
Gazetari Artjan Tepelena u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare si pasojë e infektimit me Covid.
Tepelena ishte i shtruar në një nga spitalet Covid në kryeqytet, por pavarësisht trajtimit, nuk e fitoi dot betejën me virusin.
Lajmin e ndarjes nga jeta e dhanë familjarët përmes një postimi në Facebook.

Artjan Tepelena ka qenë gazetar, pedagog në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe kryeredaktor i RTSH-së, ku ka mbajtur edhe postin e drejtorit të programacionit. Së fundmi, ai ishte pjesë e TV Scan.
Presidenti Ilir Meta ngushëlloi familjarët dhe vlerësoi kontributin e Tepelenës si gazetar.
“Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të mirënjohur Artjan Tepelena, i cili humbi sot betejën me Covid-19.
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe komunitetit të gazetarëve!
Me kontributin e tij të gjatë dhe të pazëvendësueshëm në media, Artjan Tepelena do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër konformizmit në profesion.
Të prehet në paqe!”