Cover Story

Elvana Gjata, portreti i vajzës fqinjë

1 Dhjetor 2010

Elvana Gjata, portreti i vajzës fqinjë

Ajo hyn nxitimthi në kafe duke më dhënë një buzëqeshje të madhe, pa u afruar ende tek tavolina ku e prisja. Ka veshur një palë geta të pikturuara me fumeti me ngjyra, një minifund xhins, një bluzë të thjeshtë në ngjyrë të errët dhe sipër ka hedhur një shall të hollë me ngjyra njësoj si të getave. Flokët e gjatë dhe të sapo tharë në shtëpi i ka në një ngjyrë të pakuptueshme, diçka mes të kuqes dhe portokallisë. Sikur ta dinte se ç’po mendoja, më ndërpret: “Mos m’i shih flokët, se janë tmerr. Nuk i kisha lyer asnjëherë dhe vendosa të bëj një eksperiment”. Afrohet të më përqafojë dhe ulet me të njëjtin nxitim. “Po më mërzitej ngjyra natyrale. I bëra të kuqe, më të ndezura se kaq. Një horror i vërtetë! Tani dua të kthehem urgjentisht tek ngjyra ime”. Ndërsa flet, nuk e ka vënë re kamerierin, që po i qëndron pranë, pa u përpjekur ta ndërpresë. Ai vetëm e shihte si një adhurues këngëtaren e tij të preferuar. Elvana porosit një lëng frutash. Herën e parë që Elvana Gjata doli në kopertinën e revistës “Anabel”, unë e takova vetëm për pak gjatë setit fotografik. Pa dashur t’i ndërprisja përqendrimin përpara aparatit, nuk arrita të merrja shumë përshtypje prej saj, përveçse që ishte më e gjatë se ç’e mendoja dhe me një trup shumë të bukur. Nuk ka ndryshuar që atëherë, duke përjashtuar eksperimentin e përkohshëm dhe të pasuksesshëm me flokët. “Jam shëndoshur pak këto ditë, e kanë fajin ëmbëlsirat”, më thotë. Pak më vonë porosit një ëmbëlsirë me çokollatë. Vendimi për ta marrë Elvanën sërish në kopertinë në mbyllje të vitit nuk ishte aspak i vështirë. Dalja e saj e parë rezultoi një sukses i jashtëzakonshëm i revistës. Fotografia ku Elvana shfaqet me një look futurist vazhdon të mbetet një ndër më të votuarat në Facebook nga kopertinat e “Anabel-it”. 

Elvana Gjata simbolizon këngëtaren moderne shqiptare: E suksesshme falë zërit dhe gjetjeve në muzikë (në bashkëpunim me menaxherin e saj, bashkëpunëtorin më të ngushtë dhe kompozitorin Flori Mumajesi), e bukur, por pa ndërhyrje estetike, e kujdesshme në veshje aq sa për të kënaqur si të rinjtë që kërkojnë ekstravagancën e skenave perëndimore, ashtu edhe prindërit e tyre konservatorë dhe “të frikësuar” nga (zh)veshjet e tepërta të shumë performueseve të tjera femra. Ajo është nga të paktat këngëtare që ka një unanimitet pëlqimi që nga fëmijët e deri tek të rriturit, si nga shqiptarët e Shqipërisë, ashtu edhe ata të Kosovës e Diasporës. Elvana është nga të paktat artiste të reja që ka kapur sekretin e një suksesi kohëgjatë, edhe pse mohon të ketë bërë ndonjë llogari. “Askush nuk e beson, por të them të drejtën unë nuk vuaj nga ndonjë ambicie për të qëndruar në majë. Çfarë kam dashur gjithë jetën, është të këndoja. Kam pasur fatin të punoj me Florin, që është gjithmonë një hap përpara për sa u përket rrymave të reja muzikore, të cilat përqafohen shumë shpejt nga publiku. Por nuk është se e ruaj me dhëmbë suksesin. Suzana Turku më ka thënë dikur se në këtë fushë ka vend për të gjithë dhe unë këtë fjalë e kam gjithmonë në mendje.” 

