Metropolitan

Cilat janë profesionet më të paguara në Tiranë?

Qëkur hyra në klasë të parë, mbaj mend që prindërit filluan të projektonin të ardhmen time. Mëso shumë, – më thoshin. – Mëso shumë, që të zgjedhësh një profesion që do të të sjellë shumë para”. Por cilat janë profesionet më të paguara në Shqipëri? Sipas opinionit të përgjithshëm, të cilit i bashkohet edhe ai i prindërve të mi, profesionet më të paguara janë: mjekët, arkitektët, inxhinierët, pedagogët etj. Vështirë të besohet se në listën e pagave më të larta përfshihen profesione si kamerier, kubiste, menaxher klubi, DJ. Por, në të vërtetë, në kryeqytet, aty ku night club-et janë ndër bizneset më fitimprurëse, pagat e punonjësve janë po kaq të mira. “Në restorant, në dyqane veshjesh, kudo kanë filluar të përdoren kartat e kreditit. Çdo shërbim paguhet me kartë krediti dhe jo me cash. Night club-et janë vendet e vetme ku punohet me cash dhe, kur ke të bësh me cash, ke mundësinë edhe të manipulosh më shumë”, thotë Sokol Papinari, një prej menaxherëve më të suksesshëm të klubeve të natës në Tiranë, me një përvojë 10-vjeçare në këtë punë. “Për këtë arsye, njerëzit që punojnë në night club-e, arrijnë të nxjerrin shuma parash që konkurrojnë me pagat mujore të drejtuesve të lartë të kompanive të mëdha”, shpjegon ai. 

Profesionet më të paguar në Tiranë 
Pozicioni kryesor i punës në një night club është ai i menaxherit. Ai (zakonisht në këtë pozicion pune zgjidhen meshkuj) është personi që administron dhe menaxhon punën e të gjithë klubit, si dhe personi që përzgjedh stafin. Mes punonjësve të stafit janë: DJ, baristët, kamerierët, bodyguard-ët etj. Në staf mund të përfshihen edhe dy ose më shumë persona, të cilët paguhen për numrin e klientëve që sjellin në klub. “Por ky pozicion, të cilin mund ta quaj si PR i klubit, është akoma i panjohur në Shqipëri. Këtu akoma besohet se menaxheri është personi që duhet të sigurojë edhe klientelën, por nuk është kështu”, thotë Sokol Papinari. Ndaj, duke qenë se ky pozicion pune ende është i panjohur, do ta lëmë jashtë listës të profesioneve që ndeshen në një night club. 

Por para se të zbulojmë sesa janë pagesat e profesioneve të tilla, në fillim është e nevojshme të theksojmë se ky shkrim është bazuar në dëshmitë e menaxherëve të disa prej klubeve më të suksesshëm në Tiranë. Në fakt, në Shqipëri nuk është kryer asnjë studim i mirëfilltë që përcakton profesionet më të paguara. Ekziston vetëm një VKM, që ka përcaktuar pagat referuese të drejtorëve të përgjithshëm dhe drejtorëve të njësive në degë të ndryshme të ekonomisë. Sipas kësaj VKM-je me nr. 285, dt. 4.5.2007, pagat referuese të disa prej profesioneve më të paguara rezultojnë të jenë: drejtues i transportit ajror me një pagë mujore më pak se 60.000 lekë, inxhinier ndërtimi 70.000 lekë, ekspert kontabël 80.000 lekë, mjek 60.000 lekë, inxhinier IT-je 60.000-80.000 lekë etj. Këto paga janë përcaktuar për 45 orë punë në javë, që do të thotë 6 ditë pune në javë ose 180 orë punë në muaj. Ndërkaq, punonjësit në një night club punojnë vetëm fundjavave, që do të thotë pagesa e tyre mujore përcaktohet për një total prej 64 orësh në muaj ose 136 orë më pak sesa profesionet e tjera. “Një night club, kur funksionon vetëm si klub nate dhe jo si bar kafe edhe gjatë ditës, normalisht ka një staf njerëzish që punojnë vetëm gjatë fundjavës. Stafi nuk ndryshon, edhe pse punojnë vetëm për dy net në javë”, shpjegon Sokol Papinari, i cili administron aktualisht “Bon Bon”, një pub në zonën e ish-Bllokut. 

