Prezantimi im i parë me Aureta Thomollarin ishte nëpërmjet blogut të saj www.aureta.typepad.com. T’ju shkruaj sinqerisht: u mahnita! Jo sepse po shihja një shqiptare me veshje të shtrenjta apo në jahte e hotele luksoze (tashmë në vitin 2011 ky është lajm i vjetër: e kanë bërë edhe shqiptarë të tjerë më parë), por sepse po shihja një shqiptare që e trajtonte modën si një vepër arti, me një shije të jashtëzakonshme në veshje, duke përzier aq mirë stilin e saj individual me personalitetin dhe sigurinë në vetvete. Dhe ashtu si ju të tjerët, që morët këtë revistë në dorë dhe u prezantuat me 28-vjeçaren me origjinë nga Përmeti nëpërmjet kopertinës e fotove, apo ju që e keni zbuluar më parë blogun e saj nëpërmjet shkrimeve tona të shpeshta në “Anabel”, edhe pyetja ime e parë ishte: “Si i përballon të gjitha këto veshje luksi?”.
Më pas vijuan normalisht pyetjet e tjera shoqëruese të tipit: “Çfarë pune bën? E kujt është?”; madje e pranoj: e paragjykova direkt, edhe pse gjithmonë kafshoj gjuhën sa herë e bëj këtë për gjininë time. Pyeta: “Me kë është martuar?”, pasi për një çast – e pranoj fajin – isha e sigurt se e gjithë kjo pasuri, ky luks, i vinte nga një burrë i pasur që kishte në krahë. Vendosa që një pjesë të këtyre pyetjeve të drejtpërdrejta t’ia bëja “me lezet”, kur ta takoja në Shqipëri. Sepse Aureta, sapo mori ftesën tonë për kopertinë si shqiptarja e veshur më bukur e vitit, vendosi të vinte menjëherë. Pa u menduar për rrugën e gjatë apo për shpenzimet e udhëtimit. Sistemoi axhendën e saj dhe në Nëntor ishte në Tiranë. Takimin tonë të parë e lamë për darkë tek Sofra e Ariut. Ditën që do të takoheshim, e pashë veten time më gjatë në pasqyrë se zakonisht: “Dukem mirë? Si jam kombinuar? Po sikur të vishja ato këpucët e shtrenjta që m’i kanë pëlqyer të gjithë?
Aureta kë s’takon, botues, fashionista, stilistë... Ajo pret që edhe kryeredaktorja e revistës së modës më të shitur në Shqipëri të jetë në formën e saj më perfekte, ndryshe, si mund t’iu besojë të gjitha atyre diskutimeve që kishim bërë të dyja për Herve Leger-in apo Cartier-in?” (ajo me provë dhe unë me të lexuar). Unë, me stilin tim, kisha kohë që kisha bërë paqe, por ato orë përpara takimit, gjithçka u përmbys dhe ndihesha si një 13-vjeçare përpara takimit të parë romantik. Më në fund zgjodha një fustan të Missoni-t (jashtë sezonit) dhe një palë këpucë të frymëzuara nga Chanel Pumps, në ngjyrë mishi me majë të zezë, të blera në Top Shop në Londër. Jo lirë, po as në çmimin e Chanelit. Të vetmen gjë që kisha të momentit ishte çanta Marc Jacobs Bruna, blerja ime më e zgjuar ndonjëherë në një ankand të faqes outnet.com. E kapa me 70 % më lirë, një mundësi që jepej vetëm për disa orë në atë website. Pak a shumë kisha marrë formën e kryeredaktores së një reviste mode dhe isha gati për ta takuar. Në orën 19:00 fiks po e prisja brenda në restorant (çantën normalisht e kisha vendosur në një vend të dukshëm. Përse të më ikte mundimi kot?!). Aureta hyn. Ishte e veshur me të zeza, një bluzë e gjerë në formë shalli i vinte deri tek këmbët. Këpucët e larta platformë Azzedine Alaia binin në sy. “Unë po prisja përpara restorantit”, thotë ajo në një shqipe të pastër, por me intonacion amerikan. Në dorë mbante një çantë letre Chanel. “Kjo është për ty, një dhuratë nga unë”, dhe ma drejtoi pasi bëmë përqafimin tipik amerikan. Serioziteti im si kryeredaktore u rrëzua direkt. Chanel! Çanta e bardhë me një trëndafil letre të ngjitur në një cep, Chanel dhe Rue de Jambon me shkronja të mëdha e shkruar poshtë... si mund ta përmbaja entuziazmin! Harrova protokollin, kërceva si një fëmijë. E hapa kutinë (sa shumë donte që të hapej me gjithë ato mbështjellje!) derisa