
Gjatë rrugës për të shkuar në sallonin e Suelës, ku vajzat po bëheshin gati për fotot e kopertinës, vrisja mendjen sesi do të shkonte kjo intervistë. Argjentina, Anxhelina dhe Beatrixa janë bërë pjesë e showbiz-it një vit më parë, kohë mjaft e shkurtër për të seleksionuar informacionin e nevojshëm, që të ndihmon të bësh një shkrim interesant. Kanë realizuar pak klipe dhe janë shfaqur në festivale të muzikës shqiptare jo më shumë se një herë. Përsëri shumë pak për të analizuar karrierën e tyre profesionale! Sa për marrëdhëniet e tyre me median, është kujdesur Albërie Hadërgjonaj, e cila duke pasur shumë vite përvojë, ka ditur t’i mbrojë dhe t’i ekspozojë aq sa duhet. Për këtë arsye, tre kushërirat kanë një imazh të pastër publik. “Gazetarët e dinë mirë ç’do të thotë të merresh me Albërie Hadërgjonajn, ndaj nuk ‘gërricen’ me ne”, thonë gjatë intervistës.
Por më shumë se gjithçka, për të realizuar një intervistë të mirë, të kufizon mosha e tyre e re (Më e madhja prej të triave është Argjentina, 21 vjeçe, më e vogla Beatrixa është 16 vjeçe, Anxhelina është 18 vjeçe). Me to nuk mund të guxosh të bësh biseda mbi seksin për të rritur lexueshmërinë, siç është bërë zakon me disa personazhe të tipit Bleona Qerreti apo Robert Aliaj. As filozofi mbi jetën nuk bën dot me tre personazhe, mosha e re e të cilave ua kufizon përvojat jetësore dhe rrjedhimisht përgjigjet e tyre vështirë se prekin një rrafsh filozofik, ku çdo lexues i rritur do të mund të gjente veten apo këshilla me vlerë për jetën. Duke vrarë mendjen për natyrën e intervistës, kam arritur në sallonin e Suelës, artistes së flokëve dhe make up-it, e cila ka filluar punën me vajzat që në orën nëntë të mëngjesit. Më shfaqen të tria me bigudi në kokë.
Janë edhe më të vogla e më të brishta nga ç’duken në televizor. Biguditë u japin pamjen e adoleshenteve, që për mbrëmjen e parë serioze në shkollë kërkojnë modele klasike flokësh, që i rrisin me zor në moshë dhe i bëjnë të duken qesharake. Më afrohen për të më përshëndetur dhe vërej se janë çuditshëm të ngjashme me njëra-tjetrën. Çuditshëm, sepse fizikisht nuk kanë ndonjë ngjashmëri të jashtëzakonshme përveç flokëve të gjatë e të shëndetshëm, mesa duket, tipar i fortë, i trashëguar në familje. Pjesë e trashëgimisë familjare është edhe mënyra sesi janë rritur, edukuar dhe formuar, duke ndarë të njëjtin sistem vlerash dhe morali, të njëjtat pasione dhe talente. Këto janë gjërat që i bëjnë aq shumë të ngjashme edhe në mënyrën sesi kanë krijuar imazhin, si personazhe publikë. Kanë sjellë performanca të bukura në klipe apo festivale, por jo të ekzagjeruara. Nuk kanë qenë agresive në showbiz për të fituar famë të shpejtë e prapëseprapë u bënë shumë shpejt të famshme, jo vetëm prej talentit dhe pamjes së bukur, por edhe për shkak të lidhjeve me këngëtaren Albërie Hadërgjonaj (e cila është edhe udhërrëfyesja e tyre kryesore në karrierë). Në këtë mënyrë, afria mes tyre i përket një tërësie cilësish jo fizike, por që janë manifestim i qartë i zinxhirit gjenetik që ekziston në mënyrë të pavullnetshme te secila. Lidhja e fortë e gjakut, që ekziston mes të triave, e ushqyer me dashuri të madhe nga familjet e tyre, më ndihmoi për të realizuar edhe këtë intervistë. Në të vërtetë, kjo është një bisedë e lezetshme mes tre kushërirash, të cilat, duke qenë se janë rritur bashkë, ia njohin të gjitha sekretet njëra-tjetrës dhe i rrëfejnë të gjitha… sikur unë të mos isha fare aty.
Ta ndajmë edhe njëherë punën e lidhjeve tuaja të gjakut?
Anxhelina: Mami im, Albërie Hadërgjonaj, ka vëlla babanë e Argjentinës dhe motër mamanë e Beatrixës.
Po ndonjë kushërirë tjetër që pritet të shpërthejë, si ju, keni?
(Qeshin të tria) Anxhelina: Jo, por quhet nëse themi se kemi një kushëri? Vëllai i Beatrixës ka qejf të këndojë.
Beatrixa: Po, është e vërtetë. Vëllai im ka shumë dëshirë të ndjekë rrugën e muzikës. Për këtë arsye konkurroi këtë vit në lice për kanto, ku mori pikët maksimale.
