Prej dy javësh, shqiptarët po bëjnë diçka që për vite me radhë dukej e pamundur: po protestojnë pa parti, pa autobusë me njerëz të porositur, pa flamuj partish dhe pa një lider të vetëm që t'u thotë çfarë të mendojnë, çfarë të kërkojnë dhe ku të shkojnë.
Në një vend si Shqipëria, ku edhe një debat për motin arrin të ndahet majtas e djathtas, kjo është ndoshta arsyeja pse protesta tërhoqi kaq shumë njerëz. Për disa, mungesa e një lideri është forca e saj më e madhe. Për të tjerë, është pikërisht pika e saj e dobët, sepse herët a vonë vjen e njëjta pyetje, e thjeshtë dhe e pamëshirshme: po tani?
Në ditën e 15-të (e diel, 14 qershor), kjo pyetje duket më pranë se kurrë sepse protesta po hyn në një fazë tjetër.
Sheshi mbushet. Po më pas?
Historia tregon se ky nuk është një moment ekskluziv shqiptar. Pothuajse të gjitha protestat e mëdha qytetare të dekadave të fundit kanë ecur nëpër të njëjtat faza: fillimisht vjen zemërimi, pastaj mobilizimi, pastaj turma, dhe në fund pyetja më e vështirë nga të gjitha: si kthehet kjo energji në ndikim real?
Disa protesta të tilla ia kanë dalë. Në vitin 2008, kur Islanda u përball me një nga krizat financiare më të rënda të historisë së saj, qytetarët dolën pa asnjë lider të njohur dhe nuk u ndalën derisa qeveria ra. Por fitorja nuk erdhi nga zhurma e tenxhereve me të cilat trokisnin, por sepse e dinin saktësisht çfarë kërkonin: dorëheqje, zgjedhje të reja, reforma. Në Bolivi, qytetarët nuk kërkuan as revolucion, as rrëzim sistemi. Ata kërkuan anulimin e një kontrate për privatizimin e ujit, një gjë të vetme dhe e fituan.
Të tjerë e mbushën sheshin, por humbëm. Në vitin 2011, miliona njerëz mbushën sheshin Tahrir në Kajro. Mubaraku u largua, bota e quajti fitore historike, dhe pak vite më vonë ushtria ishte sërish në pushtet. E njëjta histori u përsërit edhe te Occupy Wall Street: lëvizja ndryshoi mënyrën si flet bota për pabarazinë, por kur erdhi çasti për kërkesa konkrete dhe përfaqësim të qartë, mbeti pa frymë.
Pyetja, atëherë, nuk është nëse njerëzit do të vijnë në protestë, por pse disa protesta e arrijnë qëllimin e disa harrohen. Për këtë pyetje ka përgjigje.
Protestat nuk fitojnë vetëm me numra
Studiuesja e Harvardit Erica Chenoweth, bashkë me Maria Stephan, analizoi 323 lëvizje midis viteve 1900 dhe 2006 për librin “Why Civil Resistance Works” (Pse rezistencat civile funksionojnë). Të dhënat janë këto: lëvizjet e mëdha jo të dhunshme kanë fituar në 53% të rasteve, ndërsa ato të dhunshme vetëm në 26%. Nga ky studim lindi edhe “rregulli i 3.5%”: çdo lëvizje në histori që ka arritur të mobilizojë aktivisht të paktën 3.5% të popullsisë ka fituar, dhe të gjitha, pa përjashtim, ishin paqësore. Për Shqipërinë, me rreth 2.36 milionë banorë, kjo do të nënkuptonte rreth 83 mijë njerëz në rrugë, jo një herë, por në mënyrë të qëndrueshme.
Por po e njëjta studiuese ka ngritur një paralajmërim: lëvizjet e dhjetëvjeçarit 2010-2020, vëren ajo, ishin shumë të mira në zbulimin e vrimave në strukturat e pushtetit, por shumë të dobëta në mbushjen e tyre, dhe gjithmonë kishte një forcë tjetër gati të zinte vendin bosh. Numri, thotë ajo, nuk mjafton: momenti, organizimi, lidershipi strategjik dhe qëndrueshmëria peshojnë po aq sa sa njerëz mbushin sheshin. Nga ky kërkim dalin disa rregulla që Anabel po i përmbledh në vijim.
Rregulli i parë: kërkesa të qarta. Një shesh që e di kundër çfarë është, por jo çfarë do, e ka humbur gjysmën e betejës para se të nisë. Studimet sugjerojnë tre deri në pesë kërkesa, jo më shumë, të formuluara aq qartë sa kushdo ta kuptojë nëse u plotësuan apo jo. Zemërimi mbledh njerëz, por vetëm kërkesat e qarta çojnë drejt fitores.
