
Në finalen e “Ferma VIP 3”, Mimoza Ahmetit i kishin përgatitur një surprizë: tre aktorë të mëdhenj u futën në fermë për të recituar poezitë e saj. Por siç ndodh ndonjëherë me surprizat, jo gjithçka shkoi sipas planit.
Arben Derhemi recitoi. Pastaj nisi Rajmonda Bulku. Mimoza e dëgjoi, e ndoqi për pak sekonda dhe më pas bëri një ndërhyrje të vogël, por mjaftueshëm sa për t’i dhënë programit atë lloj tensioni që reality show-t e duan shumë, por bëjnë sikur s’e duan fare: tha se poezia nuk ishte e saj.
Rajmonda ngriu për një çast. Pastaj u përpoq të sqaronte se ndoshta poezinë duhej ta kishin zgjedhur vetë, në vend që të recitonin çfarë u ishte dhënë. Një mënyrë shumë njerëzore, dhe shumë televizive, për të thënë: "Nuk ke faj Moza, por këtë më dhanë."
Erdhi radha e Ndriçim Xhepës. Edhe poezia tjetër nuk ishte e Mozës. Në këtë pikë, surpriza kishte hyrë zyrtarisht në një moment edhe më të sikletshëm. Moza u shpreh se i di përmendësh poezitë e saj dhe shpjegoi se shumë poezi online qarkullojnë me emrin e saj, pa pasur ndonjë lidhje me të.
Në atë moment, surpriza për poeten u kthye në një seminar të shkurtër mbi rreziqet e kërkimit në internet, sepse në Google mund të gjesh gjithçka: receta për kek, këshilla jete nga daja i Ezelit, thënie për botën moderne nga Frida Kahlo, citate që herë i thotë Gabriel García Márquez e herë Dritëro Agolli. Mes tyre, sigurisht, edhe poezi të Mimoza Ahmetit, që nuk i ka shkruar ajo.
Nëse duheshin poezitë e saj, mund të ishin gjendur te librat. E çuditshme, e dimë: në epokën e copy-paste-it, të sugjerosh librin si burim tingëllon gati-gati si ironi dhe provokim.
E sikur të mos mjaftonte kjo, një pjesë e njerëzve qenë të mendimit se Moza “e teproi” me reagimin. Opinionistja Einxhel Shkira tha se, po të ishte në vendin e Mozës, do të ishte shumë e lumtur që poezitë e saj t’ia recitonin tre emra të mëdhenj. Pikërisht, Einxhel: poezitë e saj. Këtu nisi problemi. Nuk ishin poezitë e saj.
Duket se ekziston një qasje e çuditshme, që sidomos në ekran shfaqet si virtyt: kur dikush të bën një "surprizë”, duhet ta pranosh me entuziazëm, pavarësisht çfarë është. Nëse të këndojnë këngën e gabuar, ji mirënjohës. Nëse të lexojnë poezitë e gabuara, falëndero. Nëse aktorët janë të njohur, falëndero dy herë. Nëse është e mundur, kërko edhe ndjesë që e vure re.
Pak a shumë i njëjti siklet u krijua kur poetes Adriatike Lami, në një studio televizive, iu drejtuan me emrin Rudina Çupi. Lami u përgjigj me fjalinë që mori dhenë: “Unë jam Adriatike Lami dhe emrin e kam më të shenjtë se emisioni juaj. Po këtu jemi, le të njihemi.” Një fjali që, në varësi të këndit nga e sheh, është ose e ashpër, ose thjesht mënyra më elegante për t’i thënë dikujt: “Mirëmëngjes, më keni ftuar ju.”
Për t’u kthyer te Moza: nuk është hera e parë që Mimoza Ahmeti refuzon të bashkëpunojë me filozofinë “po bëj sikur”, sidomos kur bëhet fjalë për punën e saj, librat, poezitë. Pak kohë më parë, në “Goca dhe Gra”, ajo nuk pranoi t’i dhuronte një libër Egla Cenos, e cila mori një nga kopjet që Moza kishte sjellë në studio për autograf. Në një përkthim më pak poetik: librat nuk janë dekor për studion e “Goca & Gra”. Nëse do një libër, bli një libër.
Në mbrojtje të të gjithë moderatorëve, producentëve dhe organizatorëve të spektakleve, duhet thënë se puna e tyre nuk është e lehtë. Duhet që mes dhjetëra punëve të tjera, të mbajnë mend edhe emra, të kontrollojnë edhe citate, të gjejnë edhe poezinë e duhur të poetit të duhur. Kërkesa të ekzagjeruara? Sidoqoftë, ne nuk duhet ta kthejmë diskutimin nëse Moza duhet të ishte treguar “e sjellshme” (që për hir të së vërtetës, ishte shuuumë e sjellshme), por sa “të sjellshëm” duhet të jemi me pakujdesitë? Se ndonjëherë kemi një aftësi të jashtëzakonshme për të falur gabimin dhe për t’u mërzitur me njeriun që e vë në dukje.
Kështu që, nëse u duk sikur Moza prishi surprizën, jo. Surpriza ishte prishur që në momentin kur teksti nuk ishte i saj. Me fjalë të tjera, nuk ishte Moza që nuk e respektoi surprizën; ishte surpriza që kishte harruar të respektonte plotësisht Mozën.
Shkruar nga Sindi Salaj, kryeredaktore e Anabel. Ky tekst është i autores. Të paktën për momentin. Nëse ia atribuoni dikujt tjetër, ndoshta s’keni lexuar deri këtu.