Po ai kaq i bukur sa ju është?
Të tria: Është edhe më i mirë. Është biond me sy jeshil dhe shumë i gjatë.
Argjentina: Në fakt, duket edhe më i madh për moshën që ka.
Anxhelina: Po, është 15 vjeç, por duket sikur të ishte 19 vjeç
Brenda shumë pak kohësh – mund të jetë një vit – jeni shndërruar në ikonat e reja të muzikës moderne shqiptare? Çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe? Përse nuk jeni shfaqur edhe në aktivitete të tjera kulturore për fëmijë?
Anxhelina: Unë kam marrë pjesë te “Gjeniu i vogël” kur kam qenë 10 vjeç. Pas “Gjeniut”, realizuam bashkë me mamin një këngë. Gjithashtu, kam kënduar në ceremoninë e promovimit të albumit të mamit dhe kam marrë pjesë në aktivitete artistike me shkollën. Mami priti derisa të bëhesha 17 vjeçe, sepse mendoi se ishte koha e duhur dhe unë isha gati për t’u lançuar në tregun muzikor shqiptar. Kështu, realizova klipin tim të parë që më lançoi dhe më pas mora pjesë në “Top Fest”.
Argjentina: Unë nuk kam marrë pjesë nëpër festivale apo aktivitete të tjera kulturore, përveçse atyre që organizonte shkolla.
Beatrixa: Kushërirat u bënë shtysa kryesore që të filloja edhe unë karrierën si këngëtare. U njohën ato në fillim, rrjedhimisht unë e kisha rrugën e shtruar. Pas suksesit të Xhinës (Anxhelinës) dhe Tinës (Argjentinës), njerëzit prisnin me kureshtje nëse do të kishte një prurje tjetër nga fisi i Albërie Hadërgjonajt. Ndaj më njohën dhe më pritën me entuziazëm të madh, sapo zbuluan që u shfaq edhe një tjetër nga fisi i saj.
Kjo do të thotë që nuk keni shumë kujtime nga skena festivalesh si fëmijë. Por duke qenë se keni pasur dy këngëtarë në fis, mamanë e Anxhelinës dhe babanë e Argjentinës, a këndonit nëpër festa apo gëzime të tjera familjare?
Të tria, duke qeshur: Ah, ta dish sa shumë!
Anxhelina: Kur shkonim me pushime në Kosovë, shpesh na iknin dritat dhe kjo ishte koha kur mblidheshim të gjithë dhe fillonim të këndonim. Vetëm Argjentina e kishte të zorshme të këndonte, sepse bëhej me turp. I luteshim të këndonte me ne, por ajo fshihej prapa derës. E detyronim, derisa ia fillonte të këndonte nga aty prapa (qesh).
Beatrixa: Ju kujtohet kur organizonim minikoncerte në shtëpi? Vishnim rrobat e Albëries dhe fillonim të imitonim këngëtare. Shikonim klipet e tyre dhe i imitonim të gjitha lëvizjet. Tekstet e këngëve i dinim përmendsh.
Anxhelina: Më shumë nga të gjitha kishim qejf të bëheshim si Adelina Ismajli. Ajo sapo kishte nxjerrë një klip. Një klip jo kushedi se çfarë, siç realizoheshin në atë kohë, por për ne ishte maksimumi…
Beatrixa: …dhe, kur te klipi i Adelinës shfaqeshin meshkuj, ne merrnim vëllanë tim. Ai ishte shumë i vogël, por e detyronim të shkretin të luante rolin deri në fund. (E ndërpresin bisedën duke qeshur me njëra-tjetrën).
Anxhelina: Edhe i kemi filmuar.
Meqë iu futët kujtimeve, atëherë më nxirrni ndonjë gjë tjetër që, kur e kujtoni, ju bën për të qeshur?
Anxhelina: Të vogla, e kishim zakon t’ia merrnim rrobat njëra-tjetrës, sepse gjithmonë na dukeshin më të mira, prandaj prindërit filluan të na i blinin njësoj. Nuk kishin rrugëzgjidhje tjetër për të shmangur përplasjet.
Përplasjet? Ziheshit për rroba?
Argjentina (qesh): Kisha një fustan, që e adhuroja. Ishte një prerje si fustanet e kukullave Barbie, si fustani i Hirushes. Mirëpo sa herë vinte Trixa (Beatrixa) në shtëpinë time, ma merrte dhe ma vishte, ndaj unë detyrohesha ta fshihja kur vinte ajo. Mirëpo erdhi një ditë, ma gjeti, e veshi dhe nuk kishte njeri që mund t’ia hiqte nga trupi. Fillova të qaja me të madhe që të ma kthente, por e kisha të kotë, sepse asgjë dhe asnjë nuk e bënte të ndryshonte mendje. Madje e mbajti veshur edhe në gjumë, sepse kishte frikë se mos ia merrja natën.