Kur flitet me gjuhën e milionave! 
Rroga fikse mujore e një menaxheri klubi shkon nga 800 deri në 100 mijë lekë, por mund të shkojë edhe më shumë se aq. “Një profesionist nuk pranon të paguhet me rrogë fikse. Puna e një menaxheri të mirë vlerësohet me fitimin që ka një night club. Për këtë arsye, është më e ndershme dhe më korrekte kur menaxherët paguhen në bazë të përqindjes së fitimit. Përqindja e tyre shkon nga 10 deri në 20 % të vlerës së fitimit”, tregon Dritan Stoka, ish-menaxher i një klubi nate. Por sa është fitimi i përkthyer në lekë në këtë rast? “Është i madh, jashtëzakonisht i madh, – vazhdon ai. – Asnjë menaxher me përvojë nuk e pranon një punë të tillë nëse të ardhurat e tij mujore nuk i kapërcejnë 100 mijë lekë. Në rastet e klubeve më të suksesshëm, brenda një nate, një menaxher ka mundur të fitojë deri në 500 mijë lekë”. Në raste të tilla, rroga mujore e tij ia kalon edhe rrogës mujore më të lartë të deklaruar deri më sot. Sipas një shkrimi të botuar në gazetën “Tema”, rroga më e lartë e deklaruar ndonjëherë, që tronditi jo pak opinionin publik, i përket gazetarit Blendi Fevziut, i cili merr plot 3 milionë lekë në muaj për realizimin e emisionit “Opinion”. Me këtë pagë, Fevziu është bërë gazetari më i paguar në hapësirën shqipfolëse. 

O sa mirë me qen’ kamerier! 
Në night club-e me emër, si: “Folie”, “Lollipop”, “Mumja”, “Living Room”, etj. kamerierët që punësohen gjatë fundjavës, paguhen me shuma që shkojnë nga 2.000-3.000 lekë për natë. Por fitimin më të madh ata e nxjerrin prej bakshisheve që mesatarisht shkojnë nga 2.000-7.000 lekë në natë. Bëni disa përllogaritje të thjeshta dhe keni për të arritur në përfundimin se paga mujore e një kamerieri është dy herë më e madhe se paga e një specialisti në Ministri, pozicion pune që paguhet me rreth 35.000 lekë në muaj. Në rastin më të mirë paga e një kamerieri arrin nivelin e pagës së një drejtori departamenti në ministri me një rrogë mujore prej 80.00 lekësh dhe për më tepër një kamerier punon vetëm 64 orë në muaj përkundrejt 180 orëve të një drejtuesi të lartë të një kompanie apo një drejtori në ministri. 

Baristët kanë rrogat më të vogla në këtë hierarkinë e profesioneve të klubeve të natës. Baristët kanë rroga fikse dhe jo fleksibël, si ajo e kamerierëve. Punësohen kundrejt pagesave nga 30-50 mijë për çdo natë dhe në fund të muajit arrijnë të sigurojnë deri në 400 mijë lekë për tetë ditë pune në muaj. DJ-t e disa night club-eve në Tiranë adhurohen si personazhe VIP. Ndërkaq, nga profesionet më të lakmuara dhe të paguara të momentit konsiderohet ai i DJ-t. Sot, një DJ, përveçse paguhet mirë, ka fituar reputacionin e një artisti të mirëfilltë. Sot, shumë prej tyre adhurohen si të ishin yje të muzikës. I tillë është rasti i një DJ 25-vjeçar, i cili sa herë luan në klube të ndryshëm nate, ndiqet nga grupi i tij i fansave. Fansat e DJ Boocky-t, për t’u identifikuar nga të tjerët, mbajnë veshur një t-shirt të stampuar me logon “I love Boocky, don’t you”. Pas këtij prezantimi, askush nuk ka pse të habitet me shumat marramendëse që paguhet një DJ. Për një natë të vetme pune, DJ-t marrin 30 mijë deri në 50 mijë lekë çdo natë. “DJt më të mirë e që qarkullojnë në klubet me emër në Tiranë janë: Dj. Aldo, Boocky, Cool, Cerry, Tatoo, Ad Disha, Victor Kray, Olti etj., të cilët minimalisht luajnë dy herë në javë në klube të ndryshme nate”, thonë disa menaxherë klubesh. Nëse llogarisim të ardhurat e tyre mujore për tetë net pune në muaj, një DJ fiton deri në 400.000 lekë. 