Kur sheh Elvanën nga afër, pa grim, me një fytyrë me tipare të rregullta e një buzëqeshje shndritëse, të duket sikur e ke njohur prej kohësh. Nuk ka asnjë lloj sjelljeje të tipit “më dëgjo mua, se jam e famshme”. Qesh si fëmijë. Nëse i kujton ndonjë këngë, e ndërpret bisedën dhe nis e këndon pa u kujdesur nëse ka njerëz rrotull. “Elvana është shumë e dashur, rrezaton vetëm energji pozitive”, tregon mikesha e saj Besa Kokëdhima, me të cilën kalon një pjesë të mirë të kohës këto muajt e fundit. Suksesi i Elvanës qëndron tek balanca mes famës dhe jetës personale. Në skenë e rishpik shumë shpesh vetveten: një herë si shoqja gangstere e reperave tek “Mamës”, pastaj si vajza acqua e sapone dhe romantike tek “Vetes”, rikthehet në kohë me një look glam tek “Nuk janë më” dhe pastaj shndërrohet në një eksperiment modern tek “Hi-tech”. Ndërsa jashtë skene ajo i qëndron besnike një stili jetese. “Fama nuk më ka ndryshuar absolutisht. Kur këndoj, dua të bëj maksimumin tim, kurse në jetë dua të bëj maksimumin për të pasur një jetë sa më të sigurt.” 

Të vetmet rebelime që ka bërë (duke përjashtuar ngjyrën e flokëve) kanë qenë për muzikën. Kur ishte 9 vjeçe, fshehtas prindërve, u regjistrua në Pallatin e Pionierëve me ndihmën e gjyshes së saj. “Prindërit e mi kanë qenë kundër që unë të këndoja. Motra ime është soprano. Ata investonin shumë tek ajo dhe e shihnin se sa vështirësi kishte bota e muzikës. Të them të drejtën, familja ime ka qenë e varfër dhe as që diskutohej që ata të shpenzonin për një tjetër vajzë muzikante me një të ardhme të pasigurt në Shqipëri. Kur shkoja në Pallatin e Pionierëve, më dukej vetja si jetime: të gjithë të shoqëruar nga prindërit, ndërsa unë vetëm. Ditën që ishte ‘Festivali i zërave të rinj’, e bëra fakt të kryer. I kërkova mamit të më blinte një fustan për atje. Si përfundim, shkova dhe fitova çmimin e tretë.” Kjo nuk i ndryshoi bindjet e prindërve se muzika nuk ishte e ardhmja e saj, pavarësisht këmbënguljes së të motrës se Elvana kishte talent. Pas atij koncerti, Elvana regjistrohet në balet; studion një vit për kërcime popullore dhe një vit për balet klasik. “Por edhe atje më hoqën me ceremoni”, tregon ajo dhe qesh. Por a thua se këmbëngulja e tyre do të ndalonte pasionin e saj? Pyesni fqinjët e Elvanës, të cilët gdhiheshin e ngryseshin çdo ditë me zërin e vajzës së imët e me syze të mëdha, që këndonte nëpër shkallë apo organizonte koncerte në lagje. “Kam qenë si çun, isha nga ata fëmijë që merrnin gjithmonë rolin e komandantit. Organizoja koncerte në lagje, sajoja me shoqet një skenë me tulla, që të mblidhja spektatorë. Aty i kam bërë edhe lekët e para”, qesh dhe më pas tregon se si mblidhte 10-lekësha e 20-lekësha duke kënduar Laura Pausini-n apo siglën e “Sailor Moon-it”. “Pastaj, me lekët që fitoja, haja ëmbëlsira”. Ato koncerte të vogla “fitimprurëse” kanë domethënie për jetën e saj në vazhdim. 

