Metropolitan

Pitbull modë vrasëse

Në një prej rrugicave të lagjes sime ndeshem me një grup adoleshentësh 13-14-vjeçarë, të cilëve u vjen pas një kone e lezetshme me sy të hirtë. Konia disajavëshe tund bishtin nga kënaqësia pas çdo përkëdheljeje që i dhurojnë kalimtarët e rastit. Është shumë e lezetshme! Vështirë të besosh se një ditë kjo kone e racës pit bull do të shndërrohet në të ashtuquajturën “armë vrasëse”! Pas incidenteve me qen të mëdhenj, TitullRubrike kryesisht të racave pit bull, është krijuar një valë urrejtjeje ndaj qenve të tillë. Por studiues të sjelljeve të kafshëve dhe instruktorë qensh sigurojnë që rreziku i vërtetë nuk vjen nga qentë e mëdhenj, por nga pronarët e tyre. “Nëse do t’i quajmë armë, të jeni të sigurt që fajin e kanë të zotët, të cilët i përdorin në mënyrë të papërgjegjshme dhe tepër të rrezikshme”, thotë dr. Guven Guneren, drejtor i spitalit të kafshëve në Sauk. 

DO TË JESH NË MODË? BLI NJË QEN 
Qentë e mëdhenj të racave rotvajler, pit bull dhe bulldog (të cilat konsiderohen si ndër racat më të rrezikshme për njerëzit dhe kafshët e tjera shtëpiake) janë shtuar në masën 30 % gjatë vitit 2009-2010. Shifra ka dalë nga një anketim i kryer nga “International Pet Hospital Tirana”. Asnjë institucion tjetër shtetëror shqiptar nuk ka kryer ende një studim të mirëfilltë mbi këtë çështje. Por kjo gjë është lehtësisht e evidentueshme, pa qenë e nevojshme për t’iu referuar shifrave zyrtare. Qentë pit bull shëtisin lirisht me të zotët e tyre rrugëve të kryeqytetit, i sheh në ambiente publike, ulen në kafene etj. Është e çuditshme sesi brenda pak vitesh, nga një vend pa një kulturë kafshësh shtëpiake, Shqipëria u shndërrua në vendin më mikpritës, aq më tepër të racave të mëdha, të cilat kërkojnë kujdes dhe përkushtim edhe më të madh sesa racat e vogla. Deri në vitet ’90, mbajtja e një qeni në apartamente ishte e paimagjinueshme. Nëpër qytete qentë mbaheshin vetëm nga banorë, të cilët zotëronin një shtëpi private me oborr. 

Pas viteve ’90, hapja me botën solli koncepte të reja në marrëdhëniet mes njerëzve dhe kafshëve shtëpiake. Televizioni ofroi modele të reja familjesh perëndimore, ku kafshët shtëpiake mbaheshin në apartamente dhe konsideroheshin si pjesëtarë familjeje. Në vitet e para të demokracisë, gjithçka që vinte nga jashtë konsiderohej domosdoshmërisht e mirë dhe shenjë luksi, ndaj edhe racat e para të qenve që zbarkuan nga jashtë u mirëpritën si një fenomen pozitiv. Qentë pekinezë ishin raca e parë e qenve, që filluan të përhapeshin në familjet qytetare në fillim të viteve ’90. Një qen pekinez në atë kohë ishte shenjë e një familjeje të pasurish ose e atyre që kishin njerëz jashtë, rrjedhimisht që kishin njëfarë ekonomie më të mirë se të tjerët. Moda e pekinezëve u zbeh kur, me kalimin e viteve, çdo shqiptar mund të mbante një pekinez, pavarësisht të ardhurave apo statusit social.

