Metropolitan

Jonida Vokshi, mes dy Jonidave

Nëse do ta vendosnim Jonida Vokshin në një set filmi, padyshim do të ishte një film teen amerikan. Mund të ishte Cady tek “mean Girls”apo Laney tek “she’s all that”. Jonida do të ishte ajo vajza tërheqëse me tipare të rregullta, e dhënë pas shkollës, shoqja më e mirë e shokëve, pa grim dhe e veshur thjesht, me xhinse dhe atlete, por që papritur një ditë tërheq vëmendjen e të gjithëve me bukurinë dhe buzëqeshjen e saj rrëzëllitëse. Aq sa, kur e pamë tek publiciteti i parë që realizoi me digitalbin, nuk e njohëm. Nuk kishte më pamjen e vajzës sportive e të qeshur të reklamave të supersport-it. Jonida dukej më e rritur, më “glamour”. Por, nëse në karrierën e saj, ajo ka fituar titullin “Queen of the Prom”, sepse ka arritur të bëhet imazhi i Digitalb duke zëvendësuar Xhemi Shehun (prej vitesh e preferuara e platformës), në jetë duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Sapo mbarojnë xhirimet, ajo heq menjëherë grimin, vesh streçet dhe atletet dhe rikthehet në qoshen e rehatshme, siç do ta konsideronim jetën e saj, shumë larg shkëlqimit të famës dhe paparacëve. Jonida nuk dëshiron të dalë shpesh në shtyp apo program televizive, ndaj konsiderojeni këtë intervistë si prezantimin e parë me bukuroshen më të re të ekranit. 

Jonida, mbaj mend që ti ke hyrë në televizion diku nga 2005-a, tek “top Select”, me sa kujtohem,  por ndenje shumë pak dhe u largove. Çfarë ndodhi? 
Vitin që kam qenë në “Select” isha maturante dhe më duhej të vazhdoja studimet e larta. Duhet t’i përkushtohesha regjisë dhe kështu sakrifikova angazhimin në “Select”. E kisha me shumë pasion regjinë dhe doja të isha absolutisht vetëm në shkollë. 

Shkollën e mbarove dhe ja ku je si imazh i Digitalb-it. e le pas Regjinë? 
Jo, përkundrazi. Aktualisht jam duke përzgjedhur një material, më saktë kam përzgjedhur një komedi, që dua ta vendos në skenë. Kam një plan që ta shfaq në prill.

Të pëlqen më mirë të jesh prapa skene apo në ekran?
Ekrani më pëlqen shumë, por nuk e shoh si mënyrë të vetme të shfaqjes sime. Do të më pëlqente të luaja edhe në një shfaqje teatri apo në një film. Meqë përmende filmin, të kemi parë në një film me metrazh të mesëm të Eno Milkanit si protagoniste, së bashku me Amos Zaharia. Pastaj si flutura, një adoleshente në serialin e transmetuar në RTSH “dhimbje e dashurisë”. Por kaq.

Pastaj, duket sikur, siç ndodhi me “Top Select-in”, ndodhi edhe me filmin për ty. U zhduke sërish.
Kam pasur shumë oferta për filma, por disa i kam refuzuar për shkak të skenarit dhe të tjera prej punës që kam pasur dikur në televizionin Klan. Por nuk mund të them që u zhduka, jam ende këtu dhe nuk mendoj se do të heq dorë nga aktrimi.

Të vjen mirë që aktualisht njihesh vetëm si imazh i një kompanie apo do të doje të kishe diçka më shumë në dorë në këtë moment?
Kjo është një gjë që e kam zgjedhur dhe e kam pranuar, por reklamat e Digitalb-it nuk janë spote televizive të thjeshta. Përveçse jam imazh i një platforme shumë të fuqishme dhe dinjitoze, xhirimi i spoteve është argëtim. Gjithmonë i pres me qejf, sepse më pëlqen fakti që ka një lloj skenari, gjendje të ndryshme; të jep shans të aktrosh. 