Anxhelina: Po flokët e mbani mend si na i kapnin? (Shpërthejnë në gaz të tria). Flokët na i kapnin bisht në majë të kokës dhe pastaj na e shpupurisnin si shatërvan. Ose na vishnin gjoja në mënyrë moderne. Megjithëse ishim të vogla në moshë, shikonim klipet e grupit “Spice Girls” dhe donim të visheshim si ato. Veç të na shikoje! Ca bebe të veshura me streçe, me bluza me ngjyra dhe me barkun jashtë, sepse ashtu ishte moda në atë kohë.
Argjentina: Pushimet verore, vajzat i kalonin në shtëpinë time në Holandë. Gjatë një viti, unë dhe Xhina, që ishim më të mëdha, kishim blerë ca tatuazhe, që i ngjitëm në krah. Beatrixa ishte fare e vogël, pothuajse bebe, por na rrinte gjithë ditën nga pas dhe kërkonte t’i bënte gjërat njësoj si ne, ndaj ia ngjitëm një tatuazh edhe asaj...
Anxhelina: …kur pastaj u kthyem në shtëpi, mamatë tona u alarmuan nga ajo që panë. Ç’kemi hequr nga të sharat e tyre! Na i fërkuan krahët me sfungjer të fortë, që përdoren për të larë enët, në mënyrë që të na i zhduknin, por shenjat e fundit të tatuazhit mezi na dolën disa ditë më vonë.
Argjentina: (E ndërpret bisedën duke qeshur). Po Trixa, që kishte frikë nga grupi “Prodigy”! Në ato vite ishte shumë në modë ai grup, por Trixa dridhej nga frika sapo shfaqej në televizor kënga “Firestarter”. Mendje fëmije! Kushedi si i dukeshin!
Beatrixa: Sapo i dëgjoja, shkoja me vrap në dhomë dhe mbyllja derën nga frika. Argjentina: Kurse ne, sa herë donim ta trembnim, i thoshim: “Trixa, mos bëj kështu se ta thirra “Starter”. Kështu ia kishte fiksuar emrin.
Argjentina, vinin shpesh kushërirat të vizitonin në Holandë?
Po, pothuajse të gjitha sezonet verore i kalonim bashkë. Sepse edhe Trixa ka lindur dhe ka jetuar disa vjet në Holandë.
Beatrixa: Pastaj, disa vite jetova në Gjermani e pastaj në Shqipëri, ku jetoj edhe tani.
Argjentina: Çfarë kujtojmë më me shumë mall nga ato vite janë edhe frikandellat, një lloj gatimi që nuk e bën asnjë vend tjetër. Është një si lloj salsiçeje e madhe, por e gatuar me disa lloje mishi e mbushur me qepë, curry, catch up.
Të tria: Oh, sa të mira që janë! Këtu nuk i gjen dot, vetëm në Holandë i bëjnë!
Anxhelina: Holanda është një vend shumë i qetë dhe aty kemi kujtime të bukura nga fëmijëria. Fare pranë shtëpisë sonë ka qenë një dyqan me pata. Ne i ushqenim shpesh, iu hidhnim bukë. Ndonjëherë merrnim me vete edhe vëllanë e vogël të Beatrixës, i cili në atë kohë nuk ka qenë më shumë se dy ose tre vjeç dhe na shikonte që iu hidhnim bukë patave dhe iu hidhte edhe ai. Por ishte fëmijë dhe nuk i kuptonte mirë gjërat. Ndonjëherë, bukën që ua hidhte patave, e merrte dhe e hante përsëri vetë. Patat njëherë ia morën bukën nga duart, duke e kafshuar. E pastaj e ndiqnin nga pas që t’ia merrnin edhe bukën e mbetur. Nuk ka pasur skenë më të bukur sesa të shihje patat që vraponin pas tij!
Trixa: Sa foto dhe sa kujtime kemi! Por edhe shumë filmime dhe foto janë djegur gjatë luftës në Kosovë, të tjerat na kanë mbetur në Holandë. Kemi disa filmime ku kemi veshur rrobat e Albëries dhe bënim gjoja koncerte. Kurse nëna na ruante se mos vinte Albëria dhe na shihte me rrobat e saj.
Argjentina: Por kjo duhet të ketë qenë pas luftës, sepse kohën më të madhe të luftës në Kosovë e kemi kaluar në Holandë.
Përmendët luftën dhe doja të dilja vetë në këtë pikë. Shumë shqiptarë të Kosovës e kanë përjetuar shumë keq këtë periudhë. Po në familjen tuaj si është përjetuar?
Argjentina: Prindërit e mi janë treguar shumë të kujdesshëm të mos më përfshijnë në dhimbjen e tyre dhe të të gjithë popullit kosovar. Nuk më linin të shihja televizor dhe të kuptoja çfarë po ndodhte, ndaj nuk mund të them se e kam ndier shumë këtë gjë.
