Kultura e takimeve ndryshon vazhdimisht. Së fundmi, një nga gjërat që po shihet gjithnjë e më shumë si green flag është shumë më e thjeshtë: dashuria për librat.
Leximi po kthehet në një sinjal tërheqës në aplikacionet e njohjeve. Qoftë një roman romantik, një thriller, një libër i famshëm në TikTok apo një titull klasik, fakti që dikush lexon dhe flet për libra duket se nxit kuriozitetin.
Një shembull që mori vëmendje ishte historia e Dua Lipa-s dhe Callum Turner. Turner tregoi se ata u takuan në ditëlindjen e një miku të përbashkët dhe zbuluan se të dy po lexonin të njëjtin libër, Trust nga Hernán Díaz. Madje, të dy sapo kishin mbaruar kapitullin e parë.
“So we are on the same page”, i tha Callum.
Shprehja në anglisht përdoret kur dy persona mendojnë njësoj, kuptohen apo ndajnë të njëjtin këndvështrim. Në rastin e tyre, fraza kishte kuptim të dyfishtë: ishin në të njëjtën faqe të librit, por duket se edhe ishin bërë për njëri-tjetrin.

Në botën e sotme të aplikacioneve të njohjeve, librat po bëhen një detaj tërheqës. Njerëzit po i përmendin gjithnjë e më shumë në profile: librin e preferuar, zhanrin që lexojnë, autorin që duan ose faktin që kërkojnë dikë me të cilin mund të flasin për libra.
Sipas Dr. Suzanne Degges-White, këshilluese dhe eksperte marrëdhëniesh, një profil që tregon interes për librat mund të japë sinjale për më shumë sesa thjesht një hobi. Ai mund të tregojë kuriozitet, empati, inteligjencë emocionale dhe dëshirë për të kuptuar më mirë veten dhe të tjerët.
Ajo përmend një studim sipas të cilit 75% e njerëzve i shohin më tërheqës partnerët që lexojnë ose që japin përshtypjen se janë të lexuar mirë, pavarësisht pamjes fizike.
Edhe Tinder raporton një interes në rritje për librat. Sipas Devyn Simone, eksperte marrëdhëniesh në aplikacion, përmendjet e librave në bio janë rritur me 29% në përgjithësi dhe me 41% te gratë.

Kur dikush tregon çfarë po lexon, sipas saj, hap një dritare të vogël drejt botës së vet të brendshme. Lexon romanca? Thrillerë të errët? Fantazi epike? Këto zgjedhje mund të tregojnë çfarë e emocionon, çfarë vlerëson në lidhje dhe si mund të jetë në dashuri.
Në një kohë kur shumë njerëz ankohen se bisedat janë sipërfaqësore, librat ofrojnë diçka tjetër: një pikënisje për bisedë. Një autor i preferuar, një personazh që të ka mbetur në mendje ose një libër që të ka ndryshuar këndvështrimin mund ta bëjë bisedën më interesante sesa pyetja klasike: “Çfarë bën?”
Ekspertët thonë se nuk është vetëm libri në vetvete që ka rëndësi, por edhe zakoni i të lexuarit. Të lexosh kërkon përqendrim, durim dhe aftësi për të qëndruar me një histori, një ide ose një perspektivë tjetër.
Annabelle Knight, eksperte marrëdhëniesh, thotë se ka diçka natyrshëm tërheqëse te dikush që lexon, sepse leximi shpesh lidhet me kuriozitetin, mendjen e hapur dhe aftësinë për të parë gjërat nga këndvështrime të ndryshme.
Sigurisht, fakti që dikush nuk lexon shumë nuk është domosdoshmërisht “red flag”. Por për ata që e duan leximin, të gjejnë dikë me të cilin mund të ndajnë libra, pasazhe, rekomandime dhe biseda të gjata, mund të jetë një plus i madh.
E meqë jemi te librat, ja disa sugjerime:
-
30+ libra që do t’ju bëjnë më të zgjuar për politikën dhe pushtetin
24 Qershor, 12:32 -
-
-
Shpallet fituesi i çmimit Booker 2025!
11 Nëntor, 13:00 -
Burimi: HuffPost




