
Eni Vasili, drejtore e Radiotelevizionit Shqiptar, ka bërë një reagim ekskluziv për Anabel Media, lidhur me akuzat e ndryshme nga gazetarë dhe moderatorë, në lidhjen me mosmarrjen e pagave gjatë përvojës së tyre në RTSH.
Eni u shpreh se projektet e emisioneve në RTSH, vetëm për periudhën mars-qershor kanë një kosto të lartë dhe pagesat honorare, janë një shifër që për momentin nuk mund të mbulohet.
“Kontratat me projektet për emisionet mars-qershor i kushtojnë sot televizionit 800 milionë lekë (të vjetra). Këto pagesa honoraresh kanë një shifër, që për momentin është e pamundur të mbulohet, pasi siç e kam bërë të ditur që në krye të herës, financat e RTSH-së janë gjetur të rrënuara nga stafi i ri drejtues”.
E pyetur nga Anabel, ajo u shpreh se kanë kërkuar edhe në mënyrë publike mbështetje buxhetore nga ministria e Financave, si dhe po punohet që të bëhet një ringritje e të ardhurave.
“Kemi kërkuar (dhe është publike) mbështetje buxhetore nga ministria e Financave dhe gjithashtu, po punojmë për ringritjen e të ardhurave, mbledhjen e borxheve që palë të treta i kanë RTSH-së, si dhe rinegocimin e borxheve që ka vetë institucioni”.
Eni vijoi, duke thënë se bordi administrues financiar i RTSH po studion një formulë pagese edhe për honoraret dhe së shpejti, do të dalë me një vendim.
Reagimi i saj vjen pas postimit të Florian Agalliut, i cili akuzoi Eni Vasilin për mospagesën në “Mirëmëngjes Shqipëri”, emisioni i mëngjesit në RTSH. Përmes një postimi në Instagram, Floriani shkroi:
“E nderuara Drejtoreshë e RTSH zj.Eni Vasili! Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë në gjendje të mirë dhe të qetë; atë qetësi që duhet të ketë kushdo që mban mbi supe emrin e RTSH-së, një institucion që meriton më shumë dinjitet sesa heshtje. Duke iu drejtuar me respektin e duhur , atë që ju dhe ata që sollët nga pas, nuk e treguat kurrë ndaj nesh, dua t’ju rikujtoj një “detaj” të vogël, por shumë të rëndësishëm: ekipi i emisionit të mëngjesit, një program i miratuar dhe i strukturuar nga vetë RTSH, ende pret pagesat e prapambetura. Po, ato pagesa që duket sikur kanë humbur rrugën dhe kanë mbetur diku mes zyrave tuaja”.
Më tej, Floriani tha:
“Ne kemi sakrifikuar mëngjeset tona (4:30 është një orë që edhe zogjtë e shohin me frikë), kemi sjellë në ekran profesionalizëm, energji dhe përkushtim. Por, ndryshe nga entuziazmi ynë, shpërblimi ka mbetur pezull, ndoshta harruar në ndonjë sirtar të mbyllur me dryn, ndoshta i bllokuar në ndonjë proces burokratik që ka marrë pushime më të gjata se vetë stafi juaj”.
Floriani shtroi edhe disa pyetje, të cilat janë:
- Kur do të kryhen pagesat e prapambetura?
- A ka një afat zyrtar që ne mund t’i referohemi, apo duhet të vazhdojmë të hamendësojmë si fallxhorë?
- Dhe si ndodh që edhe dera e protokollit, e vetmja shpresë për komunikim, u mbyll si të ishte një sekret shtetëror?
Por falë Postës Shqiptare unë mbërrita në dorën tuaj me letrën që ju kam nisur muaj më parë, si dashnorët dikur sepse ju nuk keni më një zyrë protokolli, atë e keni spostuar ne paradhomën tuaj që të siguroheni mirë që askush që nuk doni ju, mos t'ju gjejë kollaj. Meqë nuk u munduat të merreni me ne "mengjezarakët”, ne "3orshat" e transmetimeve live, pa dhënë asnjë përgjigje, vendosa t’ju shkruaj publikisht!”.
Moderatori theksoi se heshtja e saj është një fyerje karshi njerëzve që punojnë në insititucionin e RTSH:
“Kjo heshtje nuk është vetëm e pafalshme, është fyerje për njerëzit që punuan dhe punojnë për këtë institucion dhe nëse më lejoni një shaka të vogël: Po, prezantuesit e rinj si do t’i paguani kur nuk keni likujduar akoma të vjetrit, apo edhe ata do të ushqehen me premtime?”.
“Në pritje të një përgjigjeje të qartë dhe zyrtare, duke uruar që të jetë më shumë sesa një formë e re heshtjeje!
Me respekt,
Florian Agalli”, e përmbylli ai deklaratën.
View this post on Instagram
Më pas, Floriani publikoi edhe një tjetër postim, në të cilin shkruhej se “asnjë gazetar nuk duhet të punojë në pasiguri”.
Lidhur me situatën, edhe gazetarja Kozeta Kurti ka bërë një reagim të gjatë në Facebook, duke u shprehur:
Për më tepër, më parë, të tjerë gazetarë dhe moderatorë kanë folur për situatën e vështirë në RTSH. Ermal Peçi, Bledi Strakosha, Krisa Caushi, Elona Jaçellari dhe Alban Dudushi janë shprehur hapur për gjendjen dhe përvojën e tyre jo dhe aq të mirë.