“As ti nuk e beson që unë s’kam pasur asnjëherë të dashur? E di, është e pabesueshme, turp i madh! Jam 21 vjeçe dhe jam akoma e virgjër”, justifikohet Alisa M., studente në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë. Një pohim i tillë do të tingëllonte një paradoks i madh nëse do të ishte bërë disa vite më parë. Dikur vlera më e madhe morale për një femër, sot virgjëria konsiderohet si mungesë emancipimi dhe një pengesë për të hyrë në marrëdhënie intime me meshkujt. Çfarë ka ndodhur me shoqërinë shqiptare? Mos ndoshta i kemi tejkaluar pritshmëritë e një evolucioni seksual apo thjesht i kemi përkthyer keq vlerat e një shoqërie të hapur?
Në një shoqëri tradicionalisht konservatore e patriarkale si ajo shqiptare, çështja e virgjërisë ka qenë historikisht një tabu. Sipas etnologes Afërdita Onuzi, deri në mesin e shekullit XX ka qenë traditë që para martese në familjen e vajzës ezauroheshin paraprakisht bisedat mbi “paprekshmërinë” e saj. “Nënat bisedonin me të bijat e tyre për këtë çështje. Nuk bëhej më fjalë për vlerë. Asokohe virgjëria ishte një kusht i panegociueshëm”. Kaq rëndësi kishte, sa në rastet kur virgjëria konsumohej para martesës, nuset detyroheshin ta manipulonin këtë fakt në mënyra nga më të çuditshmet. “Nuset mbanin nën jastëk një pëllumb, të cilit ia këpusnin kokën gjatë aktit seksual. Me gjakun e zogut lyenin çarçafët, të cilët të nesërmen, siç e kërkonte tradita, kontrolloheshin nga vjehrra, e cila konfirmonte virgjërinë”, tregon Onuzi. Por, veçanërisht sot, do të ishte vërtet e pamoralshme që virgjëria të merret si tregues morali. Jetojmë në një kohë kur falë një operacioni për riformimin e himenit, cilado femër me një jetë të pasur seksuale mund të kthehet në një virgjëreshë. Jo për këtë arsye ama, virgjëria ka zbritur nga hi- erarkia e vlerave që ka pasur në të kaluarën.
Pas viteve ‘90, hapja me botën solli modele dhe sjellje të reja seksuale. Të rinj shqiptarë që jetuan në vende perëndimore u kthyen prej andej me një qëndrim liberal ndaj seksit. Modelet e tyre u imituan nga të rinjtë shqiptarë e, meqë vinin nga jashtë, të nxitur edhe nga një dëshirë e ethshme për t’u hapur me botën, këto modele u morën shabllon si shprehje e një botëkuptimi perëndimor. Kështu lindën fenomene sociale të panjohura deri kohët e fundit, siç janë: one night standet (seks vetëm për një natë), friends with benefits (miq për seks), hook up-et (lidhje seksuale pa detyrime ndaj partnerit). Një rol të madh në këtë progres social-kulturor dhe seksual luajti media dhe sidomos filmat apo telefilmat me tema seksuale. Mjafton të përmendet seriali televiziv “Sex and the City” për të kuptuar impaktin e madh të kinemasë në krijimin e një botëkuptimi të ri për çështjet që lidhen me sjelljet seksuale. Shumë histori urbane tregojnë që personazhi i Samantha Jones-it është kthyer në një udhëheqëse e çështjeve seksuale për shumë të reja shqiptare.
Përballë sjelljeve të tilla, ruajtja e virgjërisë sot duket si një sjellje që evokon të kaluarën e për këtë arsye për shumë të rinj është një antivlerë e kohëve moderne. “Sigurisht, ky qëndrim nuk mund të vërtetohet që përbën mirëfilli një fenomen social, pasi mbi këtë çështje ende nuk është bërë një studim social, por është evidentuar si formë e të menduari e shumë të rinjve, – thotë sociologia Grida Duma, shefe e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Tiranë. – Shoqëria e sotme kërkon medoemos që individët të ndërveprojnë fuqishëm, të jenë të shoqërizueshëm, madje edhe në mënyrë ekstreme. Sot konceptimi i grupit kuptohet në aftësinë për shoqërizim. Marrëdhënia intime është tregues i të qenit të hapur ndaj marrëdhënieve në tërësi”. Ky lloj presioni ushtrohet nga një kategori meshkujsh që e përkthejnë mungesën e marrëdhënieve intime si mungesë emancipimi dhe shoqërizimi.