Në faqen e facebook-ut të “Anabel-it” ke pasur shumë komente pozitive dhe është e qartë që ke fituar një popullaritet. Ti e ndjen këtë famë?
Të them të drejtën, nuk e di ç’do të thotë famë për mua, sepse kur dal, kur ulem në një kafe, nuk shoh rrotull, nuk mendoj të kap ndonjë shikim, por edhe po të mundohesha, jam pak e paaftë në këtë pjesë (qesh). Gjithashtu, siç mund ta kesh vënë re (qesh), kam një ndryshim shumë të madh nga ekrani në jetën e përditshme, sepse nuk përpiqem shumë në veshje apo grim dhe rrjedhimisht njerëzit e kanë më të vështirë për të më njohur.

Por edhe duke qenë këtu me ty, prapë s’të njohim aq mirë. Kjo intervistë është edhe një lloj prezantimi i parë i shumë lexuesve të “Anabel-it” me ty. Ndaj po e vijojmë me një pyetje të thjeshtë: Cila është familja jote? 
Unë jetoj me prindërit dhe kam një vëlla më të vogël. Të gjithë thonë fjalët më të mira për prindërit e tyre nëpër intervista, por unë sinqerisht ndihem me fat që jam vajza e tyre. Jam shumë e lidhur me ta, sidomos me babanë. Me vëllanë, deri përpara dy vitesh ziheshim shumë, aq shumë, sa isha e bindur se do të shkonte gjithë jeta me sherre. Por tani çdo gjë ka ndryshuar dhe jemi bërë shokë.

Kanë pasur ndikim ata tek pasioni yt për kinemanë dhe televizionin?
Unë jam rritur në Kinostudio, im atë punonte me setet e filmave dhe më merrte me vete kur isha e vogël. Shihja me kureshtje çdo set filmash dhe më kujtohet që kur fëmijët e tjerë të miqve të babit luanin në oborrin e Kinostudios, unë rrija gjithmonë gojëmbyllur në xhirim. Nuk flisja për orë të tëra, sepse e dija që do të më përzinin po të bëhesha e bezdisshme. Por, pavarësisht se im atë më rriti me këtë frymë, t’ju them të drejtën, ai nuk donte që ta vazhdoja këtë pasion; as ai, as mami, pasi e konsideronin një profesion të pasigurt.

Dhe ti nuk e vazhdove… (qesh).
Në fakt, unë e kisha vendosur në kokën time që do të studioja për regji. Aplikova edhe në Ekonomi e në Psikologji për të mos ua prishur, por nuk shkova të konkurroja aty, shkova vetëm tek regjia. Fatmirësisht u pranova. Nuk është se prindërit më kundërshtojnë. Ata i përkrahin vendimet e mia, pavarësisht se ka raste që mund të donin diçka tjetër.

Je vajzë e mbarë apo rebele në familje?
Them se prindërit e mi kanë pasur fat me fëmijët e tyre. Ata më kanë lënë të drejtën e zgjedhjes qëkur isha e vogël. Nuk vendosnin për mua, edhe kur bëhej fjalë për gjëra të vogla. Unë ua shpërbleva në shkollë të mesme, sepse isha me rezultate shumë të mira. Dhe mendoj se ende nuk e kam shkelur (qesh).

E konsideron veten ambicioze?
Të them të drejtën, nuk kam shumë ambicie e ndoshta kjo nuk është gjë edhe aq e mirë. Unë, nëse dua të bëj diçka, nisem nga pasioni, jo nga ambicia. Dua që ai projekt të më bëjë të ndihem mirë, të realizoj egon time, por jo që të hidhem fuqishëm në treg apo të shoh përreth se kë duhet të konkurroj e të nxjerr jashtë loje.

Meqenëse po flasim për pasionin: nëse do të duhej të zgjidhje një projekt në kinema/teatër dhe një në televizion, kë do të zgjidhje?
Është shumë e vështirë. Nëse do të kisha filluar një projekt televiziv, do të më vinte shumë keq që ta rrezikoja për një projekt tjetër, por nëse do të ishin të dyja në stadin fillestar, do të zgjidhja kinemanë.