Arti vs. Paratë 
Pjesë gati e përjavshme e stafit të një night club-i janë bërë edhe balerinat. “Një grup balerinash qarkullojnë në disa klube nate. Nuk janë profesioniste, sepse shumë prej tyre nuk kanë mbaruar një shkollë baleti. Pjesa më e madhe e tyre janë me arsim të mesëm ose vetëm me arsim 9-vjeçar”, thotë Elton Tozaj, menaxher klubesh. “Një herë kam pasur rastin të takoj një kubiste, e cila ishte në klasë të nëntë. M’u drodhën gjunjët kur mësova moshën e saj. Sigurisht, e përzura, por nuk jam aq e sigurt nëse edhe menaxherët e tjerë kanë bërë të njëjtën gjë”. Balerinat e night club-eve fitojnë 10 mijë lekë brenda një nate. “Dalin dy herë për të kërcyer. Çdo kërcim nuk zgjat më shumë se 20 minuta – sqaron Leda Shehu, ish-menaxhere e night club-it “Mju Mju”. – Por ka ndodhur që brenda një nate të kërcejnë edhe në një tjetër night club e gjithashtu, si kamerierët, edhe ato mund të fitojnë shumë nga bakshishet”. Kjo gjë i dyfishon të ardhurat e tyre nga 10 në 20 mijë lekë brenda një nate, që do të thotë se arrijnë të fusin në xhep deri në 80 mijë lekë në muaj. 

Nuk e di pse m’u kujtua rroga mujore prej 55 mijë lekësh e Enada Hoxhës dhe Gert Vasos, të cilët janë balerinë të parë të Teatrit të Operës dhe Baletit. Sipas burimeve të brendshme nga TOB-i, pagesa të ngjashme kanë edhe solistët e TOB-it, për të mos thënë edhe më të këqija. Kështu, për shembull, Vikena Kamenica, mexosoprano e TOB-it, ka një rrogë mujore rreth 40 mijë lekë. Ndërkaq, këngëtaret që shëtisin klubeve të natës dhe performojnë me playback këtë shumë e marrin brenda një nate. Më saktë, këngëtarët që këndojnë në klube nate, paguhen nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë për një koncert me superpozim me një playlist prej 10 këngësh. “Të vesh një opera në skenë, duhet të punosh një muaj rresht, të zgjohesh nga ora tetë e mëngjesit e t’i bësh ushtrime vokalit deri në orën tetë të mbrëmjes”, m’u kujtua një fragment nga një bisedë me Vikena Kamenicën para ca kohësh, ndërsa kujtoj që solistja e parë e TOB-it, Marjana Leka, ka kënduar 4 orë rresht live në operën “Dasma e Figaros”. “Dhe për këtë punë ajo ka marrë një shpërblim prej 14.700 lekësh. Por aktorët e teatrit marrin shpërblime më të kënaqshme sesa solistët e TOB-it. Aktorët e parë paguhen me një shumë që shkon nga 90.000 lekë deri në 200.000 lekë”, shton Koliqi, e cila aktualisht punon pranë Zyrës së Shtypit të Teatrit Kombëtar. Por a përmenda gjë këtu faktin që një premierë në teatër shfaqet 25 herë? Po kaq qesharake duken edhe rrogat e aktorëve të mëdhenj nëse i krahason me rrogat e DJ-ve dhe menaxherëve të klubeve. Aktorët ikonë të teatrit, si: Bujar Lako, Roland Trebicka, Eva Alikaj, Artan Imami etj., marrin një rrogë mujore prej 55 mijë lekësh, e përafërt me pagesën me të cilën paguhet një DJ për një natë pune. 

