Cover Story

Luana Vjollca

1 Nëntor 2011

Luana Vjollca

Ka personazhe, të cilët, sa herë shfaqen në kopertinën e një reviste, aq herë garantojnë shitjet e të gjitha kopjeve të printuara. Personazhe të tillë numërohen me gishtat e njërës dorë. Në Shqipëri, showbiz-i është kthyer në një biznes që konsumon brenda pak kohësh edhe personazhin më karizmatik, mjafton që ky i fundit të fillojë të hapë thesin me të larat dhe të palarat nga jeta e vet. Vetëm një numër i vogël personazhesh, ca instinktivisht e ca të djegur nga eksperienca e hidhur showbiz-it, kanë mësuar t’u vënë kufijtë gazetave dhe gazetarëve dhe kanë mbijetuar në biznesin më të madh të konsumimit njerëzor, siç është ai i spektaklit.

A nuk është i tillë edhe rasti i Luana Vjollcës? Brenda 12 muajve të fundit është shfaqur së paku në kopertinat e tre revistave të modës. E treta ështëkjo kopertinë e revistës “Anabel”. Çdo mbrëmje eshohim në ekranin e Top Channel-it duke dhënë motin. Prej dy sezonesh, çdo fundjavë, e shohim si moderatore të spektaklit “ E Diell”. Është pjesë e përhershme e suplementeve të fundjavës me lajme rozë. Në fakt, lidhja e saj me Adrian Gaxhën kacqenë ndër skupet më të bujshme mediatike të vitit të fundit. E si në çdo marrëdhënie tjetër njerëzore, edhe në atë publik-personazh, mërzia e publikut shkaktohet nga tej ngopja me personazhin. Por Luana, me gjithë këtë ekspozim, lë gjithmonë njëlloj urie për të mësuar më shumë rreth saj. Për këtë arsye nuk të mërzitet kurrë. Plus, kaq e bukur sa është, njerëzit mezi ç’presin të shohin setin e ri fotografik të saj apo ndryshimin e radhës me ngjyrën e flokëve. Më e rëndësishme – dhe që i jep shpjegim pikëpyetjeve të mësipërme – është mënyra sesi i qaset medias dhe publikut. Luana asnjëherë nuk ka marrë pjesë në mënyrë të vullnetshme në çorbën e gatuar me thashetheme rreth jetës së saj private. Asnjëherë nuk është kundërpërgjigjur ndaj lajmeve të pavërteta, as ka mohuar, as ka pohuar lajme që kanë pasur si qëllim të zbulojnë jetën e saj private. Të njëjtin qëndrim neutral, gati të ftohtë, moderatorja e njohur e “ E Diell” e ruajti edhe kur Adrian Gaxha, i ftuar në një puntatë të “ E Diell” të sezonit të kaluar, u pyet rreth lidhjes me Luanën. Kamerat, që fiksuan ndërkohë fytyrën e bukur të 20-vjeçares, nuk arritën të shkëpusnin asnjë lloj emocioni, përjetimi, asnjë gjest apo mimikë mbi të cilin më vonë mund të hamendësohej mbi stadin e lidhjes së çiftit. “Unë në jetën time private kam vendosur kufij edhe për njerëzit e mi më të afërt e jo më për median. Përderisa e quajnë jetë private, atëherë diçka private duhet ta ketë”, thotë Luana gjatë intervistës për revistën “Anabel”. Por kjo nuk do të thotë që Luana është armiqësore me median. Përkundrazi! Gjatë intervistës sonë, tregoi një përkushtim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar me detaje që kënaqin kureshtjen e një gazetari. Por nuk ra kurrë në kurthin e “hapjes së zemrës” për hir të një interviste interesante. Herë të tjera, personazhe kanë rrëshqitur në rehatinë disa minutëshe që krijohet gjatë intervistës me gazetarët dhe kanë rrëfyer të vërteta, të cilat më vonë u janë kthyer kundër. Në fakt, një sekret i rrëfyer pafajësisht, një detaj i vockël, i parëndësishëm në momentin kur është thënë, mund të shënojë fillimin e një gjuetie të pamëshirshme mediatike.

