Një avion Boeing 737, i cili po transportonte 169 pasagjerë së bashku me 9 anëtarët e ekuipazhit, u rrëzua këtë të mërkurë menjëherë pas ngritjes në aeroportin Imam Khomeini në Teheran, kryeqyteti i Iranit.
Mediat lokale raportuan se ishte e vështirë të realizohej ndërhyrja e menjëhershme për shkak të zjarrit në vendin e përplasjes së avionit.
Herët në mëngjes, u raportua se të gjithë të pranishmit në avion ndërruan jetë. ISNA, agjencia e lajmeve të Iranit, deklaroi se avioni i Ukraine International Airlines u rrëzua për shkak të vështirësive teknike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi viktimat duke thënë se “ambasada po punon për të sqaruar rrethanat e tragjedisë”.
Nga të dhënat e tanishme, raportohet se avioni u rrëzua dy minuta pas ngritjes, sipas FlightRadar24, shërbim për gjurmimin e fluturimeve.
Ambasada e Ukrainës përjashtoi idenë e sulmit terrorist duke thënë se rrëzimi erdhi si pasojë e problemeve në motor. “Sipas informacionit paraprak, avioni u rrëzua për shkak të mosfunksionimit të motorit. Versioni i sulmit terrorist ose sulmit me raketa nuk është i vërtetë."
Burimi: Time, CNN