Të mirat e punësimit në të zezë 
Por kamerierët, baristët, DJ-it dhe menaxherët e klubeve zakonisht punojnë në të zezë. Por nga këto lloj punësh fitohet aq shumë sa për t’u bërë një motiv i fortë për të mos u joshur nga oferta pune të ligjshme. Fitohet mirë dhe kjo është arsyeja kryesore përse shumë të rinj kanë braktisur ëndrrat për të zgjedhur karriera të tjera profesionale. “Unë kam mbaruar Fakultetin e Gazetarisë, por nuk rropatem kurrë rrugëve për një rrogë mujore që merr një gazetare e thjeshtë”, pohon Leda Shehu, ish-menaxhere klubi, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Gazetarisë. Së dyti, për të bërë punë të tilla, nuk nevojitet një shkollim i profilizuar. Është e thjeshtë të fillosh një punë të tillë, sepse gjërat nuk ndërlikohen me diplomë fakulteti, studime të profilizuara, listë notash, mastera dhe trajnime. Mjafton të njohësh pronarin apo menaxherin e klubit, të kesh fuqi për të punuar dhe vendi i punës është i yti. Por nuk do mend që punë të tilla kanë edhe anët e tyre negative. “Të konsumon shumë mendërisht dhe fizikisht. Ke të bësh me tipa të ndryshëm njerëzish dhe puna me ta është gjithmonë e lodhshme. Pastaj jeta e natës të bën konsumues të madh të duhanit, alkoolit dhe ka raste edhe të drogës”, thonë njëzëri disa menaxherë klubesh. Gjithashtu, profesione të tilla paragjykohen nga shoqëria dhe kanë një imazh të keq social. “Një prej balerinave që marr gjatë fundjavës, ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë. E bën këtë punë, sepse i siguron të ardhura më të mira sesa një punë si arkëtare, që ka pasur dikur në bankë. Por del me fytyrë të mbuluar, sepse shoqëria i paragjykon profesione të tilla, – pohon Elton Tozaj. – Por e keqja më e madhe është pasiguria. Sot je në punë, nesër mund të gjendesh në rrugë”. 

Nuk e di pse kjo puna e pasigurisë m’u duk si një melodi e stërdëgjuar. Më erdhi ndër mend ime motër. Është fëmija i mbarë e familjes, sepse e projektoi të ardhmen e saj siç e dëshiruan prindërit e mi. Përfundoi gjimnazin me të gjitha notat dhjeta. Konkurroi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Informatikë, një degë që, sipas opinionit të përgjithshëm siguron një të ardhme të shkëlqyer. Përfundoi Fakultetin dhe pas dy vitesh rropatjeje në kërkim të punës, mezi siguroi një vend pune si IT në një kompani private. Zgjohet për të shkuar në punë që pa gdhirë dhe kthehet në shtëpi kur ka rënë nata. Punon gati 9 orë në ditë, ndonjëherë edhe më shumë. Punon edhe të shtunën dhe ka një pagë mujore prej 42.000 lekësh. Nuk ka ditë që të mos ankohet për pasigurinë që ndjen, por gjithmonë ngushëllohet me justifikimin: “Për fat, unë e kam një punë!” 

REELS

OK!

Emisionin e plotë e gjeni në Youtube/ Andale AL

E kemi mbajtur sekret, por sot sikur kemi qejf t'jua themi! 💕 @greenandprotein.al është vendi që na sjell mëngjesin dhe drekën në zyrë se e kemi zgjedhur si vend të preferuar. Ndonjëherë shkojmë edhe vetë se ka ambient të lezetshëm dhe të qetë. 🥰 Bowls janë yll, lëngjet e frutave, çdo gjë dmth. 🥑

Sa i bukur ky projekti i @unwomenalbania 💕 Gratë fuqizohen, udhëtojnë vetëm, argëtohen dhe zbulojnë histori frymëzuese dhe të pabesueshme nga peshkatarët. Në një udhëtim shumë të bukur në Vlorë ndodhin të gjitha. Love the idea 💡 Bravo! 🙌

U zgjuam me një ndjenjë nostalgjie sot 😌

S'e dimë ne ç'rast ke ti, por dimë ku duhet ta marrësh fustanin! 👗 @la_kune_ ka kaq shumë modele për çdo event, masa S-2XL, super çmime dhe dizajne. Të nderon kudo dmth ✌️

POV: Të bien pantallonat në mes të performancës, por ti je Beyoncé 🔥

Dua Lipa performon këngën e Raffaella Carrà dhe rrëmben zemrat e italianëve ❤️‍🔥

Po ju, keni bërë ndonjëherë takime po aq interesante?! 🤨

Shpresojmë për më të mirën! 🇦🇱❤️‍🔥 Credits: @eja.alb