpucët, si çdo vajzë besoj. Është e vështirë të zgjedh por meqë më duhet, do të thoja një sandale “Valentino” me perçina. Klasike dhe njëkohësisht me diçka ekstravagante në të.
Nëse do të të duhej të vishje vetëm një stilist gjatë gjithë jetës, kush do të ishte ?
BALMAIN, BALMAIN, BALMAIN! Adhuroj çdo gjë që kanë. Mendoj se veshjet e kësaj firme përshtaten fiks me stilin tim.
Një “moment rënieje” në stil për të cilin je penduar?
Padyshim xhinset shumë të gjera poshtë. Absolutisht të tmerrshme.
Numra:
Kam rreth 20 palë këpucë, që nga atletet Converse deri tek këpucët e bardha me perçina Lita nga Jeffrey Campell.
Për shkak se adhuroj aksesorët për kokën, kam mbi 30 kapëse me lule, rrathë, aksesorë.
Kam 6 unaza që i mbaj gjithnjë, përveç se gjatë shërbimeve fotografike.
Një moment në historinë e fashion që të pëlqen:
Tapeti i famshëm i kuq në Met Ball. I preferuari im absolutisht.
Fashion icon, kush është ikona që të frymëzon?
Anna Dello Russo, Madonna, Alexa Chung dhe Agyness Deyn
Veshja më e shtrenjtë në dollapin tënd:
Ai që më vjen në mendje tani është fustani im i preferuar me shumë shkëlqim nga Louise Gray.
Favourite trend nga sezoni i ri, që mezi po pret ta veshësh:
Bikini “Flamenco” nga Katy Eary. Do t’i doja shumë një palë të tilla në këtë sezon veror.
Aroma më e preferuar nga ti:
“Moschino” - Funny
Një shprehje bukurie që e ke si moto:
“Thjeshtësia është çelësi i elegancës së vërtetë”.
Produkti personal i bukurisë që s’të tradhëton kurrë:
Kremi për fytyrën “Chanel” Hydramax
Çanta perfekte, çanta e preferuar:
“Michael Kors Tote”
Kush është objekti/aksesori/fustani personal, që “dashuron” më shumë?
Xhaketa ime e lëkurës vintage nga Acne. Shkon me çdo gjë dhe i shton atë dozën e duhur të ekstravagancës.
Kush është make-up që e ke si signature, që të dallon dhe e përdor gjithmonë:
Nuk përdor shumë make- up dhe tualeti im i preferuar është sy pak të trukuar me buzë të errëta, të cilin e realizoj me “Chanel” Rouge Noir Lipstick (Look alla vampire :))