
Një ish studente e Boston College akuzohet për vrasje pa dashje pasi mendohet se sjellja e saj e çoi të dashurin e saj drejt vetëvrasjes.
Inyoung You, një 21-vjeçare nga Korea e Jugut, ishte aq “abusive fizikisht, verbalisht dhe psikologjikisht” ndaj Alexander Urtula përgjatë lidhjes së tyre 18-mujore, sa 22-vjeçari vrau veten. Kështu tha prokurorja e kontesë Suffolk, Rachael Rollins, në një konferencë për shtyp.
“[Hetimi] zbuloi se abuzimi u bë më i shpeshtë dhe më i fuqishëm ditët dhe orët para se Urtula t’i jepte fund jetës,” tha Rollins.
Urtula, gjithashtu student në Boston College, vdiq vetëm 90 minuta para ceremonisë së diplomimit, më 20 maj. Familja e tij udhëtoi nga New Jersey që të ishte e pranishme në momentin e veçantë.
Abuzimi nga ana e të resë ishte dëshmuar nga shokë të afërt dhe shokë klase të të dy studentëve. Gjithashtu, ishte dokumentuar në ditarin e Urtula-s.
Sipas prokurorëve, You i dërgoi Urtula-s 47 mijë mesazhe përgjatë periudhës dy mujore para se të vetëflijohej, që përfshinin fraza si “ik vrit veten,” “ik vdis” dhe “unë, familja jote dhe gjithë bota do jemi shumë herë më mirë pa ty.”
Prokurorët thanë se You ishte në dijeni se i dashuri i saj vuante nga depresioni dhe kishte mendime vetëvrasëse, por kjo s’e ndaloi ta shtynte një hap më pranë aktit.
Mëngjesin e tragjedisë, You po i gjurmonte vendndodhjen përmes celularit të dashurit dhe ishte prezente në parkingun në Boston kur Urtula i dha fund jetës.

Urtula ishte student i Biologjisë dhe kishte filluar të punonte si studiues në një spital në New York.
“Alexander ishte një student i talentuar, i përfshirë në plot aktivitete gjatë kohës që studionte në BC,” shkroi Joy Moore, zv.Presidenti për studentët në kolegj.

Ngjarja i ngjason rastit të Michelle Carter, e cila u dënua me 15 muaj heqje lirie pasi në 2014-n shtyu të dashurin e saj 18-vjeçar, Conrad Roy, të vriste veten.
Provat dëshmuan se Carter, që asokohe ishte 17 vjeçe, i dërgoi Roy një seri mesazhesh ku e inkurajonte të vriste veten.
Gjithashtu, Carter foli në telefon me Roy pak momente para se ai të vdiste dhe i tha të kthehej në makinën ku po thithte monoksid karboni.
Burimi: BuzzFeed News