Ditët e sotme, ekonomia po detyron edhe ato me varësi ndaj shopping-ut t’i vënë fre shpenzimeve të tyre dhe veshjet, mund të jenë të parat në listën e shkurtimeve. Dietë fashion? Po, por nuk ka pse të japë ndjesinë e vdekjes nga uria. Njihuni me zakonet e arta të femrave franceze për të blerë në mënyrë të zgjuar dhe sërish të dukeni très chic.
Blini me plan
Ndryshe nga një pjesë e madhe e femrave të tjera, femrat franceze nuk blejnë në mënyrë impulsive. Ato i drejtohen dyqaneve vetëm kur i duhet diçka e caktuar dhe në fillim të çdo sezoni, bëjnë një listë të veshjeve apo aksesorëve që do t’u duhen.
Vlerësoni çdo blerje
Femrat franceze nuk zgjedhin të blejnë diçka vetëm sepse është në modë. Ato mendojnë se sa herë do ta veshin atë, me çfarë u shkon dhe a do të duan ta veshin shpesh. Një garderobë e mirë sipas tyre ndërtohet me veshje të rehatshme dhe materiale të cilësisë së lartë që krahas dyqaneve të firmave të mëdha, në Paris i gjen më së miri në dyqanet vintage. “Nëna ime kishte një këmishë Yves Saint Laurent që e vishte gjithmonë. Vit pas vit, sezon pas sezoni, ajo nuk vjetërohej kurrë,” shprehet stilistja Catherine Malandrino për mamanë e saj franceze.
Dini ku të shpenzoni
Të ndërtosh një garderobë si ajo e një francezeje të mirëfilltë, do të thotë të shpenzosh shumë në pak gjëra dhe sidomos në aksesorë. Femrat franceze preferojnë cilësinë ndaj sasisë dhe një çantë Louis Vuitton ose shall mëndafshi Hermès, për to e justifikojnë më së miri çmimin e tyre, duke qenë se do të rrojnë për dekada të tëra. Aq më tepër nëse kjo blerje është vintage, që do të thotë se i ka dhënë provat e jetëgjatësisë.
Harrojini trendet
Në vend që të ndjekin trendet, femrat franceze janë besnike ndaj stileve ose ngjyrave që u shkojnë më shumë. Yjet franceze të stilit si aktorja Catherine Deneuve e njohur për fustanin e vogël të zi dhe pardesynë klasike, krijojnë pamjen e tyre ikonike dhe e ruajnë atë. Deborah Ricard, e cila është rritur në Versajë dhe punon në industrinë e modës, shprehet se është përqafimi i individualitetit të tyre që i bën femrat franceze të duken perfekte pa u munduar aspak. Ajo vetë pëlqen të miksojë blerjet e reja me ato vintage, së bashku me aksesorë firmato dhe gjetje me çmim të lirë. Catherine Malandrino gjithashtu është gjitastu një kampione e stilit eklektik, duke veshur fustane klasike me xhaketa lëkure dhe duke miksuar xhinse dhe bluza me mëngë të shkurtra me bizhuteri ose rripa vintage.
Burimi: Forbes/ Përshtati: Kristi Tashi