Trixa: Unë kam qenë shumë e vogël për të kuptuar shumë gjëra. Në atë kohë kam jetuar në Holandë, në Kosovë u ktheva kur isha 6 vjeçe dhe vetëm pastaj e kuptova çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.
Me çfarë po kuptoj nga kjo bisedë, ju jeni kushërira shoqe…
Të tria: Ne jemi më shumë se motra. Por, pa diskutim, jemi edhe shoqe.
Argjentina: I ndiej më të afërta se motra. Nuk ka gjë që nuk ia themi njëra-tjetrës.
Anxhelina: Edhe kur na shpëton ndonjë gjë, rrimë gjatë gjithë kohës duke folur në telefon, në Facebook dhe është njësoj sikur të kemi qenë bashkë.
Me çfarë epitetesh ju njohin në fis?
Anxhelina: Argjentina është vajza e mbarë e fisit, sepse gjithmonë është shumë e qetë. Nuk ta prish qejfin për asgjë, është shumë e drejtë. Është nga ajo kategori njerëzish që të thotë gjithmonë të vërtetën, edhe atëherë kur ka diçka që nuk i pëlqen ta thotë hapur, por edhe në këto raste është shumë e vështirë të mërzitesh me të, sepse gjen mënyrën më të ëmbël të mundshme për të ta thënë. Trixa është… hmm (mendohet pak) është e urtë, por ka raste që edhe e prish. Në këto momente çuditesh, sepse nuk e kupton nga i erdhi.
Beatrixa: Po prandaj jam shenja e Binjakëve unë. Sepse e ndryshoj shpesh humorin dhe gjendjen emocionale.
Argjentina: Trixën e mbajmë si të voglën e fisit, e ruajmë, e mbrojmë…
Keni pasur raste kur iu është dashur të mbroni njëra tjetrën?
Anxhelina: Po. Ka pasur plot raste. Por janë kaq shumë, sa nuk i mbaj mend.
Argjentina: Një rast po ta kujtoj unë. Ka qenë në festivalin “Kënga Magjike”. Disa këngëtarë u mërzitën me vlerësimin maksimal që i dhashë Beatrixës. Menduan se, duke qenë kushërira, mbështetëm njëra-tjetrën me pikë maksimale, që është pjesërisht e vërtetë. Por, në radhë të parë, mua më pëlqeu kënga e Beatrixës dhe, përderisa vota ishte personale, nuk kisha pse t’i jepja askujt llogari se kujt do t’i jepja më shumë pikë. Trixa më votoi mua maksimalisht. Përse unë të mos e votoja atë?
Anxhelina: Argjentina nuk i njeh këngëtarët shqiptare. Për këtë arsye, unë e ndihmova që gjatë vlerësimit t’i kushtonte rëndësi disa emrave të njohur dhe t’i merrte në konsideratë për t’i dhënë një vlerësim të mirë.
Argjentina: Për shembull, këngëtarin e njohur Pirro Çako unë e njihja shumë pak. Nuk ia njihja repertorin, nuk ia njihja reputacionin si një prej këngëtarëve më të mirë të muzikës së lehtë shqiptarë, ndaj Anxhelina më tha ta vlerësoj më shumë këngën e tij.
Anxhelina: Në Shqipëri kështu funksionojnë gjërat. Nuk mund të dalësh kundër rrymës, sepse njerëzit të marrin shpejt inat. Siç ndodhi me disa këngëtarë në festivalin e sivjetshëm “Kënga Magjike”, që filluan të sulmonin Argjentinën e për këtë arsye unë dola dhe e mbështeta.
Trixa: Njerëzit të sulmojnë edhe atëherë kur nuk u takon. Siç ishte rasti i Argjentinës. Vota është e lirë. Përse duhet t’u jepte llogari Argjentina të tjerëve për votën e saj?!
Ju prej shumë pak kohësh jeni bërë pjesë showbiz-it shqiptar, por me siguri që keni ndeshur në fenomene që nuk ju pëlqejnë. Çfarë nuk ju pëlqen më shumë nga ky rreth social?
Argjentina: Ka shumë mashtrues, gënjeshtarë, njerëz jokorrektë. Mua më ka ndodhur që të ftohem në një emision televiziv. Më morën në telefon dhe më kërkuan me ngulm të vija nga Kosova për të marrë pjesë në një spektakël në një televizion të madh. Erdha nga Kosova me shpenzimet e mia, u grimova, u vesha, u përgatita seriozisht për të dalë në këtë emision. Si përfundim, nuk dola kurrë.
Dhe cili ishte justifikimi i producentëve për këtë gjë?
Argjentina: Më thanë se u shkurtua emisioni për shkak të transmetimit të një programi tjetër sportiv. Kjo është diçka që më la një shije të keqe dhe, sinqerisht, incidente të tilla të bëjnë të mendohesh dy herë nëse duhet apo jo të vazhdoj këtë rrugë.
Anxhelina: Ka shumë fenomene negative, ndoshta edhe që nuk kanë shumë rëndësi, por që të prekin.