“Ne rrimë deri vonë nëpër pub-e, vishemi bukur e biem në sy. Për këtë arsye, meshkujt që na afrohen aludojnë se duhet të kemi pasur edhe eksperienca seksuale. Madje mund të zhgënjehen shumë nëse zbulojnë që nuk është kështu”, thotë Entela R., 24 vjeçe. E njëjta logjikë mund të shpjegojë përse në shumë raste janë femrat e bukura e me një stil modern të të jetuarit që vuajnë më shumë nga paragjykime të tilla. “I quajmë kukullat e Bllokut. Janë femra të bukura, dalin nëpër pube, vishen ekstravagante, flirtojnë, por në fund nuk ta japin. Kot hiqen si mendjehapura, rrezik janë akoma të virgjëra”, e përforcon këtë ide një i ri 25-vjeçar. Një lloj tjetër presioni ushtrohet nga mikeshat jo më të virgjëra, të cilat, në emër të emancipimit, rreshtojnë në listën e vlerave edhe eksperiencat e ndryshme seksuale. Për të qenë në rregull me këto norma sociale, rrjedhimisht për t’i shpëtuar edhe presionit social, shumë të reja kanë gjetur alternativa nga më të çuditshmet për t’u çliruar nga virgjëria. Disa e fshehin për një kohë të gjatë. Por me kalimin e kohës shndërrohet në një kompleks akoma më të madh, duke i izoluar akoma më shumë në marrëdhëniet intime me meshkujt, nga frika e paragjykimit prej tyre. Të tjera dorëzohen para marrëdhënies së parë të rastit. “Arrita 22 vjeçe dhe isha akoma e virgjër. Gjithmonë jam vlerësuar si një femër e bukur dhe deri në moshën 18-19-vjeçare nuk e kisha problem që isha e virgjër.
Fillova të trembesha pas të njëzetave, pasi mungesa e një marrëdhënieje seksuale mund të dukej si një tregues që nuk isha e pëlqyeshme, ndaj i kërkova një shokut tim të ishte ai i pari. Për mua nuk kishte rëndësi ku, me kë dhe pse, mjaftonte ta hiqja qafe këtë kompleks”, thotë Estela S., 24 vjeçe. Në këtë mënyrë, sot, “humbja e virgjërisë” është shndërruar në qëllim në vetvete. A tregon ky fenomen se jemi një shoqëri kaq e hapur ndaj seksit, sa madje jemi gati të im- ponohemi në emër të hapjes? Në fakt është krejt e kundërta. “Për shkak të një zhvillimi të ngadaltë dhe të dobët ekonomik, vlerat e një shoqërie të hapur nuk janë zhvilluar siç duhet, për rrjedhojë lexohen shtrembër. Nëse do të ishte vërtet e hapur si shoqëri, atëherë do të ishte e hapur të pranonte variante nga më të ndryshmet e jo të kthente në një normë të detyrueshme atë që është e paimponueshme. Duke mbyllur mundësinë për të qenë të hapur ndaj vendimmarrjes së secilit, shoqëria shqiptare sillet si e mbyllur”, thotë Duma. Si përfundim, asgjë nuk ka ndryshuar. Sepse, nëse iu vëmë emrin e duhur sjelljeve që nxisin ruajtjen apo humbjen e virgjërisë, atëherë do të kuptojmë që udhëhiqen nga i njëjti parim: Mosrespektimi i jetës personale të tjetrit. Në një shoqëri moderne virgjëria nuk ka pse të konsiderohet as si turp e as si nder. Në fund të fundit, është thjesht një çështje personale.