
Koalicioni qeverisës në Gjermani është gati të lëshojë miliarda euro fonde për t’u ardhur në ndihmë qyteteve pas mbërritjes së një numri rekord emigrantësh. Kritikët në vend e akuzojnë kancelaren Angela Merkel se ka krijuar një precedent të rrezikshëm duke hapur kufijtë e vendit.
Pas një marrëveshjeje me Austrinë dhe Hungarinë për të lehtësuar rregullat e azilit, një numër rekord prej 18 000 emigrantësh janë futur në territorin gjerman vetëm gjatë fundjavës. Deklarata e Gjermanisë për fonde ekstra erdhi pas bisedimeve të Merkel me liderët e tjerë të koalicionit të saj.
Përveç 3 miliardë eurove për rajonet, ata gjithashtu ranë dakord për të përshpejtuar procedurat e aplikimit për azil dhe për t’u siguruar strehim të sapoardhurve. Gjermania pritet të strehojë 800 000 emigrantë këtë vit dhe kërkon që pjesa tjetër e Europës të ndihmojë më shumë në krizën që ka pushtuar kontinentin.
Burimi: bbc.co.uk
Përshtati: Kristi Tashi