Pastaj nuk do shumë mend për të kuptuar përse disa personazhe janë gati gjithmonë të pranishëmnë lajme me natyrë skandalistike dhe kurrë në kopertinat e lakmuara të revistave të modës. Ashtu si Luana mund të jetë tri herë personazh kopertine e përsëri revistat të kenë shitje. Sepse e vogla e motrave më të bukura në showbiz di të vendosë kufij mbi jetën e saj personale dhe profesionale. Ajo ka gjetur mënyrën të rrëfehet gjerë e gjatë e përsëri të lërë misterin e diçkaje të pathënë, të cilën duhet ta hamendësosh ose thjesht të shpresosh se do talexosh në intervistën tjetër

Si u ndjeve në setin fotografik? 
Ishte diçka ndryshe nga ç’kisha realizuar më parë. Fati im, do të thosha, që të punoja me Geljantin, që është vërtet profesionist dhe artist. Kushtet ishin shumë të përshtatshme, gjithçka që nevojitej ishte aty. Unë kam qenë dikur pjesë e modelingut dhe u ndjeva tërësisht vetvetja. Më pëlqen të fotografohem dhe të pozoj.

Dhe ky ishte seti i fundit me flokë të kuqe, besoj… 
Po, po, pas 7 muajsh, me këtë set, mbyll edhe fazën time të kuqe dhe rikthehem në një ngjyrë më natyrale.

Në rrjetet sociale nuk je pritur dhe aq mirë me këtë pamje… 
Po, sepse Shqipëria u mbush me kokëkuqe, prandaj. Tek “Top Fest-i” kam bërë një shaka, ku përmes një dialogu me Marinën, lija të kuptohej që kisha kopjuar Rihanna-n për ngjyrën, meqë ndryshimi i saj bëri shumë bujë. Në të vërtetë, unë flokët e kuqe i kam parë tek një tjetër personazh, Tyra Banks, supermodele amerikane. Më pëlqyen shumë tek ajo dhe vendosa t’i bëj. 

Ka filluar të flitet shumë për ty, Luana. Je kudo: në kopertina, intervista në gazeta, komentohesh në rrjetet sociale. E ndjen që njerëzit po merren me ty çdo ditë e më shumë? 
E kam vënë re, por kjo ndodh sepse tashmë jam edhe më e dukshme, jo vetëm me një rubrikë të shkurtër si moti, por edhe tek “ E Diell”. Shoh në rrjete sociale që njerëzit flasin: ka që më kanë qejf, ka që më kritikojnë. Unë i pranoj kritikat, jam shumë e hapur ndaj tyre. E rëndësishme është që fjalët që thuhen të përqendrohen vetëm tek puna ime. Nuk më pëlqen kur përflitem për gjëra personale.

Ti dukesh se ke një pasion të madh për këtë punë. Dukesh nga ato vajza që s’do të hiqnin kurrë dorë nga televizioni. Është kjo ajo që do? 
Në fakt, unë televizionin e njoha krejt rastësisht. Unë isha modele dhe pozoja për revista, ndërsa motra ime Marina ishte velinë tek “Fiks Fare”. Njëherë drejtuesit e “Fiks-it” më kishin parë në njërevistë dhe pyetën Marinën nëse më njihte. Sapo mësuan që isha e motra, më thirrën për audicion. Mbaj mend që në fund të audicionit, i shkela syrinkamerës dhe ata shkrihen së qeshuri. Fitova për t’u bërë velinë së bashku me Livian, unë brunia dhe ajo biondia. Sa më shumë ditë kaloja në Top Channel, aq më shumë nisa ta doja këtë punë. Më pas, vetë drejtuesit më besuan parashikimin e motit, të cilin e prita me habi dhe, të them të drejtën, jo me ndonjë qejf të madh, sepse s’kam pasur ndonjëherë shumë interes për motin. Gjithsesi, kjo rubrikë, sado e vogël, u bë shumë e rëndësishme për mua, sepse e konsiderova një llojstërvitjeje për emisione të mëdha. 