Elvana sot jo vetëm është një ndër këngëtaret më të paguara, por edhe një ndër këngëtaret më të kujdesshme me të ardhurat e saj. “E rritur e varfër, kam mësuar ta vlerësoj lekun. Me ndihmën e prindërve, kam kursyer shumë. Nuk jam kurnace; do të jepja shumë për ata që dua, por jam mësuar të jem e kursyer me veten time”. Siç ndodhi gjatë koncerteve pas sezonit të parë të spektaklit “Ethet e së premtes mbrëma”. Atje mori për herë të parë 400 euro. “Ishte pagesa më e lartë që kisha marrë ndonjëherë. M’u duk sikur kisha prekur qiellin me dorë. Me ato para bleva vetëm gjëra për familjen”, kujton ajo. “Ethet e së premtes mbrëma” ishte spektakli që e futi Elvanën zyrtarisht në botën e muzikës. Ajo konkurroi vetëm nga një fjali e të atit, i cili deri atëherë jo vetëm kundërshtonte me ngulm këtë pasion të së bijës, por madje kishte shprehur dëshirën që ajo të regjistrohej në shkollë ushtarake. “Nuk e harroj kurrë atë ditë. Im atë po shihte audicionet dhe më tha ‘Ik ti Ela, konkurro, se ti je e talentuar më shumë se këta’. Më kujtohet fytyra e mamit, ajo u bë për të vrarë veten.” Vajza e një infermiereje dhe një ushtaraku, e mposhti më në fund frikën e tyre vetëm falë talentit të dukshëm. 

Në “Ethet e së premtes mbrëma 1”, Elvana u klasifikua në 10-shen më të mirë. Ishte vetëm 14 vjeçe. “Më kujtohet koncerti i parë i 10-shes. Prindërit e mi nuk kishin mundësi të më blinin një fustan dhe si përfundim vesha rrobat e motrës”. Sarah Jessica Parker, e rritur në një familje shumë të varfër, në një intervistë është shprehur se ajo varfëri e mësoi ta vlerësojë paranë, duke menduar se ndoshta nesër mund të gdhihet pa asnjë kacidhe. Ky lloj mentaliteti i përngjan edhe Elvanës, e cila shpesh i rikthehet me mendje fëmijërisë së saj me shumë pak mundësi ekonomike. “Kur kujtoj se si atëherë, fëmijë, festonim për një pulë të pjekur në tavolinë, them me vete: ‘Të paktën dua që të jem gjithmonë e sigurt financiarisht, të ndërtoj një jetë të pavarur nga ana ekonomike’.” Shpenzimi më i madh që ka bërë është për makinën e saj, një Audi A3 në ngjyrë blu. Ndërsa për veshje, ble ato që pëlqen, pa parë markat. “Treqind euro një fustan?! Më duket e tepërt, aq më tepër që ne këngëtaret nuk e veshim dot shpesh të njëjtën gjë. E rëndësishme është të kombinohesh me shije”, thotë ajo.

Veshja ka qenë një tjetër armë e fortë e Elvanës. Besojeni apo jo, skenën me rroba banje në videoklipin “Vetes” e ka menduar disa herë përpara se të pranonte, pasi ishte në funksion të idesë së përgjithshme të klipit. “Nuk kam dashur të zhvishem, kam qenë shumë fanatike. Tek ‘Kënga magjike’ nxora për herë të parë barkun. Kur mbaroi kënga dhe mora prindërit në telefon, fjala e parë që më thanë ishte: ‘Pse duhet të nxirrje barkun përjashta?!’”. Familja e Elvanës ishte po aq konservatore sa shumë familje të tjera shqiptare të dala nga periudha komuniste, të cilat, përveçse frikësoheshin për të ardhmen e fëmijëve në aspektin arsimor dhe ekonomik, duhet t’i ruanin nga dyndja në masë dhe pa kontroll e drogës dhe e një kulture seksuale të çorientuar. Elvana ishte vetëm 14 vjeçe dhe ndante skenën me këngëtare si Bleona Qerreti, që visheshin si aktore erotike, në të njëjtën kohë që diku në një fshat afër Tiranës, babai vriste vajzën përse shoqërohej me një djalë. Mes këtyre ekstremiteteve, ekzistonte një paragjykim gjithëpërfshirës për femrat artiste, që niste nga zonat rurale e mbaronte tek ata që e konsideronin veten si më të qytetëruar. “Jo, prindërit e mi nuk kanë pasur fare faj pse ishin aq fanatikë, por edhe unë në atë kohë isha duke zbuluar veten time. Deri në klasën e tetë kam qenë me syze, e imët, dukesha si çun. Për herë të parë e bukur jam ndier nga fundi i 8-vjeçares, kur hoqa syzet. Një shok i klasës më tha: ‘Ua, sa e bukur që qenke!’. Në vit të parë, nisa të vishja taka. Më hipi vetja në qejf, isha një adoleshente e lumtur, – qesh ajo, ndërsa tregon që edhe këtë “qejf” e përjetonte me pak vështirësi. – Nuk mjaftonin prindërit, por edhe motrën e kisha fanatike. '