Beatrixa: Për shembull, komentet negative të bëjnë të ndihesh shumë keq. Anxhelina:Unë vetëm në fillim e pata problem këtë pjesë. Kishte njerëz që më pritën negativisht që në fillim. Kur lançova klipin e parë “Kopje pa kuptim”, për t’iu përshtatur fabulës së këngës, ku ironizohen këngëtaret, të cilat imitojnë në klipe, në veshje, në performanca, divat botërore, m’u duk me vend që në disa pjesë të klipit të shfaqja skena klipesh që janë të kopjuara nga skena klipesh të këngëtareve të huaja. Njerëzit, mesa duket, nuk e kanë kuptuar këtë mesazh dhe shkruanin: “Kjo që këndon ‘kopje pa kuptim’ në të vërtetë kopjon për vete… Hello! E kam thënë vetë këtë gjë në klip. Por ajo që më ka vrarë më shumë ishte kur më kategorizonin te këngëtaret e bukura dhe pa vokal. Për këtë arsye konkurrova në “Top Fest”, ku të gjitha këngët u performuan live. Dhe, meqë ra fjala, u vlerësova me çmimin “Best New Artist”.
Është e vërtetë. Me performancën live në “Top Fest” ua ke treguar vendin shumë njerëzve. Besoj duhet të ndihesh mirë për këtë gjë.
Çfarë the? Përsëri e gjetën një shteg për të shkruar negativisht. Kësaj radhe shkruanin: “Këndoi live, por shumë keq ama”. Dakord! Nuk jam kundër kritikave në media, por gazetarët, para se të shkruajnë, duhet edhe të dëgjojnë.
Argjentina: Por një gjë është e sigurt. Gjithmonë do të ketë njerëz që do të shkruajnë keq, pavarësisht asaj që bën.
Xhina: Por në përgjithësi media na ka mbështetur deri tani. Ka pasur ndonjë gazetar që ka komentuar negativisht veshjen time në “Top Fest”, por nuk kanë qenë njerëz që vijnë nga fusha e modës, ndaj nuk u kushtova fare rëndësi. Pastaj, ç’them edhe unë?! “Nuk vijnë nga fusha e modës”?! Ti shohësh këta njerëz sa keq vishen vetë, të vjen për të qeshur që gjejnë guximin dhe bëjnë komente për veshjet.
Beatrixa: Nuk na pëlqen as korrektësia e bashkëpunëtorëve, orkestruesit, kompozitorët, tekstshkruesit, regjisorët e klipeve, njerëzit që merren me veshjet... tregohen jokorrektë.
Jokorrektë? A mund të më jepni një shembull më konkret?
Beatrixa: Kur realizova klipin e parë, ka pasur shumë vonesa nga bashkëpunëtorët e klipit.
Anxhelina: Të thonë do ta marrësh këngën nesër ose pasnesër dhe pastaj ta vonojnë shumë kohë. Janë shumë të paktë ata që janë korrektë.
Argjentina: Unë kam qëlluar me fat. Kam bashkëpunuar me njerëz korrektë. Kam bashkëpunuar me Enis Preshevën…
Anxhelina: Në fakt ai është më korrekt seç duhet, sepse respekton jo vetëm ditën e takimit, por orën e madje edhe minutën.
Kur keni filluar këtë punë… si fillim, dua të di a e konsideroni si punë?
Anxhelina: Unë jo, nuk e konsideroj si punë, sepse nuk pres të më kthehet në profesion që më siguron të ardhura. E bëj sepse më pëlqen dhe e di që kam talent. Unë nuk do të doja kurrë të kisha një jetë si të këngëtareve në Shqipëri. Nuk më pëlqen të dal në skenë e zhveshur për të kënaqur një publik meshkujsh e për të dhënë koncerte në pijetore. Këtu në Shqipëri duket sikur këngëtaret shesin imazhin dhe jo aftësitë e tyre për të kënduar. Unë, për këtë arsye, po largohem nga Shqipëria për të studiuar jashtë shtetit dhe për të parë nëse më krijohet ndonjë mundësi për të vazhduar karrierën në Amerikë. Nëse aty do të më ecë, atëherë do të më pëlqente të ndërtoja një karrierë si këngëtare; nëse jo, atëherë do të vazhdoja jetën duke bërë një profesion tjetër. Mund të rikthehesha e të shfaqesha në Shqipëri duke realizuar ndonjë klip apo duke marrë pjesë në një festival kombëtar, por asnjëherë nuk do të bëhesha pjesë aktive e showbiz-it apo të organizoja koncerte në night club-e, siç bëjnë pjesa më e madhe e këngëtareve shqiptare sot.
Por të bësh klipe e të këndosh vetëm për qejf ka kosto, të cilën mund ta marrësh mbrapsht vetëm nëpërmjet koncerteve.
Anxhelina: Këtë po them edhe unë. Nëse nuk kam një të ardhme në muzikë jashtë shtetit, nuk do ta vazhdoj si profesion në Shqipëri.