Dhe ti e ke sakrifikuar një film, jo një film dosido, por një film që bëri bujë edhe në Europë. Ti do të ishe e dashura e Nik Xhelilajt në filmin “Shqiptari”!
E vërtetë, e kam peng atë film (qesh)! Unë e fitova rolin, por, për shkak të punës, në atë moment nuk mund ta ndiqja dot, sepse ditët e xhirimeve përkonin me punën që bëja tek Klani. Kur e pashë dhe kur dëgjova për suksesin e filmit, më erdhi pak keq, të them të drejtën.

Ke aktorë të preferuar?
Nga të vjetrit: Marlon Brando, Al Pacino, Meryl Streep, ndërsa nga të rinjtë: Johnny Depp. Nuk e shoh këtë të fundit si mashkull, aq sa e shoh si aktor. më pëlqejnë aktorët që transformohen nga një rol në tjetrin, nuk kanë asnjë rol të njëjtë me të mëparshmin. Ndoshta ka të bëjë edhe menaxhimi i mirë, që u gjen filma ku të ketë kapërcime, por gjithsesi këta aktorë për mua janë talente. 

Meqë përmende Johnny Depp-in, ai thotë se nuk i pëlqen të shohë veten e tij në ekran. Po ty të pëlqen? 
Unë, edhe kur gatuaj diçka, e shaj 10 herë, imagjino për daljet e mia në ekran apo në film! Do të ishte më mirë të mos i shihja fare, sepse gjithmonë gjej gjëra tek vetja që nuk më pëlqejnë. Them: “Ah, sikur të ndryshoja këtë, sikur të kisha vepruar kështu!”. Jam shumë e ashpër ndaj vetes sime. 

Kur je ndier e bukur? 
(qesh) E bukur? S’jam ndier akoma. Kam nisur të kuptoj ndoshta në gjimnaz që tërhiqja njëfarë vëmendjeje, shikoja njëfarë vlerësimi për pamjen time, por unë vetë nuk e vë re shumë këtë fakt. Në jetën e përditshme, as mundohem që të theksoj ato që për të tjerët më bëjnë të bukur. 

Por ti e di që një kusht për të qenë imazh i një produkti, aq më tepër i Digitalb-it, duhet të jetë edhe pamja e jashtme. Përpara teje, imazh ka qenë një bukuroshe si Xhemi… 
Besoj se kjo puna e imazhit të Digitalb-it është diçka në vazhdimësi. Spotet kanë një subjekt, duhet të aktrosh për spotin dhe duke qenë se duhet të dalësh herë pas here në spote të reja, normalisht është përgjegjësi dhe nuk ma do mendja që unë apo Xhemi jemi aty vetëm se jemi të bukura. Unë nuk besoj se një bukuri marramendëse do të ishte kushti kryesor nëse nuk do të dije si të flisje, si të aktroje. Duhet një portret që nuk të mërzit, një mënyrë komportimi jo i lodhshëm për publikun; duhet të dish të sillesh me kamerën dhe të kesh diksion. Janë shumë elementë të tjerë, që, besoj, zbehin rëndësinë e bukurisë. 

Ke më shumë se një vit që shfaqesh gati çdo ditë në ekran si imazh, por kaq. Nuk të shoh të ftuar në programe dhe nuk besoj se të kam parë ndonjëherë në ndonjë foto paparaci
Është një pjesë që e kam zgjedhur vetë. Unë dua të bëj punën time, nuk jam e dhënë pas ekranit aq sa të dëshiroja të shfaqesha gjithandej, të isha e ftuar diku e të diskutoja. Nuk bën pjesë në natyrën time. Nuk dua të bëhem viktimë e ekranit, dua të dal me një gjë timen. 

