Emma Heming Willis ka sqaruar një nga keqkuptimet më të zakonshme rreth diagnozës së bashkëshortit të saj, Bruce Willis, i cili u diagnostikua me demencë frontotemporale në vitin 2023.
Gjatë një interviste në podcastin "The Bossticks", Emma shpjegoi se kjo sëmundje nuk është e njëjtë për të gjithë pacientët dhe se ekzistojnë tre variante të ndryshme.
“Forma që ka Bruce ndikon te gjuha. Ekziston një variant tjetër që prek sjelljen dhe një tjetër që ndikon te lëvizjet,” tha ajo.

Emma theksoi gjithashtu se, ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz, sëmundja e Bruce nuk prek kujtesën.
“Kur njerëzit pyesin nëse ai i mban mend ende personat e afërt, përgjigjja është po. Kjo ndodh sepse ai nuk vuan nga Alzheimeri, por nga demenca frontotemporale,” shpjegoi ajo.
Sipas saj, shumë njerëz e lidhin automatikisht demencën me humbjen e kujtesës, por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë.
“Ky është ndoshta keqkuptimi më i zakonshëm. Kur dëgjojmë fjalën demencë, menjëherë mendojmë për humbjen e kujtesës,” tha Emma.

Ajo konfirmoi se Bruce vazhdon të njohë familjarët dhe njerëzit e afërt, përfshirë pesë vajzat e tij.
“Është ndryshe nga Alzheimeri. Alzheimeri është forma më e zakonshme e demencës, por demenca frontotemporale është forma më e zakonshme te personat nën moshën 60-vjeçare,” shtoi ajo.
Muajin e kaluar, gjatë një interviste televizive, Emma dha edhe një përditësim për gjendjen e aktorit.
“Po ia dalim mirë. Bashkëshorti im është i rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes dhe ne po bëjmë më të mirën e mundshme në këto rrethana,” u shpreh ajo.

Që kur bëri publik diagnozën e Bruce në vitin 2023, Emma është kthyer në kujdestaren e tij kryesore dhe është angazhuar gjithnjë e më shumë në ndërgjegjësimin për shëndetin e trurit.
“Ajo që kam mësuar është se është thelbësore të kujdesemi për veten. Nëse nuk kujdesemi për veten tonë, si mund të kujdesemi për njerëzit që duam? Duhet t’i japim përparësi shëndetit tonë dhe veçanërisht shëndetit të trurit. Ka gjëra konkrete që mund të bëjmë sot për të mbrojtur shëndetin e trurit nesër,” tha ajo.