dolën vathë me gurë të zinj dhe shenja e Chanelit e gdhendur me motive antike. Perfekte! Normale, të zgjedhura nga Aureta! E falënderova dhe e fsheha çantën time Marc Jacobs diku në një cep të kolltukut. S’kishte më vlerë. Darka me Auretën zgjati më shumë nga sa e parashikuam. Në momentin që kamerieri hiqte pjatat me ato pak qofte e fërgesë të mbetura (Aureta porosiste vetëm ushqime shqiptare) për t’i zëvendësuar me bakllava dhe kadaif, kuptova se ne kishim folur për gjithçka, përveç veshjeve. “Të them të drejtën, kisha përshtypjen se e gjithë biseda jonë do të rrotullohej rreth modës dhe jetës tënde glamoroze dhe unë kam vrarë mendjen gjithë ditën se çfarë duhej të thosha për ‘glamour-in’ modest të këtij vendi”, i thashë. “Unë e adhuroj veshjen por stilin nuk e përfaqëson vetëm një veshje e shtrenjtë. Ajo duhet të shoqërohet nga një stil jetese; nga mënyra se si e shijon jetën; se çfarë bën për të plotësuar veten tënde në fusha të ndryshme, për t’u përmirësuar; sa e sigurt je në aftësitë e tua; sa e interesuar je për kulturën, artin, botën rreth teje. Nuk mund të krijosh një imazh vetëm sepse ke mundësi financiare. Stili i të veshurit vjen nga brenda. Dhe brendia është ajo që duhet të mbushet”. Me këtë përkufizim kishte thënë gjithçka për veten e saj, për mua (më duhej kjo deklaratë pas atij momenti pasigurie përpara pasqyrës) dhe për këdo tjetër që kërkon të zbulojë stilin e tij/e saj personal. Aureta ishte thjesht një grua shumë inteligjente, e apasionuar pas biznesit, me shumë ide kreative që i shprehte njëra pas tjetrës dhe me një shije të lindur. Falë kësaj inteligjence, pasioni dhe një këmbënguljeje për të marrë gjithmonë “po-në” e dëshirave të saj, ajo ka ditur s’i t’i kapë mundësitë. “Unë kam bërë atë që kam dashur, atë që kam pasur në mendje gjithë jetën. Thjesht kam qenë e qartë me dëshirat e mia”, vazhdon ajo. Kaq e thjeshtë të jetë?! Po babai? E vërteta është se i ati ka qenë gjithmonë në gjendje të mirë ekonomike dhe mbështetja e saj e parë financiare. Po burri? I fejuari prej katër vjetësh (amerikan, por me origjinë norvegjeze-koreane) kishte disa biznese familjare në Uashington. Por idetë dhe talenti i përkisnin vetëm asaj. Aureta është një vizionare, e cila kërkon përsosmërinë në realizimin e gjithçkaje çfarë dëshiron.
Ndryshe, si do të zbriste nga Amerika direkt në kopertinën e “Anabel-it” pas më pak se gjysmë viti njohjeje? Disa njerëz nuk bëhen rastësisht të famshëm. Në fund të bisedës sonë, pasi kishim zbuluar një tërheqje mendjesh mes njëra-tjetrës dhe kishim nisur të ëndërronim për projekte të përbashkëta, vë re se çanta ime kishte përfunduar në tokë. Nëpër dysheme ishin shpërndarë letra, stilolapsa, një buzëkuq gjysmë i hapur dhe disa karta biznesi të hedhura rrëmujë nga ime bijë. Se pse u ndjeva aq mirë me këtë rrëmujën time! Për disa, çanta mund të jetë vepër arti, për të tjerë një status, ndërsa për mua niste si një mahnitje pas së bukurës dhe përfundonte në një kosh komod me rrëmujërat e nevojshme dhe të panevojshme. Të nesërmen, përpara se të niseshim për në photo shoot, pashë edhe më keq. Një çantë e bardhë disa mijëra dollarë Chanel 2.55 në dorën e Auretës, që gati po shpërfytyrohej në një trastë perimesh, e mbushur me aq shumë bizhuteri! “Luksi është krijuar për t’u përdorur, thotë Lagerfeldi”, më drejtohet Aureta. Por unë do ta thosha ndryshe: çanta si ajo “keqpërdoren” atëherë kur nuk e ble për të kërkuar një status dhe për t’u bërë pjesë e një rrethi, të cilit thellë-thellë nuk i përket, por atëherë kur e vlerëson të gjithë historinë prapa saj. Prandaj, edhe ashtu e rrëmujshme, duket aq bukur në duart e Auretës, ashtu si çdo veshje tjetër 20 apo 2.000-dollarëshe!