Pak më parë të pyeta për famën, sepse mendoj që njerëzit që zgjedhin të ekspozohen në ekran, janë pak narcisë nga natyra. Kërkojnë vëmendje, ndaj u habita kur ti the se nuk doje shumë vëmendje. 
Unë nuk e kam problem nëse njerëzit rrugës nuk më njohin. Ndoshta kjo është arsyeja përse më pëlqen që edhe në veshje të mos bie në sy. Pak më parë më pyete përpaparacët. Unë jetën e natës e frekuentoj shumë rrallë. Këtu ka ndikuar edhe puna ime e mëparshme, që më linte shumë pak kohë të lirë. Por, edhe kur dal, preferoj vende të qeta dhe shoqërinë e miqve të mi më të afërt. Janë të tjerë personazhe ata që tërheqin vëmendjen. Nuk e kërkoj këtë lloj fame dhe shpresoj që kjo gjë të vazhdojë kështu për një kohë të gjatë. 

Krahas pjesës së imazhit, ti je duke u përgatitur edhe për një program të ri në digitalb, ku do të jesh prezantuese. 
Është e vërtetë. Bëhet fjalë për një program me diskutime mbi artin dhe kulturën, një format ndryshe, ku do të ketë diskutime dhe debate mbi temat më të nxehta në këto fusha. 

Moderatore debatesh?
Kjo po që është një përgjegjësi e madhe! 
Programi ende nuk është shtruar plotësisht, por, me apo pa debate, për mua kjo është vërtet një përgjegjësi, pasi është një eksperiencë krejtësisht e re, pavarësisht që shumë tema kanë të bëjnë me filmin dhe teatrin, të cilat unë i kam për zemër. 

VETJA, DASHURIA DHE STILI

Ka ndonjë aksesor, pa të cilin nuk bën dot?
Pa syzet e diellit!  Nuk rri dot pa to! I kam të nevojshëm edhe kur është kohë e vrenjtur.

Çfarë nuk të pëlqen fare tek vetja?
Ndihem mirë me veten time, nuk është se kam ndonjë gjë që do të doja ta ndryshoja. Ah, këmbët i kam shumë të holla dhe me numër shumë të vogël, prandaj mezi gjej këpucë.

Veshja jote e preferuar?
Streçe me bluzë të gjatë dhe një çantë e madhe. I kam veshur streçet edhe kur nuk kanë qenë në modë. Dua gjëra që më bëjnë të ndihem rehat në trup: çizme të sheshta, atlete... me to jam shumë ok.

I do firma veshjet?
Firmat nuk më bëjnë shumë përshtypje, por cilësinë e dua. Nuk është se ndikohem nga gjërat e shtrenjta. Zgjedh diçka të bukur, që të ketë një material të mirë e unë të ndihem rehat.

Blerja më e shtrenjtë?
Makina ime, Citroen C1.

Çfarë vesh kur del në mbrëmje?
Edhe në mbrëmje duhet të kem gjëra të rehatshme. Më pëlqejnë bluzat bust ose të varura.

Çfarë këshille bukurie ndjek në mënyrë rigoroze?
Përdor gjithmonë një krem në mëngjes dhe një në darkë për fytyrën. Në dimër mbaj me vete një krem zbutës për duart.

Aroma jote e preferuar?
Jam e fiksuar pas dy parfumeve: “Tom Ford White Patchouli” dhe një parfum i Chloe-s. Kur isha në Greqi, përpara disa kohësh, u dashurova me aromën e një parfumi të ri të Isseymiyake-s. Kishte një erë të çuditshme, nuk mund t’ia vije dot emrin. Më pëlqeu shumë!

Ti nuk grimohesh shumë. Mban kuletë me vete?
Është e vërtetë që grimohem shumë pak, por tualetet dua t’ikem të mira. Më pëlqejnë tonet e Mac, Make Up Forever ndërsa rimelin e zgjedh Yves Saint Laurent. Zakonisht më sheh vetëm me rimel, shkëlqyes buzësh dhe pak bezhë në sy.

