
Një grua në Kaliforni arriti të përmbysë një vendim për dëbim dhe të shmangë gjoba që shkonin në dhjetëra mijëra dollarë, duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, në një betejë ligjore që zgjati disa muaj.
Sipas NBC News, Lynn White kishte vështirësi të paguante qiranë dhe pasi e hodhën n gjyq, gjykata vendosi dëbimin e saj. Në vend që të vazhdonte bashkëpunimin me një organizatë lokale për mbrojtjen e qiramarrësve, ajo vendosi t’i drejtohej ChatGPT-së dhe platformës së kërkimit me inteligjencë artificiale Perplexity për ta ndihmuar në përfaqësimin e saj në gjykatë.
Chatboti identifikoi gabime të mundshme në procedurë që lidhen me vendimet gjyqësore, i tregoi asaj hapat që duhej të ndiqte më tej dhe përgatiti përgjigje të detajuara për gjykatën.
“Nuk mund ta përshkruaj sa shumë më ndihmoi inteligjenca artificiale në këtë rast,” tha Lynn për NBC. “Pa IA-në, nuk do ta kisha fituar kurrë këtë gjyq.”
View this post on Instagram
Lynn është një nga shumë njerëzit që janë vetëpërfaqësuar në gjykatë me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe kanë arritur të dalin fitimtarë.
Një tjetër rast është ai i Staci Dennett, pronare e një biznesi fitnesi në New Mexico, e cila përdori IA-në për të negociuar me sukses një marrëveshje lidhur me një borxh të papaguar.
“I kërkova ChatGPT-së të sillej sikur isha profesor i drejtësisë në Harvard dhe të rrëzonte argumentet e mia derisa të arrija një notë A,” rrëfeu ajo për NBC.
Rezultati ishte mbresëlënës. Madje, njëri prej avokatëve kundërshtarë i shkroi në email: “Nëse e ke ndonjë interes për profesionin ligjor, patjetër që mund ta ndjekësh.”
Megjithatë, mjetet e inteligjencës artificiale nuk janë gjithmonë të suksesshme në përmbysjen e vendimeve apo në fitimin e çështjeve gjyqësore. Ato njihen për krijimin e provave të rreme, gjë që mund t’i fusë në telashe ata që përfaqësojnë veten, si në rastin e sipërmarrësit të pijeve energjike Jack Owoc, i cili u gjobit në gusht 2025 për një aplikim të mbushur me referenca të sajuara.
Edhe më shqetësuese është fakti që gjithnjë e më shumë avokatë profesionistë janë kapur duke dorëzuar dokumente me referenca të rreme, duke u përballur me gjoba dhe humbje besueshmërie.
Kjo ndodh pavarësisht paralajmërimeve të qarta nga kompani si Google, të cilat këshillojnë përdoruesit të mos mbështeten te IA për këshilla ligjore.