
Qeveria britanike ka njoftuar një nga masat më të forta të ndërmarra ndonjëherë ndaj përdorimit të internetit nga fëmijët. Kryeministri Keir Starmer bëri të ditur se fëmijët nën moshën 16 vjeç nuk do të lejohen të përdorin rrjete sociale, ndërsa do të vendosen kufizime të reja edhe për lojërat online dhe platformat e transmetimit të drejtpërdrejtë.
Sipas Starmer, masa synon të mbrojë fëmijët nga rreziqet e internetit dhe të kufizojë ndikimin e kompanive të mëdha të teknologjisë. Ai theksoi se ndryshimi do t’u japë të rinjve më shumë kohë, siguri dhe liri për t’u zhvilluar larg presionit të botës digjitale.
Ndalimi pritet të prekë platforma të njohura si TikTok, Instagram dhe Snapchat. Paralelisht, qeveria synon të ndërhyjë edhe te shërbimet e lojërave dhe transmetimeve live që u mundësojnë të miturve të komunikojnë me persona të panjohur.
“A do ta linit fëmijën tuaj të bisedonte me një të rritur të panjohur në jetën reale? Atëherë pse duhet të ndodhë kjo online?”, deklaroi Starmer, duke mbrojtur nevojën për rregulla më të rrepta në internet.
Ndalimi mund të hyjë në fuqi në vitin 2027
Autoritetet britanike pritet të finalizojnë kuadrin rregullator deri në fund të këtij viti, ndërsa ndalimi i plotë mund të nisë zbatimin në pranverën e vitit 2027. Britania ka ashpërsuar gradualisht qëndrimin ndaj gjigantëve të teknologjisë, duke kërkuar verifikim moshe, ndryshime në algoritme dhe masa kundër shpërndarjes së materialeve të papërshtatshme për të miturit.
Vendimi vjen në një kohë kur shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve po rriten vazhdimisht në mbarë botën.
Prindërit e mbështesin masivisht

Gjatë konsultimit publik, qeveria britanike mori mbi 116 mijë përgjigje nga prindër, mësues dhe të rinj. Sipas rezultateve, 83% e prindërve besojnë se rreziqet e rrjeteve sociale tejkalojnë përfitimet e tyre, ndërsa 90% mbështesin vendosjen e moshës minimale 16 vjeç për përdorimin e këtyre platformave.
Megjithatë, disa studiues dhe psikologë paralajmërojnë se ende mungojnë prova të mjaftueshme shkencore për të garantuar se një ndalim i tillë do të sjellë efektet e dëshiruara afatgjata. Për këtë arsye, debati mbi kufijtë e përdorimit të internetit nga të rinjtë pritet të vazhdojë.


