
Nëse edhe ty të duket sikur sandalet janë të shpikura veç për të rrëshqitur nga këmbët e tua dhe për të marrë gjithë pluhurin e rrugicave të qytetit, Naomi Campbell mund të jetë frymëzimi yt këtë verë.
Supermodelja legjendare u fotografua në Ibiza me një kombinim që do të bëjë krenarë gjithë njerëzit që urrejnë sandalet: një fustan të bardhë mini, syze të mëdha, bikini dhe një palë atlete New Balance, modeli chunky 9060.
Ndërkohë që shumica prej nesh do ta kishin kompletuar këtë veshje me shapka, Campbell vendosi t’i japë një tjetër drejtim fustanit të saj boho duke e kombinuar me atlete masive dhe super komode, perfekte jo vetëm për rrugët e gurta të Ibiza-s, por edhe për një ndalesë të rastësishme në ndonjë rooftop bar.
Nëse nuk e përballon dot idenë e sandaleve këtë verë ose thjesht kërkon një alternativë që të mos të të copëtohen shputat, kjo është mënyra europiane dhe plot stil për të kombinuar fustanin e plazhit, por jo vetëm.