Në disko shkoja me shumë manipulime, sepse as ajo nuk më mbështeste. Motra më thoshte gjithmonë: ‘Përqendrohu tek vokali, puno me zërin, lëri veshjet për më vonë’”. Të motrës ia adreson një pjesë të suksesit të saj. Vitet e fundit, as motra dhe as prindërit nuk kanë më ndikim tek veshja e saj si dikur. Ajo i bën vetë zgjedhjet e veta, edhe pse sa herë që mund “ta teprojë” pak me gjatësinë e fundit apo me shkurtësinë e bluzës, është dikush tjetër që e gjykon me syrin e një prindi apo fqinji: media. “Për arsye që as vetë s’i di, duket se mediat nuk më duan kur bëhem ndonjëherë agresive në look. Sa herë që tentoj të rrezikoj pak në veshje, gjithmonë lexoj të nesërmen ndonjë koment në thelb kritik ndaj paraqitjes sime”. E vërteta që Elvana nuk mundet dot ta shpjegojë me fjalë është se 24-vjeçarja, për publikun dhe mediat, do të mbetet gjithmonë ajo vajza e ëmbël dhe e thjeshtë fqinjë, e cila të përshëndet në mëngjes, e sheh në televizor gjatë ditës dhe në darkë e ndesh përsëri nëpër shkallë dhe të buzëqesh me të njëjtën dashamirësi, sikur përpara disa orëve të mos ishte ajo e famshmja e ekranit. “The girl next door” është shprehja më e saktë që do t’i shkonte perceptimit që shqiptarët kanë për Elvanën. Ndërkohë që shumë kolege të saj mundohen të rrëmbejnë vëmendjen me seksualitet të tepërt, me ndryshime të njëpasnjëshme look-u apo me histori të bujshme personale, ajo ka kuptuar atë që shumë femra të tjera fatkeqësisht akoma nuk po e gjejnë: Vetëbesimi është arma më sensuale.