Beatrixa: Kurse unë studioj në vit të tretë të liceut për kanto dhe, përderisa i jam futur kësaj rruge, do të thotë që do të vazhdoj. Unë jam natyrë ndryshe nga Xhina. Do ta vazhdoj këtë gjë në Shqipëri, sepse më pëlqen të jem pjesë e botës së artit. Mos ndoshta bëhet fjalë për një pasion të moshës?
Beatrixa: Jo, e kam ndarë mendjen. Kjo është rruga ime. Më vonë do të konkurroj për Regji ose Aktrim në Akademinë e Arteve, gjë që do të thotë që jam mëse e bindur për drejtimin që kam marrë.
Edhe pse qarkullojnë plot komente negative në lidhje me vokalin tënd?
Beatrixa: Kam lexuar edhe unë disa komente negative. Para pak kohësh, hodha në Youtube një video, ku këndoja në një event artistik të organizuar nga liceu artistik dhe Akademia e Arteve. Unë isha e vetmja nga vitet e para që këndoja me nxënës të viteve të tretë dhe të katërt dhe për këtë arsye ndihesha krenare. Këndoja në një skenë të madhe siç është Teatri i Operës dhe Baletit dhe këndoja muzikë klasike. E bëra këtë për të treguar se mësuesit më vlerësuan duke më zgjedhur mua, por përsëri në Youtube nuk munguan komentet negative.
E keni menduar ndonjëherë që pamja e jashtme, në vend t’ju ndreqë, ju prish më shumë punë?
Të tria: Po, e mendojmë shumë.
Anxhelina: Kjo ndodh sepse shqiptarët asnjëherë nuk vlerësojnë siç duhet, por paragjykojnë. Duke qenë se shumica e këngëtareve të bukura në Shqipëri nuk kanë vokal, mendohet se gjithmonë do të jetë kështu. Por ja ku është Beyonce, diva e muzikës pop. Ka një vokal potent dhe është vlerësuar si një nga femrat më të bukura të planetit.
Po ti Argjentina, si e sheh muzikën, si pasion apo si profesion?
Argjentina: Unë, siç ju thashë më lart, kam lindur dhe jam rritur në Holandë. Prej një viti jam kthyer për të jetuar bashkë me të fejuarin në Prizren. E bëra këtë ndryshim në jetën time për të vazhduar karrierën time si këngëtare.
Anxhelina: Kur ka qenë e vogël, Argjentina ka qenë më e turpshmja nga ne të tria. Gjithmonë i kemi thënë që këndon bukur, por asnjëherë nuk ka dashur të këndojë para njerëzve, derisa një ditë të bukur vjen në Tiranë dhe na thotë “Kam një surprizë për ju” .
Argjentina: Ngaqë erdha me të fejuarin, më pyetën: “Mos je shtatzënë?”.
Beatrixa: Nuk na shkonte mendja çfarë ishte kjo surprizë kaq e madhe, sepse nuk kishte njeri në botë t’ia mbushte mendjen të bëhej këngëtare.
Si t’u mbush mendja më në fund?
Argjentina: E kam ditur që kam zë. Por ka qenë i fejuari që më mbushi mendjen të provoja seriozisht të merresha me muzikë. Kur fillova të bashkëjetoja dy vjet më parë me të, këndoja shpesh nëpër shtëpi dhe një ditë ai më tha: “Përse nuk e provon njëherë?! Nëse nuk të pëlqen, atëherë e lë fare atë punë. Nuk ke asgjë për të humbur”. Ai ishte nxitësi kryesor. Kështu, në të njëjtën kohë, u takova me dy kompozitorë: Enis Preshevën dhe Flori Mumajesin, materialet e të cilëve i njihja dhe më kishin pëlqyer. Në të njëjtën kohë, realizova një këngë me Florin dhe një këngë me Enisin, por kënga e Florit “Shpirt i mbytur” doli në fillim dhe pati shumë sukses. Pastaj realizova klipin e këngës së Enisit “Tip”, e cila edhe kjo pati shumë sukses. Gjithçka tjetër ndodhi shumë shpejt. Suksesi ishte shumë i shpejtë.
Shumë këngëtare të mëdha e kanë gjetur veten si në kurth brenda një profesioni të tillë. Kanë arritur majat e suksesit dhe pastaj kanë renë pre e famës, drogës, ezaurimeve nervore etj. Keni frikë se një ditë mund të bëheni viktima të profesionit?
Argjentina: Është e vërtetë. Mund të bësh ndonjë gabim shumë të vogël, që mund të bëjë dëm të madh në karrierë. Për shembull, karriera e një artisteje është shkatërruar pasi i ka dalë një video skandal…
Për këtë e kisha fjalën. Ju keni frikë nga këto gjëra?
Të tria: Tani për tani jo. Argjentina: Unë kam karakter të fortë dhe nuk më trembin të tilla gjëra, pastaj kam një familje që më mbështet dhe jam e sigurt për gjithçka që bëj.