Rregulli i dytë: pa parti, por jo pa organizim. Këtu shqiptarët kanë të drejtë me instinktin e tyre, sepse historia e Egjiptit dhe e Sudanit tregon se partitë janë gjithmonë gati të kapin një lëvizje që e ngritën të tjerët. Aktivistët e sheshit Tahrir nuk fituan në zgjedhje, sepse përballë kishin Vëllazërinë Myslimane, të organizuar prej vitesh. Mësimi nuk është “mos u organizoni”, por “mos lejoni një parti t'ju hipë në kurriz”. Koordinimi mes grupeve qytetare nuk është tradhti e protestës, por mënyra e vetme që ajo të mos i bjerë në dorë dikujt që ishte gati më herët se ju.
Rregulli i tretë: vazhdimësia. Islanda nuk fitoi pas një proteste, fitoi pas muajsh, çdo të shtunë. Sudani protestoi tetë muaj. Studentët në Serbi mbushën rrugët mbi gjashtë muaj pa ndërprerje. Gjeorgjia ka kaluar mbi pesëdhjetë ditë rresht, dhe edhe pse regjimi nuk ka rënë, ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare dhe po përballet me presion për masa sanksionuese. Nëse sezoni veror e “zbut” turmën, kjo nuk nënkupton që protesta ka dështuar, mjafton që të mbetet një bërthamë e qëndrueshme dhe taktika që nuk kërkojnë që të gjithë të jenë shesh çdo ditë, siç janë grevat, bojkotet apo mosbindjet civile.
Rregulli i katërt: jo dhunë, jo vetëm për çështje morale, por edhe si strategji. Chenoweth zbuloi diçka: dhuna nuk dobëson vetëm imazhin e një lëvizjeje, dobëson edhe shanset e saj për të fituar, sepse dhuna i jep regjimit pikërisht pretekstin që kërkon. Një protestë paqësore e vendos pushtetin para një dileme pa rrugëdalje: nëse godet, humbet legjitimitetin; nëse nuk godet, humbet autoritetin. Prandaj edhe një gur i vetëm, i hedhur qoftë nga zemërimi, qoftë nga një provokator i futur qëllimisht në turmë, mund t'i bëjë shumë dëm protestës.
Rregulli i pestë, dhe ndoshta vendimtari: forcat e sigurisë. Sipas Chenoweth, parashikuesi i vetëm më i fortë se një regjim do të bjerë është nëse policia dhe ushtria refuzojnë urdhrin për të goditur qytetarët. Në Islandë policia nuk u bë brutale dhe regjimi u shemb. Në Tunizi ushtria refuzoi të qëllonte dhe Ben Ali iku. Në Egjipt ushtria u nis duke u sjellë ujë protestuesve, por në fund mori vetë pushtetin. Në Gjeorgji policia i qëndroi besnike regjimit, dhe regjimi mbeti në këmbë. Pra, të trajtosh policin dhe nëpunësin e shtetit me respekt, edhe kur gabojnë, nuk është dobësi, është strategji. Çdo fyerje kolektive ndaj uniformave blu i shtyjnë ata më afër pushtetit, jo më afër popullit.
Mbi të gjitha këto, qëndron një paradoks. Mungesa e një koke (lideri/eje) është njëkohësisht mburojë dhe plagë. Mburojë, sepse një lëvizje pa lider nuk mund të frikësohet, të blihet apo të ulet në tryezë për t'u zbutur, regjimi thjesht nuk ka kë të kapë. Plagë, sepse po ajo mungesë e bën të vështirë negociimin e një tranzicioni, lë një vakum që e mbush dikush tjetër, dhe ngadalëson çdo vendim në çastin kur duhet vendosur shpejt.

Nga kauza te fytyrat: faza më delikate e protestës
Shenja më e qartë se protesta në Shqipëri po hyn në fazën e re nuk është lodhja, por fakti që debati online nuk sillet më vetëm rreth kauzës, por ka filluar të sillet rreth njerëzve.
Nëpër rrjete kanë nisur të qarkullojnë emra gazetarësh, aktorësh, moderatorësh, aktivistësh, figurash publike që e mbështetën protestën që nga dita e parë. Qytetarët po bëjnë pyetjen që e kanë bërë pothuajse të gjitha lëvizjet e ngjashme: kush do të flasë, nëse vjen momenti për të folur?