Pas Etheve, Elvana konkurroi së bashku me Ermal Mamaqin tek Maratona e Këngës Popullore. Kur ishte 15 vjeçe, fitoi pjesëmarrjen në Festivalin e RTSH-së me këngën “Pranë teje”, që e kishte krijuar vetë dhe që ia kushtonte Zotit. “Besoj shumë në Zot. Atëherë e frekuentoja kishën, madje kam kënduar shpesh atje”. Në vitin 2004, Elvana provoi suksesin e parë të madh me hitin “Të kam xhan”, të shkruar nga Flori Mumajesi. “Të besohet? E kam sajuar veshjen në momentin e fundit. Bleva një palë pantallona Diesel, gjeta një peliçe dhe e ktheva në bluzë, e kapa me kapëse mbrapa”. Në atë kohë Elvana kishte nisur zyrtarisht bashkëpunimin me Mumajesin, i cili u kthye në menaxherin e saj. “Flas shpesh për Florin, madje ndonjëherë, kur ai lexon apo dëgjon intervistat e mia, më thotë: ‘Po e tepron me këto falënderimet. Duhet ta dish që ti ke pasur po aq ndikim tek mua në muzikë, sa edhe unë tek ty’”. Elvana, në një lloj mënyre, mund të quhet muza e Florit për disa nga krijimet e tij më të famshme. “Edhe pse këngët gjithmonë i ka shkruar për të tjera, jo për mua, – qesh Elvana, – por ka besuar tek unë si këngëtare”. Bashkëpunimi i tyre jetëgjatë ka rezultuar aq i suksesshëm, sa njerëzit për njëfarë kohe nuk dinin se si t’ia vinin emrin. Shpesh mediat u përpoqën të krijonin një romancë. Pse jo? Dy të rinj të bukur, që bashkëpunojnë aq mirë, mund të kishin edhe diçka më shumë mes tyre. “Këtë thashethem e morëm si shaka në fillim, por pastaj u bë shumë i lodhshëm. Njerëzit e kishin të vështirë të kuptonin se një mashkull dhe një femër mund të bashkëpunojnë shumë mirë, pa qenë nevoja të kenë shkëndija romantike”. Aq më tepër, mediat nuk ishin mësuar me termin e “menaxherit” dhe me të drejtë, pasi pjesa më e madhe e artistëve menaxhoheshin dhe vazhdojnë të menaxhohen nga prindërit apo partnerët e tyre. 

Për një moment, Elvana ndalon, bën një pauzë të shkurtër, më sheh drejt e në sy sikur të ishte gati të më hapej për sekretin më të madh të jetës së saj: “Një ditë ndoshta do të punoj edhe me kompozitorë të tjerë, ajo ditë do të vijë. Por unë e falënderoj Florin për gjithçka ka bërë. Kam mësuar shumë prej tij, ai më ka bërë një artiste të kompletuar dhe të gatshme për të punuar me të tjerë.” Që pas suksesit mbarëkombëtar të albumit “Mamës” dhe sidomos të hitit “Mamës” me Getoarin në 2006-ën, Elvana nuk ka reshtur nga koncertet. Gati çdo fundjavë e gjen nëpër Europë ose Kosovë me koncerte. Gjatë kohës që ndenjëm bashkë, pati tre oferta, njëra prej të cilave ishte për koncertin në sheshin “Nënë Tereza” me rastin e heqjes së vizave, ku do të ndante skenën me Jonida Maliqin dhe “Elita 5”. Shuma që i ofruan vetëm për disa këngë ishte goxha e majme, le të themi një rrogë shumë e mirë mujore për dikë në një pozicion drejtues të një kompanie. E vërteta është se Elvana kushton. Ajo ka arritur në pikën që vendos rregullat e saj. “Nuk shkoj në asnjë koncert ku të mos ketë skenë, ku të mos kem një dhomë zhveshjeje personale dhe nuk bëj kompromise me pagesën. Kam punuar shumë për këtë ditë dhe nuk pranoj asnjë marrëveshje që do të cenonte imazhin apo punën time”. Sepse edhe mund të ndodhë. Gjithkush është i gatshëm për të bërë pazare, historitë që kemi dëgjuar jashtë intervistave nisin me koncerte ku këngëtares i është kërkuar të hipë në banak, sepse nuk kishte skenë, deri tek mashtrime me pagesat. “Jam e lumtur që nga prapa kam Florin dhe Jeton Dautajn, i cili është një menaxher i shkëlqyer. Është ai që merret me koncertet e mia. Mua nuk më duhet fare të përballem me organizatorë koncertesh.”