Nga vjen gjithë ky pasion për modën?
Mendoj se është e brendshme. Unë kam qenë si çun haram e vogël, por sërish kam pasur një vizion shumë të qartë për veshjen. I sugjeroja babait se çfarë parfumi duhet të vinte në takimet me prindër, se çfarë duhet të vishte mami etj. Ka qenë më shumë një pasion për kreativitetin. Dashuroja ngjyrat, xixat, prerjet e ndryshme. Mendoj se stili është i brendshëm, e zhvillon me kalimin e kohës dhe e përmirëson, por ai ka qenë gjithmonë aty.
Ke pasur influencë nga familjarët e tu?
Gjyshja ime ishte shumë chic, shumë elegante. Mirësia dhe forca e nënës sime ishin një frymëzim tjetër. Mendoj se gjëja më e bukur tek një veshje është besimi. Nëse nuk ke vetëbesim, edhe veshja nuk rrezaton. Në stilin tim jam frymëzuar gjithashtu nga arti e letërsia. Dashuroj Gaudi-n, format dhe prerjet; frymëzohem nga letërsia: Neruda, Markezi janë një arratisje që të bën të ëndërrosh. Në përgjithësi inspirimin e kam gjetur tek arti, literatura, arkitektura, edhe pse vetë kam shkuar në shkollë biznesi.
Më bëri përshtypje në intervistën e parë për “Anabel-in”, kur përmende se prindërit e tu të blenë veshjen e parë designer, një fund Gaultier dhe një pardesy Versace. E them më bëri përshtypje, sepse historia e imigracionit ka treguar që në pjesën më të madhe të rasteve janë fëmijët ata që arrijnë të përftojnë standarde të tilla për të blerë edhe veshje të shtrenjta.
Në fakt, im atë merrej me biznes në Shqipëri në fillim të viteve ‘90 dhe e kishte shumë të suksesshëm. Ne nuk mendonim se do të largoheshim, ndaj kur aplikuam për lotarinë amerikane, e bëmë kot, pa pritur dhe pa ëndërruar ndonjë përgjigje pozitive. Por në vitin 1995 ndodhi që e fituam. Im atë nuk donte të largohej nga Shqipëria, sepse biznesi po i ecte mirë. Fillimisht shkonim dhe vinim, derisa erdhi koha për të shkuar në shkollë të mesme dhe mua më duhej të zgjidhja një vend. Kështu që zgjodhëm Amerikën. Prindërit e mi kanë qenë mbështetja ime financiare në fillimet e karrierës sime. Ata më ndihmuan të nis biznesin tim.Që ishte një dyqan bizhuterish në Beverly Hills, në lagjen e aktorëve hollivudianë.
Si e hape?
Kam qenë rreth 20 vjeçe kur vendosa, së bashku me një shoqen time, të shkoja me pushime në Cabos San Lucas në Meksikë. Atë kohë vazhdoja universitetin dhe punoja paralelisht për Swissair. Im atë në atë kohë mendonte se unë nuk duhej të punoja që të përqendrohesha tek shkolla, por gjithmonë kam pasur dëshirë t’ia dal mbanë vetë. Mendoja vazhdimisht për biznes. Kthehemi në Cabos. Atje rastësisht shoh një dyqan bizhuterish nga Daniel Espinosa, një emër i njohur në Meksikë. Bizhuteritë e tij më pëlqyen shumë; bleva disa dhe, kur u ktheva në shtëpi, në Florida, doja të blija edhe më shumë. E kërkova në Google, por dyqani i tij nuk ekzistonte në Amerikë. Në faqen e internetit, në fund, shoh të shkruar me shkronja të vogla “Franchise Opportunities”, që do të thoshte se, po t’ua kërkoja, ata mund të më jepnin mundësinë për të hapur një filial në Amerikë. Shkrova shumë email-e dhe ata nuk më përgjigjeshin. Por unë e kam të vështirë të pranoj “jo-në”.