Beatrixa: Unë nuk jam tipi që mund të bie pre e skandaleve të drogës, seksit apo të ezaurimeve nervore. E njoh sensin e masës dhe nuk e teproj kurrë.
Anxhelina: Unë nuk ia kam frikën skandaleve apo problemeve mendore, të cilat mund të më shkatërrojnë karrierën, së pari, sepse nuk e konsideroj karrierë, ndaj nuk ka çfarë të më shkatërrohet. Së dyti, nuk bëj një jetë prej këngëtareje. Nuk shkoj të këndoj në klube nate, rrjedhimisht jam larg rretheve të tilla, ku mund të bie pre e alkoolit, e drogës apo e argëtimeve të shthurura.
Si ndryshoi jeta juaj pasi u bëtë të famshme?
Argjentina: Fama më ka sjellë ndryshime pozitive. Sigurisht, ka gjëra që më mungojnë nga jeta e mëparshme. Për shembull, më mungojnë ditët kur dilja e shkujdesur nga shtëpia. Tani nuk dal dot e parregulluar, e patrukuar.
Beatrixa: Tani tregohemi shumë të kujdesshme me jetën tonë private, tregohemi të kujdesshme kur shkojmë nëpër festa, sepse sapo të fotografojnë pranë një mashkulli, të nesërmen lexon në gazetë që e ke të dashur.
Megjithatë, duke qenë në këtë fushë, unë e kam vënë re që gazetarët ende nuk kanë filluar të jenë agresivë me ju të tria.
Argjentina: Sepse nuk kanë shumë material prej nesh.
Anxhelina: Por edhe po të kishin material, nuk besoj se do të tregoheshin kaq negativë, sepse e njohin mamin prej shumë vitesh dhe nuk do të donin të përballeshin me të (qesh).
Beatrixa: Ne mund të dukemi të urta nga pamja, por nëse na bëhet ndonjë padrejtësi, dimë të nxjerrim edhe thonjtë.
Me hovin që ka marrë gazetaria rozë, përhapjen e paparacëve, shpesh krijohen konflikte mes personazheve dhe medias dhe jo gjithmonë është faji i medias për shumë lajme me natyrë rozë apo kritika. Përsëri personazhet shqiptarë janë të prirur të besojnë se për ta duhet të shkruhet vetëm për mirë dhe u vjen keq kur iu publikohet ndonjë lidhje sekrete ose kur kritikohen?
Anxhelina: Kur lajmet janë të vërteta dhe janë marrë nga burime të besueshme apo shoqërohen me foto, atëherë personazhet nuk kanë pse të ndihen keq. Fundja duhet ta marrin përsipër edhe rrezikut e të pasurit ndonjë paparac vërdallë. E kanë zgjedhur vetë të jenë personazhe publikë dhe, për këtë arsye, gjithçka që shkruhet për ta është interesante për publikun. Por në mediat shqiptare abuzohet me lajmet.
Argjentina: Njëherë kanë shkruar për mua dhe Getoarin, duke hamendësuar një flirt, kur unë në të vërtetë nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time dhe ndërkaq jam e fejuar.
Po të mirat e famës cilat janë?
Beatrixa: Mua më kënaqin fansat. Të ndalojnë në rrugë, të bëjnë komplimente, që ta mbushin shpirtin me kënaqësi. Çuditem që për kaq pak kohë kam krijuar kaq shumë fansa. Lidhja me fansat është gjëja më e bukur e famës.
Argjentina: Unë kënaqem kur shoh fansat të këndojnë këngët e mia.
Tani besoj se keni më shumë edhe vëmendjen mashkullore?
Anxhelina: Ne kemi qenë gjithmonë të bukura dhe vëmendja mashkullore nuk na ka munguar asnjëherë.
Cilën mbani më të bukurën e fisit?
Anxhelina: Argjentinën, sepse ajo edhe është marrë me modeling.
Argjentina: Kam marrë pjesë në dy sfilata të Zara Haute Couture, si dhe kam sfiluar për Janice, që është një stiliste e re në Holandë, por shumë e talentuar, e cila ka fituar “Project Catwalk”. Unë kam qenë imazhi i veshjeve të saj për sezonin dimëror të 2009-ës.
Po si konkurrente e shihni njëra-tjetrën?
Të tria: Jo. Absolutisht jo, as që bëhet fjalë!
Argjentina: Dëshira jonë më e madhe është të shohim njëra-tjetrën sa më mirë.
Anxhelina: Ne krenohemi shumë me njëra-tjetrën. Sukseset e vajzave janë edhe të miat dhe dështimet e tyre unë i ndiej si të miat.
Beatrixa: Unë, pa dy kushërirat, ndihem e humbur. Ato më kanë mbështetur gjithmonë, më janë gjendur pranë në momentet më të vështira të jetës sime. Një vit më parë, unë humba babanë dhe vetëm falë tyre mora kurajë për të vazhduar jetën. Si mund t’i shoh si konkurrente?!