Si “Top Fest”, dhe “ E Diell”, për shembull. Gjithsesi, s’e mora përgjigjen që doja: Është televizioni ajo do të bësh në jetën tënde apo je edhe ti si vajzat e tjera të famshme, që mbajnë edhe një diplomë ekonomiku, psikologjie apo juridiku për “ditë me shi”?
Fatkeqësisht unë hyj tek këto “vajzat e tjera”. Unë po bëj një shkollë juridiku dhe në fund të këtij viti shkollor marr diplomën. Jam e bindur që dotë më hyjë në punë kjo shkollë, sepse ekrani më duket gjithmonë i përkohshëm. Gjithsesi, nuk e di nëse masterin do ta vazhdoj në juridik, do të kaloj në ekonomik (degë që e dua shumë) apo në Akademinë e Arteve për aktrim. Ende s’e kam vendosur. Por kam edhe një dëshirë tjetër që s’e kam përmendur më parë…

Çfarë s’na ke thënë?
Unë kam shumë pasion edhe këngën. Kam kënduar kur kam qenë shumë e vogël në festivale për fëmijë. Kënga ka mbetur një pasion shumëi madh i mamasë sime, sepse ajo ka prekur vetë skenat në rini.

Çfarë do të bësh me këngën, meqë e do kaq fort?
Synimi im i vetëm është që t’ia realizoj mamit të paktën një herë dëshirën. Është më shumë për të, se unë aktualisht jam mirë këtu ku jam; kam ato çfarë dua momentalisht për veten time. Nëse një ditë vij si këngëtare përpara publikut, e bëj këtë gjë vetëm për mamin. Ajo ka bërë gjithçka për ne të katërta gjatë gjithë jetës.

Më fol pak edhe për fëmijërinë tënde?
Kam qenë shumë e shëndoshë (qesh), nuk dallohesha fare nga tulet. Kam qenë shumë e egër, nuk mbaj mend të kem pasur shokë. Marina ka disa shenja në krah. E di nga i ka? E kam kafshuar unë (qesh me të madhe). Kur dilja unë, shoqet e Marinës largoheshin nga frika.

Ti e ke humbur babanë fare e vogël. Thuhet që vajzat që janë rritur pa figurën e babait pranë, e kanë të vështirë të ndërtojnë raporte me meshkujt. Ti si i ke raportet me meshkujt? E kam fjalën për çdo lloj marrëdhënieje me meshkujt, qoftë miqësore, profesionale etj.
Unë jam më e prirur të krijoj miqësi me meshkujt. Ndoshta pikërisht sepse më ka munguar figura e një mashkulli në shtëpi, kam qenë e prirur ta kërkoj mes miqve. Në fakt, miqtë e mi të vërtetë, ata të cilët i njoh që nga fëmijëria, janë meshkuj.

E ke ndier ndonjëherë mungesën e babait?
Babanë e kam humbur kur kam qenë vetëm 11-muajshe dhe nuk e mbaj mend fare. Nuk e kam njohur asnjëherë. Nuk e kam ndier asnjëherë mungesën e babait. Mamaja ime ka qenë baba dhe nënë për mua, ndaj nuk mbaj mend të kem vuajtur mungesën e tij. Ajo na ka plotësuar gjithçka që na është e dashur. Vetëm tani i kuptoj sakrificat e saj. Të rritësh katër vajza e vetme! Vërtet nuk e di si ia ka dalë e vetme!

Ti je shumë e lidhur me Marinën, kjo gjë dihet tashmë. Po me motrat e tjera çfarë raporti ke?
Kemi edhe dy motra më të mëdha. Njëra jeton jashtë Shqipërisë. Ajo është motra që ndonjëherë na zëvendëson edhe babanë. E ndiejmë shumë mungesën e saj.

Është e bukur si ty edhe Marina?
Motra e madhe ngjan pak me ne të dyja. Motra tjetër që jeton me ne, thonë që ia ka prerë kokën babit, si në karakter, ashtu edhe në pamje. Ajo është shumë më e bukur se ne të dyja.

Ti punon me Marinën në të njëjtin vend pune. E ndihmoni njëra-tjetrën profesionalisht?
Ne gjithmonë kemi ecur bashkë. Ndonëse nga tipi jemi ndryshe – ajo është e qeta, që merr vendimet e duhura dhe unë jam më impulsive, kapriçoze – përsëri ne jemi si dy gjysma të ndryshme që bëjnë një të plotë perfekte. Ajo është engjëlli im mbrojtës dhe unë jam e lumtur që e kam me vete. Nuk e di si do të ishte jeta ime pa Marinën.