Dhe më në fund pranuan…
Pas shumë refuzimesh, një ditë vendosën të më takojnë në zyrat e tyre në Meksikë. Pranuan për filialin kundrejt një depozite të konsiderueshme fillestare, të cilën ma mundësoi im atë. Ata kishin vetëm një kusht. Filiali, meqenëse ishte i pari, duhej të hapej ose në Nju-Jork, ose në Los Anxhelos. Meqenëse jetoja në anën lindore të Amerikës, thashë: “Pse të mos provoj Kaliforninë?!”. Kështu, së bashku me një mikeshën time, vendosëm ta hapim filialin në Los Anxhelos. Dyqanin Daniel Espinosa e hapëm në Robertson Boulevard (shën. red.: Bulevardi i dytë më i frekuentuari nga VIP-at pas Rodeo Drive). Butikun e dizenjoi një arredues i famshëm dhe shumë kreativ dhe një pjesë e ekspozitorit dilte në trotuar. Ishte i gjithi i bardhë dhe portokalli. Dyqani pati sukses, aty erdhën shumë të famshëm.
Në fakt, paparacët i shohim shpesh në Hollivud të fotografojnë të famshëm nëpër butikë dhe rrjedhimisht është një reklamë për butikun. Ndodhi e njëjta gjë me butikun tuaj?
Janë agjenci të posaçme të marrëdhënieve me publikun, të cilat, kundrejt një shume prej 5.000 dollarësh në muaj, të sjellin njerëz të famshëm në dyqan. Butikun tonë e vizituan shumë të njohur, si: Salma Hayek, Madonna etj. Mjafton një fotografi e tyre dhe fjala merr dhenë.
Meqenëse përmendëm të famshmit dhe kohën tënde në Los Anxhelos, u miqësove me shumë prej tyre?
Nëse shkon në vendet e duhura, mund t’i ndeshësh edhe të famshmit. Kam njohje, por kam edhe miq që janë në Hollivud, aktorë, regjisorë të njohur dhe të tjerë që punojnë prapa skene. Por, në miqësi, nuk të bën përshtypje fama apo perceptimi i botës për ta.
Më pas lëvize sërish nga Los Anxhelosi dhe e le biznesin e butikut?
Po, shita pjesën time dhe vendosa të rikthehesha në lindje për të vazhduar shkollën e biznesit në Marymount University në Uashington. Mendova se kisha shumë hapësira për të bërë gjëra të tjera edhe më të mëdha. Paralelisht me shkollën, u përqendrova në biznesin e shitblerjeve të shtëpive në Florida, që në atë periudhë ishte shumë fitimprurëse.
Dhe të mendosh që një pjesë të mirë të pasurisë tënde e ke ngritur përpara moshës 30-vjeçare?
E vërtetë, por unë jam shumë e orientuar drejt biznesit. E shoh edhe si formë për të shprehur kreativitetin tim, pasionet e mia, dhe mundohem të gjej mënyra që, jo vetëm të gjeneroj të ardhura, por edhe të marr kënaqësi.
Siç ka ndodhur me biznesin tënd të fundit, “D&A Luxury Advising”. Shumë lexues të “Anabel-it” e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’do të thotë Këshillim Luksi.
Së bashku me partnerin tim të biznesit, Dwayne-in, menduam se Uashingtoni, kryeqyteti i Amerikës kishte hapësira për këtë lloj biznesi. Qyteti është shumë zyrtar, por uashingtonianët duan të ndihen pak si fqinjët e tyre njujorkezë, që janë më të dhënë pas luksit, modës, arredimeve kreative. Ne këshillojmë biznese, institucione apo individë, se si të krijojnë një identitet luksi. Nëse një restorant do që të ketë imazhin e një vendi luksoz dhe të thithë klientë të shoqërisë së lartë, ne i konsultojmë se çfarë duhet të bëjnë, që nga paraqitja e menyve e deri tek silueta e veshjes së kamerierëve.
Ka interes për këtë lloj biznesi?
Ka pasur shumë. Vetëm vitin e parë ne kemi fituar 120 mijë dollarë. Jo keq si fillim. Ka edhe individë që vijnë e duan të marrin sugjerime se si të duken estetikisht.
Besoj se ty të ka ndihmuar edhe fakti që je klasifikuar nga revistat uashingtoniane, si “Washington Examiner, “Washington Life”, “The Washingtonian”, si një nga njerëzit më të suksesshëm nën 40 vjeç dhe nga gratë e veshura më bukur në Washington D.C.