Çfarë s’pëlqen tek karakteri yt?
Kam aq shumë defekte, sa po të nis t’i numëroj… [qesh]. Nxehem shpejt, jam impulsive deri diku, jam e padurueshme, dua t’i bëj gjërat shpejt dhe në vend, jam kokëfortë edhe për gjërat që s’duhet të jem. Përgjigja ime e parë është “jo”, sepse dua ta kem situatën në dorë. Pastaj, kur nis e mendoj, mund të vendos të ndryshoj mendje apo të ngelem tek “jo-ja”.

Je e dashuruar?
Unë kam një lidhje 8-vjeçare, kështu që kësaj pyetjeje i ka skaduar afati [qesh]. Bëj shaka. Përderisa kam kaq kohë me të njëjtin njeri, do të thotë që ndiej për të.

Tetë vjet? E keni menduar martesën?
Është ende herët dhe aktualisht nuk e mendoj. I vetmi fenomen që më josh të krijoj familje është shembulli i prindërve të mi, sepse e shoh sa harmoni kanë mes tyre, por nga ana tjetër, po kys hembull më tremb, sepse nuk do t’i shmangem dot krahasimit.

Je romantike?
Më hipën edhe dallga e romanticitetit ndonjëherë, por zakonisht jam më shumë praktike. Romanticiteti më duket pak i lodhshëm.

Udhëtimi yt i preferuar?
Ah, për udhëtime vdes! Nëse do të kisha një profesion që lidhej me udhëtimet, do ta bëja me gjithë qejf. Kam shumë dëshirë të shkoj prapë në Mikonos, më pëlqen shumë energjia në atë ishull. Është një vend i çmendur dhe nuk të mërzit. Të them të drejtën, koha e kufizuar prej shkollës dhe prej punës nuk më ka dhënë mundësi për të bërë udhëtime apo pushime të gjata. Por, me rastin më të parë që më jepet, dua të largohem qoftë edhe për një ditë.

Je e lumtur këtu ku je sot?
Aktualisht unë jam në gjysmën e një testi dhe nuk mund të them që ndihem mirë apo keq. kur të përfundojë ky provim i gjatë, do të kem një përgjigje më të saktë.

Ia lë gjërat rastësisë?
Jo, gjërat e rëndësishme nuk ia lë kurrë rastësisë.

Nga se ke frikë?
Kam frikë nga zoti.

REELS

OK!

Emisionin e plotë e gjeni në Youtube/ Andale AL

E kemi mbajtur sekret, por sot sikur kemi qejf t'jua themi! 💕 @greenandprotein.al është vendi që na sjell mëngjesin dhe drekën në zyrë se e kemi zgjedhur si vend të preferuar. Ndonjëherë shkojmë edhe vetë se ka ambient të lezetshëm dhe të qetë. 🥰 Bowls janë yll, lëngjet e frutave, çdo gjë dmth. 🥑

Sa i bukur ky projekti i @unwomenalbania 💕 Gratë fuqizohen, udhëtojnë vetëm, argëtohen dhe zbulojnë histori frymëzuese dhe të pabesueshme nga peshkatarët. Në një udhëtim shumë të bukur në Vlorë ndodhin të gjitha. Love the idea 💡 Bravo! 🙌

U zgjuam me një ndjenjë nostalgjie sot 😌

S'e dimë ne ç'rast ke ti, por dimë ku duhet ta marrësh fustanin! 👗 @la_kune_ ka kaq shumë modele për çdo event, masa S-2XL, super çmime dhe dizajne. Të nderon kudo dmth ✌️

POV: Të bien pantallonat në mes të performancës, por ti je Beyoncé 🔥

Dua Lipa performon këngën e Raffaella Carrà dhe rrëmben zemrat e italianëve ❤️‍🔥

Po ju, keni bërë ndonjëherë takime po aq interesante?! 🤨

Shpresojmë për më të mirën! 🇦🇱❤️‍🔥 Credits: @eja.alb