Kam përshtypjen që ajo është edhe motra që bën kritika?
Siç të thashë, ne plotësojmë njëra-tjetrën. Nëse thashë që ajo është më e qetë dhe unë më impulsive, ishte për të të treguar që jemi kaq ndryshe e përsëri bashkë shkojmë kaq mirë! Përsa i përket kritikave, jemi të dyja shumë kritikuese ndaj njëra-tjetrës. Marina është gjithmonë personi i fundit që vendos kur unë jam në mëdyshje për diçka. Kur flas për Marinën, flas dhe për familjen time. Ne mblidhemi të katërta në shtëpi dhe i diskutojmë bashkë problemet. Sigurisht, jam e lumtur që kam Marinën kudo në jetë dhe kam dikë që mund t’i besoj në mënyrë absolute.

Më thuaj një kritikë që të ka bërë Marina?
Besoj se është një kritikë e vërtetë. Më thotë që në ekran duhet të përcjell më shumë ëmbëlsi. Më vjen keq për këtë gjë, sepse unë jam shumë tip gazmor në jetën e përditshme qesh gjithë kohës, kurse në ekran, sipas shumë njerëzve, dukem mendje madhe dhe e egër. Marina gjithmonë më thotë që ta përcjell këtë energji dhe hare edhe në ekran.

Më thuaj një moment kur nuk të ka pëlqyer vetja në ekran?
Vetja ime nuk më pëlqen asnjëherë në ekran. Gjithnjë kërkoj më të mirën. Pas çdo daljeje, them: “Herës tjetër do të dal më mirë”. Ka shumë raste kur nuk më ka pëlqyer vetja. Janë kaq shumë sa më mirë të më kishit pyetur kur ka qenë hera që të ka pëlqyer vetja në ekran. 

Mirë, atëherë kur të ka pëlqyer vetja në ekran?
Nuk po flas nga pamja fizike, se kjo është në dorë të artistëve të flokëve, make up-it dhe stilistes. Vetja në ekran më ka pëlqyer natën finale në “Top Fest”. Nuk përjetova emocione. Megjithëse në përgjithësi nuk kam emocione në ekran, atë natë, që ishte shumë e madhe, e pata këtë frikë. Duke qenë diçka aq madhështore, frikësohesha se do të gaboja diku. Por nuk gabova. Atë natë më pëlqeu vetja jashtë mase, sepse e çova deri në fund punën time.

Ke ndier xhelozinë e të tjerëve kur u zgjodhe moderatore e një eventi aq të rëndësishëm?
Është diçka që mund të mos besohet kur e them,por unë jam tip që nuk i shoh xhelozitë. Ndodh ngaqë as unë nuk i shoh kolegët me xhelozi. Mund të ketë pasur komente negative ndaj meje, por unë isha aq e lumtur me veten time, saqë nuk kisha sy të shihja xhelozitë e të tjerëve.

A jeni vërtet kaq mikesha me moderatoret e tjera?
Nuk e di nëse krijohet ky impakt te publiku që na sheh. I vlerësoj shumë si Xhemin, edhe Albanën. Kanë më shumë vite eksperiencë, i vlerësoj për faktin që bëjmë të njëjtën gjë. Nuk jemi mikesha të pandara, por ajo që përcillet në ekran është e vërtetë. Siç qeshim atje, qeshim edhe pas kuintave. Është e vërtetë që pas pune mund të pimë edhe ndonjë kafe me koleget dhe ia kalojmë mirë. Po rmikesha ime e vërtetë, me të cilën vetëm gjumi më ndan, është Marina dhe vetëm Marina.

Ti u fute në Top Channel pasi fitove konkursin si velinë. E parashikoje të ndërtoje një karrierë televizive si moderator?
Jo, të them të drejtën, hyra pa pasur mendjen se dotë bëja karrierë. Unë u shfaqa si velinë e “Fiks Fare”në moshën 16-vjeçare. Në këtë moshë, nuk arrin dot të bësh plane afatgjata apo serioze për karrierën. Pastaj, vitin e dytë të punës si velinë, kur bashkë me Marinën e pamë si funksiononte televizioni, e kuptova që do të kisha vazhdimësi.

Çfarë cilësish beson se të kanë ndihmuar të bësh karrierë në televizion?
S’e di… Unë besoj shumë në Zot dhe besoj se ndihma më e madhe më ka ardhur vetëm nga Zoti. Më kanë ardhur gjërat në mënyrë aq të çuditshme,sa them: “Vetëm Zoti më ka ndihmuar në gjithçka kam arritur në jetë”.