Patjetër, imazhi është shumë i rëndësishëm e, të lidhura me të, reputacioni e besimi që krijon tek klienti. Unë gëzohem kur shoh se si çdo ditë e më shumë rritet interesi për biznesin. Njerëz duan të këshillohen edhe për gjëra të vogla të tipit “po këtë shandan si dhe ku ta vendos në restorantin tim?”. Aktualisht jemi duke rimodeluar një teatër për t’i dhënë frymën e viteve ‘30. Unë dua që ta zhvilloj këtë biznes dhe më pas t’ia shes një kompanie më të madhe.
Nuk të vjen keq që ndërton diçka vetë dhe pastaj e shet?
Jo, aspak. Asgjë s’është e përhershme, fitore është nëse të blejnë me një vlerë shumë më të madhe nga ç’e ke nisur. Ka hapësira për shumë biznese. Unë dua të bëj edhe një master në Francë për menaxhim luksi. Do ta bëj ndoshta pas dy vjetësh. Është e vetmja shkollë që ofron këtë degë, të cilën unë e kam shumë për zemër.
Aureta, unë po ta bëj sërish pyetjen që ma bënë shumë veta kur dëgjuan për ty: Duke marrë parasysh gardërobën tënde të pasur, udhëtimet në vende të ndryshme të botës, qëndrimet në hotelet më të shtrenjta, a mund t’i përballosh të gjitha?
Nëse e dua diçka, e përballoj. Nuk njoh pengesa në jetën time për gjërat që dua. E di ku është sekreti i jetës? Tek mënyra se si e jeton atë. Unë gjithë jetën time kam qenë e apasionuar pas së bukurës dhe pas udhëtimeve dhe e bëra jetën ashtu siç e doja. Pasioni im për veshjet e luksit është e njëjta gjë si pasioni i dikujt tjetër për piktura. Dikush ble dhe koleksionon piktura, ndërsa unë blej dhe koleksionoj veshje dhe aksesorë.
Ajo që kemi vënë re tek ty është miksimi që i bën veshjeve të sezoneve të fundit me vintage.
Më pëlqejnë shumë veshjet dhe bizhuteritë vintage. Mund të kombinoj një veshje që kushton 20 dollarë me një palë këpucë që kushtojnë 2.000 dollarë. Unë nuk jam nga ato që duan patjetër të jenë në sezon. Unë krijoj stilin tim pavarësisht kohës. Nëse e sheh blogun, shumë pak janë të sezonit aktual. Dua t’ju them një sekret të stilit: Nuk ka lidhje se sa shpenzon. Kemi parë nënat tona apo gra të tjera gjatë periudhës së komunizmit që dukeshin bukur edhe me shumë pak mundësi. Unë kam shumë shoqëri me njerëz të cilët nuk blejnë shtrenjt, por kanë një stil fantastik, shumë origjinal. Ata më frymëzojnë.
Ku shkon më shpesh për shopping?
T’ju them të drejtën, unë nuk bëj shopping në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk futem nëpër dyqane, nuk shkoj nëpër qendra tregtare. Nuk gërmoj nëpër rafte rrobash. I vetmi vend ku e bëj me kënaqësi “gërmimin” është Shareen Vintage, një dyqan i famshëm vintage në Los Anxhelos. Kur dua diçka specifike, zakonisht telefonoj miqtë e mi që kanë butikë me veshje ekskluzive.
Krahas shopping-ut, në blogun tënd shohim që udhëton shpesh: një ditë je në Zelandën e Re, të nesërmen në Paris, pastaj në një jaht në Kanë. Me pak fjalë, na turbullon me gjithë ato udhëtime të bukura.
Udhëtimi për mua do të thotë jetë. Më pëlqen fakti që, sa futem në avion, mbyll celularin dhe direkt kaloj në një gjendje tjetër, në një gjendje qetësie, pa stres. Nëse dikush do të më thoshte që s’mund të udhëtoja, do të më dukej fundi i botës. Udhëtimi më jep një perspektivë të re, një ide të re biznesi. Është shumë i rëndësishëm. Kam shumë miq që nuk kanë mundësi të udhëtojnë, por kam edhe miq që janë shumë të pasur dhe nuk udhëtojnë. Unë jetën nuk e kuptoj dot pa parë botën. Ndihem si në shtëpinë time kudo që të jem. Luksi im është se, nëse dua të udhëtoj, fatmirësisht nuk më nevojitet as vizë.