Elvanën shumë rrallë e gjen në Tiranë dhe kur është këtu, preferon të “fshihet” me miqtë e saj, sesa të shfrytëzojë ekranin apo paparacët. Dikush e merr në telefon dhe e fton në një program pasditeje. “Do të jenë disa të ftuar? Për çfarë do të diskutohet? Jo, jo, nuk mundem, më vjen shumë keq, por nuk kam shumë lidhje me këtë temë dhe nuk më pëlqen shumë të marr pjesë në panele, – e dëgjoj tek thotë në telefon. – Të them të drejtën, mua nuk më pëlqejnë fare këto diskutimet në grup. E evitoj televizionin dhe, nëse më ftojnë, duhet të jetë mbi këngët apo karrierën time. Duhet të kem çfarë të them e jo të flas kot mbi gjithçka”. Ato ditë po përgatitej për pjesëmarrjen tek “E diell”, ku do të këndonte live disa hite. Herën e fundit që mori pjesë në një emision televiziv ishte tek “Pasdite në Top Channel”, e ftuar në një intervistë dyshe, ekzaktësisht një vit më parë. I ruhet si ekranit, ashtu edhe paparacëve, të cilët kanë nisur ta bezdisin. “Duke qenë se kam vite që këndoj koncerteve, më ka tmerruar jeta e natës. Aq më tepër më tmerrojnë komente në gazeta mbi fotografi që mund të shkrepin klubeve. Unë jam një person që më pëlqen të kërcej, të qesh, nuk më mban karrigia dhe kur shoh fotografë, kontraktohem, sepse kam frikë nga komentet që mund të lexoj të nesërmen, të cilat mund të jenë tërësisht pa lidhje me momentin.” Qëlloi që, një ditë përpara intervistës, “Panorama” kishte botuar një lajm në faqen e parë me titullin “Elvana i jep fund lidhjes së saj 6-vjeçare”. Bëhej fjalë për lidhjen e saj të shumëpërfolur, por edhe “të blinduar” nga mediat, me Rogertin, për të cilin ka folur pak edhe gjatë intervistës së realizuar një vit më parë në “Anabel”. “Ja, këto gjëra nuk më pëlqejnë. E di që jam personazh i njohur, e di që njerëzit kanë interes të dinë për jetën time private, por është e vetmja gjë që kam ruajtur me verbëri, sepse e kam të shenjtë. Pastaj, problemi me këto lajme qëndron në faktin se gazetari po diskuton mbi jetën e një njeriu jopublik, i cili as që ka kërkuar ndonjëherë të dalë përpara kamerave. Nuk i pëlqen ky lloj publiciteti”. Në shkrimin e gazetës kishte një të vërtetë, Elvana dhe Rogerti po përjetonin disa momente krize në çift. “Por jo ftohje, – nxiton të sqarojë ajo. – Sot u takuam dhe në vend që ai lajm të prishte punë, na rregulloi marrëdhënien, – qesh ajo. – Është e thjeshtë, ne nuk mund të rrimë dot pa njëri-tjetrin.

