
Hygerta Sako dhe 3 panelistët Ardi Behari, Gert Haxhiu dhe Klajdi Kola, në emisionin e sportit në RTSH, "Super Gol", nuk mbajtën dot të qeshurat pasi një lojtar me origjinë nga Afrika, që luan në Shqipëri me ekipin e Burrelit, u shfaq në ekran për t'u intervistuar nga gazetari.
Në momentin që lojtari shfaqet, fillojnë të qeshurat, të cilat Hygerta Sako si fillim i adreson për shkak se "nuk mban mend emrin e vështirë për t'u shqiptuar të lojtarit". Emri, Arnold Kwaku Siaw, shqiptohet Arnold Kuoku Sou dhe s'na duket se ka ndonjë komplikim të madh deri këtu. Gjithsesi, ka një arsye pse programet televizive kanë moderatorë, në mënyrë që t'i njohin njerëzit që do të kenë në emisionet e tyre.
Intervista përfundon shpejt, të qeshurat vazhdojnë të mbahen me zor brenda, dhe Hygerta Sako shton në fund se nuk ka asnjë pyetje për t'i bërë lojtarit sepse "nuk do ta komplikojë më shumë situatën me pyetjet dhe batutat tejet të komplikuara të Gert Haxhiut dhe Ardi Beharit".
Dakord, po atëherë kur menduam se s'kishte ku të shkonte më keq se kaq, Gert Haxhiu vendos të na e thotë dhe ne batutën e tij të komplikuar: "Faleminderit RTSH-së që në momentet e fundit e zbuloi [portretin e lojtarit] sepse dukej si rrëfimet e atyre njerëzve që nuk duan të flasin".
Wow Gerti! Njeri me ngjyrë në ekran! E paprecedentë! Mirë që shokun kulturor që ndjeni në të tilla momente s'ju themi dot ta eliminoni, por është kaq e nevojshme të shtoni dhe komente që tregojnë injorancë totale dhe mungesë respekti pas?
Në fund, Hygerta Sako u përpoq ta rregullonte atë që e quajti "batutë" të të ftuarit të vet duke thënë se "e kishte fajin LED-i i RTSH-së", por tepër vonë. Emisioni transmetohet live dhe kuptohet që s'është e thjeshtë të ruash kontrollin në disa momente, ajo që s'kuptohet, është se pse emisioni është i plotë në YouTube ama, pa asnjë prerje të këtij momenti të shëmtuar.
Me siguri, personi që e ka bërë këtë të fundit, s'do ndihet aq mirë kur të shohë se momenti është bërë viral, dhe njerëzit po kritikojnë sjelljen.
Për situatën reagoi dhe faqja e KF Burrelit në Instagram, duke shkruar:
"Në një emision televiziv sportiv, u bë një akt i turpshëm bullizmi dhe talljeje ndaj lojtarit tonë Siaw, i cili me profesionalizëm e përulësi po përfaqëson me nder Burrelin."
View this post on Instagram