Dua të përqendrohem pak tek të rejat e tua në biznes, një parfum dhe një linjë valixhesh waterproof…
Jam në përfundim e sipër të linjës sime të valixheve dhe çantave waterproof.
Ndalojmë pak tek parfumi. Parfum “Aureta”, do të thuash?
Po. Parfumi për mua është gjëja më personale që mund të ketë dikush. Unë shtëpinë time e kam kthyer në laborator, pasi përziej esenca me njëra-tjetrën në përpjekje për të gjetur aromën perfekte. Pasi hapa blogun dhe pashë suksesin e tij, mendova: “pse jo, mund të kem një parfum timin dhe ta promovoj në blog”.
Mund ta shesësh në blog, mendon se ka aq blerës qëdo të kthejnë investimin tënd?
Në Blog hyjnë njerëz nga 143 vende të botës, kam me mijëra frekuentues. Aktualisht Aureta’s blog sugjerohet edhe nga bloge të tjerë të njohur fashion të internetit. Blogu do të jetë pikënisja ime. Më pas shpresoj që ta shes në Barney’s në Nju-Jork (shën. red.: Një qendër tregtare luksoze dhe e famshme e qytetit). Dhe më pas patjetër që do ta sillja edhe në Shqipëri.
Kjo do të të bëjë shqiptaren e parë me parfumin personal në botë. Meqenëse përmendëm blogun,vendin ku ne patëm prezantimin tonë të parë, si ka qenë reagimi i njerëzve? Çfarë të thonë për të?
Kur e hapa blogun, fillimisht i plotësova dëshirën motrës, e cila e dinte pasionin tim për modën. Ajo e hapi pa dijeninë time. Në blog vendos foto nga vende të ndryshme dhe me veshje të asaj dite të caktuar. Nuk e mendoj dy herë çfarë vendos. Nuk jam nga ato që duhet të rregullohem paraprakisht, nuk vishem enkas për blogun. Blogu është një ditar vizual i stilit tim të përditshëm. Nëse qëlloj që të vesh të njëjtat këpucë në ditë të ndryshme, nuk e kam problem. Njerëzit e kanë pëlqyer, mesa duket, këtë mënyrën time dhe më shkruajnë: “Ti më ke frymëzuar” apo “Ti më ke shtyrë të përdor më shumë aksesorë”. Më pëlqen jashtëzakonisht kur lexoj reagime të tilla. Unë thjesht ndaj hobin tim me të tjerë, ndërsa përgjigjet janë fantastike.
Bloget fashion janë kritikuar nga disa autoritete të modës. Tom Ford-i mendon se këto bloge zbehin misterin e koleksioneve, duke treguar veshje përpara se ato të dalin në shitje.
Unë mendoj se bloget i kanë ndihmuar fashionista-t, ua kanë lehtësuar rrugën e mbledhjes së informacionit, bloget kanë zbuluar njerëz me stil autentik. Shihni Tavi Gevinson-in: shumë stilistë janë frymëzuar nga ajo përkoleksionet e tyre. Njerëzit marrin inspirim nga bloget,i përshtatin me mundësitë e tyre, edukohen se si tëkombinojnë dhe çfarë duket mirë.
Mendon se ke krijuar popullaritet nëpërmjet blogut tënd? Të njohin?
Qindra vetë më shkruajnë dhe më lexojnë deri në vende si Azerbajxhani. Në Nju-Jork një vajzë më ndaloi dhe më uroi për blogun, duke më thënë që e shihte përditë. Revistat më marrin shpesh në telefon dhe duan të fotografojnë gardërobën time. Fillimisht interesi ishte tek revistat e Uashingtonit, ku banoj, por tani është hapur fjala dhe vetëm përpara disa ditësh, versioni kinez i revistës së njohur amerikane “Lucky”, një ndër më të shiturat në vendin aziatik, më kërkoi një intervistë. Unë nuk jam nga ato që luaj gurë e u kërkoj njerëz vetë më nxjerrin në revista apo televizione. Besoj se po u lute të të shkruajnë për ty, atëherë nuk je i famshëm. Nëse do të identifikohesh, duhet të punosh për këtë dhe, me përqendrimin dhe talentin e duhur, një ditë dikush të vë re dhe historia vazhdon.