A MBAHEN PIT BULL-ËT NGA “TË FORTËT”? 
Gjatë viteve të fundit, në mënyrë të ngjashme, u përhap moda e pit bull-ëve. Ndryshimi qëndronte në konceptet e reja të aspektit social. Sipas psikologëve, pronarë të pit bull-ëve janë persona që duan t’i përkasin një grupimi të caktuar social ose duan të fshehin komplekset e inferioritetit. “Meshkujt, veçanërisht gjatë moshës së adoleshencës, kanë nevojë të ndihen të fortë. Duke mbajtur një qen të tillë, i cili ka reputacionin e qenve të fuqishëm, adoleshentët mendojnë se arrijnë të konfirmojnë forcën e tyre, – thotë Meri Dishnica, psikologe këshillimi. – Gjithashtu, një karakteristikë e meshkujve, veçanërisht gjatë adoleshencës, është dëshira për t’u identifikuar me një grup të caktuar social. Duke parë një tendencë në rritje të meshkujve që mbajnë pit bull, kjo gjë tregon se duan të jenë pjesë e këtij grupimi”. Fenomeni të kujton përhapjen e makinave Benz në fillim të viteve 2000 e pastaj përhapjen me të njëjtin ritëm të makinave BMW X5. Nami famëkeq i pit bull-ëve, ashtu si e një marke të caktuar makine, mesa duket, meshkujve shqiptarë u bën punë për të krijuar statusin e dëshiruar social. 

GLADIATORËT E MILENIUMIT TË RI 
Sigurisht, disa nga pronarët e pit bull-ëve janë thjesht të pasionuar pas racave të tilla. Por, edhe në këtë rast, me shumë gjasa, kjo lloj“dashurie” është një lloj adrenaline që “adhuruesit e pit bull-ëve” e marrin nga ndeshjet e paligjshme mes pit bull-ëve. “Pit bull-ët për atë punë janë krijuar, – thotë i zoti i një pit bull-i, duke e përkëdhelur qenin e tij. – E shikon si është bërë ky babëlok nga ndeshjet? – dhe e kap nga koka duke treguar plagë të mëdha e të frikshme e me siguri tepër të dhimbshme të marra gjatë ndeshjeve. – Ka bërë kushedi sa ndeshje dhe është plagosur dhe gjakosur deri në vdekje, por në fund ka dalë gjithmonë fitimtar”, e godet me krenari qenin e tij nga koka. Si në një amfiteatër gladiatorësh, amfiteatri pranë kodrave të liqenit shpesh është kthyer në një shesh lufte mes pit bull-ëve. Ndeshjet zgjasin nga disa minuta deri në një orë ose edhe më shumë. Fatin e pit bull-ëve e vendosin bastexhinjtë ose të zotët e tyre. Kur bastet janë tepër të larta, pronarët me gjakftohtësi pranojnë ta çojnë qenin drejt vdekjes të sigurt. Ndeshja mbaron vetëm kur njëri prej pit bull-ëve vritet nga tjetri. Në Kosovë, aty ku ndeshjet mes pit bull-ëve janë shumë të përhapura, pothuajse të ligjshme, bastet arrijnë shifra tepër të larta, deri në mijëra euro. Për hir të shumave marramendëse të parave, mund të justifikohet flijimi që i zoti i bën qenit të vet. Kurse në Shqipëri duket se këto ndeshje bëhen thjesht dhe vetëm për qejf. Këtu jeta e një pit bull-i vlen shumë më pak, më pak edhe nga çmimi i blerjes. Sipas disa dëshmitarëve në të tilla ndeshje, bastet që vihen në ndeshjet mes pit bull-ëve nuk i kalojnë shumat nga 500 deri në 10 mijë lekë, ndërsa vlera e blerjes së një pit bull-i shkon nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë. 