Le ta themë siç është, me pak autoironi. Ne shqiptarët e kemi të vështirë ta lëmë një protestë pa kokë qoftë edhe dy javë. Sapo turma rritet, brenda nesh hapet një studio audicionesh, dhe fillojmë t'i propozojmë emrat ashtu siç propozojmë kush duhet të hyjë në “Big Brother VIP” dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Pas kaq vitesh apatie, e vetmja formë votimi që na ka mbetur vërtet në dorë është ajo e reality show-eve, ku zgjedhim kë duam të shohim në ekran dhe kë duam të nxjerrim jashtë.
Por këtu duhet të kemi shumë kujdes, sepse këta njerëz nuk po propozohen për të banuar në një shtëpi me kamera, po propozohen për të udhëhequr një Shqipëri të re. Dhe nëse i zgjedhim me të njëjtat kritere sikur të ishin konkurrentë në një reality show, ai që artikulohet bukur, ai që na pëlqen në pamje, atëherë po ngatërrojmë dy gjëra që s'kanë lidhje me njëra-tjetrën. Të flasësh bukur përpara kamerës nuk është e njëjta gjë me të drejtosh një vend. Ta duash dikë në ekran nuk është e njëjta gjë t'i japësh atij një mandat. Të mbështetësh një kauzë nuk do të thotë automatikisht të duash ta drejtosh atë.
Një gazetar mund të raportojë e të qëndrojë pranë një çështjeje pa ëndërruar një karrige politike. Një artist mund të ngrejë zërin pa pasur as dëshirën, as detyrimin të bëhet zëdhënës i mijëra njerëzve. Dhe shumica e atyre që po përmenden janë nxituar të sqarojnë të njëjtën gjë: se janë mes njerëzve, jo mbi ta, dhe se sot nuk e shohin veten në politikë. Kjo është ndershmëri, sepse të pranosh një rol që nuk e ke kërkuar, vetëm sepse të rriti algoritmi, është mënyra më e shpejtë për të djegur njëkohësisht veten dhe lëvizjen.
Pikërisht këtu kanë ngecur shumë protesta në botë. Pra, te pyetja se si përfaqësohet ajo. Disa lëvizje zgjodhën komitete a grupe koordinuese. Të tjera refuzuan çdo formë përfaqësimi. Formulë të vetme nuk ka. Por ka një fakt që përsëritet: në një çast, çdo protestë duhet të vendosë si do ta artikulojë zërin, dhe kjo nuk zgjidhet duke i ngjitur një etiketë “lideri” fytyrës më të dashur të javës.

Po pastaj?
Anabel nuk ka mendim politik, megjithëse ka mendim. Dhe mendimi ynë është i thjeshtë: forca e kësaj proteste është pikërisht se nuk i përket askujt veç qytetarëve.
Populli tashmë e di çfarë kërkon: dorëheqjen e Ramës. Kjo kërkesë është e qartë, dhe qartësia është gjysma e fitores. Por është vetëm gjysma, sepse dorëheqja i përgjigjet pyetjes “kush ikën”, jo pyetjes “kush vjen”.
Të gjitha rastet që përmendëm këtu e mësuan këtë në kurriz. Largimi i një emri nuk është e njëjta gjë me ndryshimin e një sistemi. Prandaj një kërkesë e plotë nuk mbaron te dorëheqja. Ajo vazhdon: një qeveri teknike që mban vendin deri në zgjedhje të parakohshme, një kalendar i qartë drejt atyre zgjedhjeve, dhe, pjesa që harrohet gjithmonë, nëse nga këto sheshe lind një organizim i ri, të ketë kohë të formohet e të regjistrohet para se të hyjë në garë. Përndryshe “zgjedhjet e parakohshme” nuk janë zgjidhje, janë mënyra më e shpejtë për t'ua kthyer çelësat të njëjtave parti, ndërsa qytetari mbetet sërish pa një kuti ku të hedhë zemërimin.
Ky është ndryshimi mes zëvendesimit të një emri dhe zëvendësimit të një sistemi. I pari bëhet brenda natës. I dyti kërkon një vendim, dhe atë vendim, për fat, mund ta marrim edhe pa kokë. Madje vetëm pa kokë e marrim siç duhet, sepse i përket të gjithëve.
Historia e protestave nuk është një histori turmash, por vendimesh. “Jepe dorëheqjen” e tha sheshi me një zë. Tani të njëjtin zë e kërkon pyetja tjetër, ajo që vendos gjithçka: Po pastaj?