Po fakti që je femër e bukur sa ndihmon?
Unë nuk e quaj veten të bukur. Jam njeri normal: unë kam diçka, një femër tjetër ka diçka tjetër. Për mua nuk ka femra të shëmtuara. Pamja fizike është një armë, por eksperienca botërore ka treguar që personazhe televizivë të suksesshëm nuk duhet të jenë domosdoshmërisht të bukur. Bukuria ndihmon për të qenë velinë, modele, por nuk është armë e fortë për të qëndruar gjatë në televizion. Ndaj nuk e përmend fare, sepse për të arritur këtu ku jam, unë nuk kam luftuar me pamjen time të jashtme.

Më përmende personazhe televizivë të huaj. I referohesh ndonjërit a ndonjërës në punën tënde?
Të them të drejtën, unë shoh formate televizive të ndryshëm nga stacione televizive të huaja, sepse e tillë është puna ime. Por nuk kam ndonjë personalitet televiziv të huaj prej të cilit frymëzohem në veçanti apo të cilin mundohem ta imitoj. 

Duke qenë se je personazh publik, kam përshtypjen se shpesh në publik duhet të kontrollohesh. A nuk është e lodhshme kjo pjesë?
Unë nuk kontrollohem, sepse nuk dal shpesh në publik. Nuk dal as darkave, por edhe sa rrallë dal, po aq rrallë mund të më shohin njerëzit. Por nuk mendoj të kontrollohem. Nuk është e lodhshme, sepse jam thjesht vetvetja. 

Sa qejf është të jesh vetja jote...! (Qesh).
Po, po, jam rehat. Kjo ndodh edhe ngaqë dal me motrat dhe shoqërinë. Daljet e mia nuk janë me Adrianin, që të kontrollohem.

Përmende Adrianin. Të ka bezdisur media me thashethemet mbi lidhjen tënde?
Nuk më bezdis media, por ndonjëherë dalin lajme e shkrime të ndryshme, që më shqetësojnë. Kurrë nuk do të doja të isha pjesë e gazetave për jetën time private. E kam kompleks, mendoj se është diçka vetëm e imja. Unë jam person i hapur, por përderisa quhet jetë private, do të thotë që ka diçka përse quhet e tillë. Unë nuk dal nëpër gazeta të përgënjeshtroj lajme, sepse e di shumë mirë se si funksionojnë ato. Nëse nis e del të thuash jo jam e lidhur, jo jam e ndarë, nuk ke bërë gjë tjetër vetëm i ke dhënë një shans të dytë gazetës të merret me ty. Mua nuk më pëlqen kjo pjesë. Unë e kam një histori të bukur me personin tim dhe ai me mua dhe nuk dua të përfshijmë persona të tretë, të katërt, të pestë e më shumë në këtë marrëdhënie.

Po disa avantazhe duhet të ketë të qenit personazh publik…
Ka avantazhe, siç ka edhe disavantazhe. Avantazh është që të jep një jetë më të mirë.

Një jetë më të mirë në ç’kuptim?
Një punë që është e bukur, një jetë që fokusohet në punën, në media, në gazeta. Nuk ka gjë më të bukur se të jesh në kontakt me publikun. Plus, një gjë e mirë tjetër është ana e mirë financiare. Unë pata pavarësi ekonomike që në moshën 16-vjeçare.

Luana, ti je një personazh që ke lindur dhe je krijuar në Top Channel. Po sikur nesër të mos punoje për këtë televizion, a mendon se do të jesh po ky personazh televiziv që ke krijuar?
Është e vërtetë që Top Channel-i më ka krijuar si personazh dhe kjo gjë do të mbetet pjesë e TopChannel-it. Por, gjithsesi, jashtë këtij televizioni, unë kam pasur edhe ëndrra të tjera në jetë. Kam edhe ëndrra që nuk lidhen përjetësisht me Top Channelin, por, nëse ndodh që ndahem, nuk do të doja absolutisht të punoja në një televizion tjetër, por patjetër që do ta gjeja veten në një ëndërr tjetër.

Çfarë ishte kjo ëndrra?
Nuk ta thashë. (Qesh).