MBROJTJA MË E MIRË ËSHTË SULMI 
Pit bull-ët përdoren për ndeshje të paligjshme, sepse janë ndër racat e qenve më të fuqishme, por kjo nuk e përligj aspak reputacionin e tyre si qen që sulmojnë njerëzit. “Pit bull-ët janë të rrezikshëm në sulmet ndaj qenve të tjerë, por jo ndaj njerëzve. Në Shqipëri ka pasur incidente të shumta me njerëzit, sepse të zotët e tyre i kanë edukuar keq. Në përgjithësi, në Shqipëri, shumë pronarë qensh i rrahin dhe i lënë në vende me errësirë për t’i egërsuar sa më shumë, – thotë Bledar Zerka, instruktor kafshësh. – Kjo gjë i egërson dhe i bën të rrezikshëm edhe në sulmet kundër njerëzve”. Si çdo qen tjetër, pit bull-ët e kanë të fortë instinktin e sulmit dhe të mbrojtjes. Çdo lloj qeni arrin të identifikojë ambientin dhe njerëzit nëpërmjet nuhatjes. Njerëzit, gjatë jetës së tyre, arrijnë të çlirojnë hormone të ndryshme për gjendje të ndryshme shpirtërore. “Çfarëdolloj race qensh ka aftësinë që, nëpërmjet nuhatjes, t’i identifikojë këto ndjesi e në këtë mënyrë të identifikojë njerëzit dhe ambientin që e rrethon. 

E dini përse fëmijët sulmohen më shpesh nga qentë? Sepse fëmijët, në prani të qenve, nuk e çlirojnë hormonin e frikës. Fëmijët e vegjël të moshave nga 1 deri në 3 ose 4 vjeç nuk i kanë të zhvilluara instinktet, ndaj nuk u frikësohen qenve. Një fëmijë mund t’i afrohet pa kurrfarë frike një qeni e t’ia fusë gishtat në sy. Qentë e nuhasin këtë gjë e për këtë arsye kërkojnë të mbrohen prej tyre. Për të njëjtën arsye edhe sulmojnë”, thotë dr. Guven Guneren. Në këtë mënyrë mund të shpjegohet sulmi që pit bull-i i një familjeje i bëri foshnjës së çiftit. Incidente të tilla në familje me qen mund të ketë pasur me qindra. Asnjëra nuk është raportuar apo të jetë bërë lajm. Ngjarja e Durrësit bëri një bujë të madhe në media për pasojat gati vdekjeprurëse të këtij sulmi. Problemi nuk qëndron në faktin se cili nga qentë sulmon më shumë, por, kur sulmon një pit bull, dëmet janë shumë herë më të rënda se të çdolloj race tjetër. Kafshimi i pit bull-it është shumë i fortë, sepse vetë struktura e nofullave të tij i ngjan një ganxhe, e cila mbyllet hermetikisht. Nëse kafshimit të një qeni tjetër mund t’i shpëtosh pa rrezik për jetën, sa herë që sulmon një pit bull, aq herë jeta e një njeriu vihet në rrezik. 

KUR LIGJET THYHEN EDHE NGA KAFSHËT 
Kjo është një arsye që i bën fort të rrezikshëm për njerëzit. Në vendet perëndimore, si për shembull në Amerikë dhe Kanada, qentë e racave të mëdha sigurohen. Në të gjitha vendet perëndimore, qen të tillë nuk lejohen të dalin pa maskë dhe rrip. Në Britaninë e Madhe, masat janë më ekstreme. Pit bull-ët nuk lejohen të shkelin tokën e Mbretërisë së Bashkuar dhe gjithashtu është i ndaluar shumimi i tyre. Në Shqipëri, së fundmi, ka pasur një lloj ndërgjegjësimi për rrezikun e tyre, gjë që ka arritur deri në institucionet ligjvënëse. Para pak kohësh, parlamenti miratoi një ligj “Për veterinarinë”. Ligji parashikon dënime me gjobë, të cilat variojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për shkeljet. Ligji ka cekur edhe shqetësimin e përgjithshëm të qytetarëve, që ka të bëjë me lëvizjen e qenve në rrugë, parqe etj. Në çdo rast të tillë, qenit i duhet vendosur maska mbrojtëse në gojë. Madje pronarët e tyre duhet të kujdesen që ata të mos çiftohen në mënyrë të pakontrolluar apo të pastrojnë vendin në raste të mundshme të ndotjes. Ligji është shkelur me të dyja këmbët nga qytetarët që zotërojnë një qen të tillë dhe është injoruar nga organet zbatuese. 