Argjentina: Tani që Xhina do të shkojë në Amerikë, unë mezi po pres të shkoj atje ta takoj.
Anxhelina: Por edhe unë do të vij shpesh t’ju takoj. Por do të më duhet të rri edhe atje për t’i shkuar deri në fund qëllimit tim. Por para se ta merrnim këtë vendim, mami më tha: “Ti nuk duhet ta vrasësh mendjen për asgjë, për gjithçka do të mendojmë ne”. Te kjo “gjithçkaja” më siguroi edhe kthimin e shpeshtë në Shqipëri kur të më marrë malli për të afërmit. Por si fillim, do të vijë Tina të më takojë për Krishtlindje.
Argjentina: Nuk e lë dot vetëm Xhinën gjatë Krishtlindjeve, sepse e di që njeriu mërzitet kur i kalon vetëm këto ditë festash. Do të shkoj bashkë me të fejuarin, i cili merr edhe ai ca ditë pushime, por unë do të rri pak më gjatë.
Anxhelina: Unë i them Tinës të rrijë më gjatë, që të shohë të gjejë mundësinë për të krijuar një karrierë si këngëtare në Amerikë.
Argjentina: Në fakt, edhe unë dua të bëj karrierë jashtë Shqipërisë. Kam realizuar një këngë në anglisht, “Roll the Dice”, me të cilën kam bashkëpunuar me producentin e njohur holandez Mitch Crown dhe kënga është e nënshkruar me “Spinning Records”.
Bëhen xhelozë njerëzit për lidhjen e fortë që keni me njëra-tjetrën?
Të tria: Normal.
Argjentina: Rrallë ka kushërira kaq të lidhura sa jemi ne. Ndoshta jemi më të lidhura, sepse bëjmë të njëjtën gjë, kemi të njëjtat interesa në muzikë dhe kjo gjë na lidh edhe më shumë.
Keni miqësi me këngëtaret e tjera?
Të tria: Në përgjithësi shkojmë shumë mirë.
Për Beatrixën kam lexuar në një suplement që është mikeshë e ngushtë me Ronela Hajatin?
Këto lajme krijohen më tepër nga fotot, në të cilat dalim bashkë me këngëtare të tjera. Ne rastisim të jemi me kolege në shumë festa dhe evente të ndryshme, ku na kanë fotografuar dhe megjithëse mund të ketë qenë nga rastet e rralla që kemi dalë me një X këngëtare, gazetat e fryjnë lajmin dhe na bëjnë shoqe të ngushta.
Ju jeni frekuentuese të jetës së natës? Po duhanin, alkoolin e pini?
Anxhelina: Duhanin dhe alkoolin nuk e pi asnjëra prej nesh. Kur dalim, marrim ndonjë koktej, por pa shumë alkool dhe kjo gjë ndodh jo shumë shpesh.
Po raportet me meshkujt si i keni?
Argjentina: Unë prej dy vitesh bashkëjetoj me të fejuarin, i cili është nëntë vjet më i madh se unë dhe punon si menaxher i një firme holandeze për filialin e Kosovës. Njihem me të prej gjashtë vitesh dhe u fejova me të dy vjet më parë.
A nuk mendon se je fejuar në një moshë të vogël?
Po, por nuk mendoj se është diçka që më ka penguar. Në të vërtetë, u fejova për t’iu bërë qejfin njerëzve. Shqiptarët e Kosovës janë pak të prapambetur dhe nuk e pranojnë dot bashkëjetesën mes dy të rinjve nëse nuk lidhen më parë zyrtarisht. Për këtë arsye erdhi edhe fejesa ime e shpejtë: për t’i bërë ballë opinionit.
Po ju dy të tjerat, pse heshtni? Akoma nuk keni gjetur të dashur?
Beatrixa dhe Anxhelina: Jo, akoma.
Si e mendoni të dashurin tuaj?
Anxhelina: Si ta sjellë Zoti. Si të jetë e shkruar.
Por nuk keni ndonjë preferencë? Biond ose brun? Ose t’i ngjajë ndonjë aktori të preferuar? Cilët janë aktorët tuaj të preferuar?
Anxhelina: Mua më pëlqejnë brunët. Më pëlqen Colin Farrell, Johnny Depp. Argjentina: Ah, unë i dua më shumë biondët. Ai Matthew Mcconaughey është shumë i mirë. Biondët janë të ëmbël.
Anxhelina: Të mirë janë, por nuk krahasohen me brunët.
Beatrixa: Mua më pëlqen William Levy. Ai është: O Zot!
Anxhelina: Brunët janë shumë më të mirë se biondët.
Argjentina: Të mirë janë edhe biondët. Nuk po them që janë të shëmtuar brunët, por edhe biondët shumë të mirë janë.
Beatrixa: Mua më pëlqejnë edhe biondët, edhe brunët.
Debati për biondët dhe brunët vazhdoi të paktën për 30 min, derisa u detyrova ta mbyllja këtu këtë intervistë.