Ai është dashuria ime e parë. Jemi rritur bashkë, por ndodh që jetët tona të kërcasin. Ai është njeri shumë privat, ka pasione dhe një karrierë krejt të ndryshme nga unë, ndërsa unë, për hir të këngës, jam gjithë kohës në vëmendje të publikut. Por sado që ka ndryshime mes nesh, kemi një dashuri të fortë për njëri-tjetrin. Ai më njeh më mirë se kushdo, më ka qëndruar gjithmonë pranë dhe mua nuk më pëlqen ta humbas. Është më e lehtë të humbësh një njeri që do, t’i vësh shkelmin diçkaje që ka vlerë, sesa të përpiqesh ta ruash atë. Meqenëse si tip jam luftarake, preferoj këtë të dytën. Sidomos kur e di se ia vlen”. Bukuroshja e skenës është madje gati të martohet me dashurinë e saj të parë. “Mos u habit kur ta marrësh vesh lajmin, – qesh ajo. Unë vdes të kem fëmijë, edhe pse tani, në këtë pikë të karrierës sime, duket pak e vështirë. Por ama, kurdo që të ndodhë, unë do të jem e gatshme. I dua shumë, madje e vogël kam rritur në njëfarë mënyrë fëmijët e xhaxhait, që kalonin shumë kohë në shtëpinë time”. Fëmijët janë ende një ëndërr në horizont. Krijimi real i sotëm i Elvanës është albumi i dytë, që pritet ta nxjerrë shumë shpejt në treg. Ashtu si në jetë, edhe në muzikë ajo kërkon të ketë një trashëgimi. Ndaj vendosi të bënte një album, “një vepër timen”, e quan ajo, me këngë hit dhe disa balada të reja. “Bota po mundohet t’i shmangë albumet, sepse tani të gjithë nxjerrin këngë nga interneti falas. Por unë dua të bëj diçka që të ngelet”. Elvana ka shumë këngë që kanë ngelur në arkivën muzikore shqiptare, ashtu si edhe të tjera që bëhen hite të mëdha për momentin, por nuk mund të zgjasin më shumë se një sezon. Si “Mamani nejen” p.sh., një këngë e bukur, energjike, me një video inovatore, por edhe sa kohë mund të dëgjohet? “E di që kohët e fundit jam përqendruar tek pjesa komerciale, por po përpiqem që të realizoj edhe disa këngë apo performanca që të ngelin. Dëshira ime më e madhe është të bëja një koncert live, ku të këndoja një repertor që nxirrte në pah të gjithë kapacitetin tim vokalik”. Si “At Last” nga Etta James, të cilën po e mendon ta këndojë tek “E diell” apo këngë nga Frank Sinatra, Mina e të mëdhenj të tjerë me të cilët është rritur. “Xhaxhai im jetonte në Amerikë dhe kur isha e vogël më vinte të dëgjoja të gjithë këngëtarët e mëdhenj. Mbaj mend se mësova përmendsh “My Way” të Sinatrës dhe e këndoja gjithë kohës.

Jo vetëm albumi dhe koncerti live janë ëndrrat e saj, por do të donte t’i kthehej pak edhe Regjisë, degës që ajo studioi në Akademinë e Arteve. “Kur hyra për Regji, nuk e dija që do të kisha kaq sukses me këngën. Sidomos pasi realizova albumin “Mamës”, shkolla u bë shumë e vështirë për t’u ndjekur. Më pëlqen shumë teatri dhe më vjen keq që nuk jam marrë shumë me të”. Temën e diplomës e mbroi me monodramën “Hot Line” nga Angelo Longotti. Së bashku me Jonida Vokshin, e cila është edhe mikesha e saj më e afërt, bënë regjinë, ndërsa Valbona Imami ishte aktorja. “Monodrama u prit shumë mirë. Ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm. Kam dëshirë të bëj një shfaqje tjetër, por dua të gjej diçka, një pjesë të bukur vetëm për femra. Kam realizuar dikur një komedi, “Lisistrata” me 8 aktore femra. Mendoj se temat për gra janë shumë më emocionuese dhe më frymëzojnë më shumë. “Monologët e vaginës”, për shembull, më ka ngelur në mendje si shfaqje; ka pasur një energji të jashtëzakonshme në skenë. Si pa e kuptuar, duke dëgjuar rrëfimet e Elvanës për veten dhe pasionet e saj, kishim kaluar më shumë se 5 orë në atë kafe. Ajo kishte një mënyrë të treguari që nuk bëhej aspak e mërzitshme dhe ajo ndjenja që pata në fillim sikur e njihja prej kohësh, sa vinte e më forcohej. Jo vetëm që Elvana është “The girl next door”, por më shumë se kaq: një shoqe perfekte me të cilën kalon net duke parë filma komikë, duke ngrënë ëmbëlsira sipër një batanijeje dhe duke qeshur me thashetheme të padëmshme. Vetëm se të nesërmen, ndryshe nga një shoqe normale, ajo zhduket përsëri në metamorfozën skenike të radhës. Dhe pastaj, kur e sheh në ekran, as vetë nuk e kupton se si arrin të të befasojë edhe ty, që përpara pak orësh e kishe në një dhomë dhe ajo dukej e zakonshme si të gjallët e tjerë. Epo, kjo është aftësi e rrallë artisti! Ç’të thuash më tepër!