Në fakt, më shumë sesa një shqetësim i sinqertë i parlamentarëve dhe politikanëve shqiptarë për jetën e qytetarëve, implementimi i ligjit ka ardhur si një detyrim i vendosur nga BE-ja. Ligji “Për veterinarinë” ka qenë një prej kërkesave të vendosura në BE-ja për t’u bërë anëtarë. Për këtë arsye, ligji ngjan më shumë si një këshillë e shkruar në një copë letër. Në Tiranë, pit bull-ët vazhdojnë të shëtisin lirshëm, pa maska dhe pa zinxhirë në rrugët më të rrahura nga njerëzit. Rreziku për incidente të tjera mbetet tepër i madh. “Duke parë kaq shumë pit bull-ë që lëvizin në vende publike pa zinxhirë dhe pa maska mbrojtëse, çuditem sesi ka pasur kaq pak incidente, – thekson dr. Guven Guneren. – Duhej të kishin ndodhur më shumë, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ndodhin në të ardhmen. Shqiptarët kanë në duar armë tepër të rrezikshme.” Për sa kohë që meshkujt shqiptarë do të gjejnë forma të tjera për të treguar forcën, vështirë se mund t’ua heqësh nga duart të vetmet armë që i bëjnë të ndihen të sigurt dhe të fortë. Thjesht duhet të presim që kjo modë të zhduket e të shpresojmë se nesër nuk do të jemi ne viktimat e radhës. 

QEVERIA KA MIRATUAR SË FUNDMI LIGJIN “PËR VETERINARINË”, NË TË CILIN PARASHIKON NË MËNYRË TË DETAJUAR TRAJTIMIN E KAFSHËVE. DETYRIMET E PRONARËVE TË KAFSHËVE TË SHOQËRIMIT: 
•Të vendosin maskat mbrojtëse (për qentë). 
•Të pastrojnë ambientin publik në rast të ndotjes me jashtëqitje. 
•Të bëjnë vaksinimin e detyrueshëm kundër tërbimit.
•Të kujdesen për parandalimin e çiftëzimit të pakontrolluar. 
•Të mos i tërheqin ato prej koke, qimesh, veshësh, gëzofi etj. 
•T’u sigurojnë kafshëve lëvizjen e nevojshme ditore kur i mbarështojnë në mjedise të mbyllura. 

GJOBAT 
GJOBË 10 MIJË DERI NË 20 MIJË LEKË KUR: 
•Me kafshët zhvillohen ndeshje. 
•Transportohen në mënyrë të papërshtatshme (shtypën, shtyhen, lëndohen).

REELS

OK!

Emisionin e plotë e gjeni në Youtube/ Andale AL

E kemi mbajtur sekret, por sot sikur kemi qejf t'jua themi! 💕 @greenandprotein.al është vendi që na sjell mëngjesin dhe drekën në zyrë se e kemi zgjedhur si vend të preferuar. Ndonjëherë shkojmë edhe vetë se ka ambient të lezetshëm dhe të qetë. 🥰 Bowls janë yll, lëngjet e frutave, çdo gjë dmth. 🥑

Sa i bukur ky projekti i @unwomenalbania 💕 Gratë fuqizohen, udhëtojnë vetëm, argëtohen dhe zbulojnë histori frymëzuese dhe të pabesueshme nga peshkatarët. Në një udhëtim shumë të bukur në Vlorë ndodhin të gjitha. Love the idea 💡 Bravo! 🙌

U zgjuam me një ndjenjë nostalgjie sot 😌

S'e dimë ne ç'rast ke ti, por dimë ku duhet ta marrësh fustanin! 👗 @la_kune_ ka kaq shumë modele për çdo event, masa S-2XL, super çmime dhe dizajne. Të nderon kudo dmth ✌️

POV: Të bien pantallonat në mes të performancës, por ti je Beyoncé 🔥

Dua Lipa performon këngën e Raffaella Carrà dhe rrëmben zemrat e italianëve ❤️‍🔥

Po ju, keni bërë ndonjëherë takime po aq interesante?! 🤨

Shpresojmë për më të mirën! 🇦🇱❤️‍🔥 Credits: @eja.alb