Nuk e kisha takuar kurrë më parë Jehona Sopin. Gjithçka dija për të ishin ato pakinformacione që munda të gjej në Google. Në faqe të ndryshme online flitej në formë thashethemesh për historinë e dashurisë së Jehonës. Thashethemet e tjera nuk ishin veçse përtypje mediatike të të njëjtit lajm të dashurisë së saj trevjeçare me bankierin. Jehona nuk ka dhënë asnjë intervistë të gjatë, ku të flasë për veten. Mikesha e saj më e ngushtë në Shqipëri, Besa Kokëdhima, është vetë një personazh i tërhequr dhe, me aq pak sa dihet për të, vështirë të zbulosh ndonjë rrëfim ku flitet edhe për Jehonën. Tekstet e këngëve të Jehonës nuk kanë pasur kurrë nota autobiografike, ku mund të mbështetesh për të hamendësuar një pjesë të jetës së saj. Ka marrë pjesë vetëm në një festival brenda kufijve tanë – te “Kënga magjike” – dhe nuk është shfaqur thuajse në asnjë emision apo show televiziv shqiptar. Hera e parë që do të interpretonte live do të ishte dy ditë pas intervistës sonë, në programin “E diell” në Top Channel.
Sipas performancave në klipe apo fotove të publikuara në revista, mund të arrish në përfundime të llojit: është fashionista, pëlqen stilin punk, ka një fytyrë të bukur, një siluetë të rregullt dhe të rrumbullakosur aty ku duhet. Mbi të gjitha, qesh jashtëzakonisht bukur. Seç ka diçka buzëqeshja e Jehonës, që është gjëja e parë dhe e fundit që të mbetet në mend! Por a mund ta zbërthesh thelbin e një personazhi bazuar në fakte kaq naive?!
Duke bluar këto mendime, trokas në derën e studios së “Anabel-it”, ndërkohë që shërbimi fotografik kishte filluar të paktën që prej një ore. Jehonën e gjej mes një rrëmuje njerëzish, prozhektorësh, pajisjesh teknike, çantash kartoni të mbushura me veshje dhe valixhesh personale të Turit, artistit të grimit. E ulur në karrige, ndërsa Turi po e grimon, pa lëvizur e me sytë e mbërthyer në tavan, përshëndet: “Ç’kemi! Unë jam Jehona”. Nuk ia shoh mirë fytyrën, por e ndiej që foli duke qeshur. Përsëri buzëqeshja e saj! Përsëri është pak për të ndërtuar profilin e saj, por është mjaftueshëm për të besuar se personazhi i radhës është një njeri pozitiv dhe miqësor.
“Unë dua ta kem mirë me njerëzit, – thotë të nesërmen gjatë intervistës. – Përpiqem që gjithmonë të zbuloj anët e mira të tyre. Për mua, nuk ka njerëz të mirë ose të këqij. Në thelb të gjithë njerëzit e kanë diçka të mirë”. Jehona ka përfunduar studimet në Fakultetin e Psikologjisë në Prishtinë dhe po vazhdon studimet e masterit për Psikoterapi Pozitive. Teoria mbi fëmijërinë shpjegon deri diku karakterin miqësor të saj. Jehona ka kaluar një fëmijëri të lumtur, pavarësisht se në një këndvështrim të përgjithshëm u rrit në një kohë traumatike për të gjithë shqiptarët e Kosovës. Por gjendja e turbullt politike e Kosovës, në mos nuk ndikoi në krijimin e personalitetit të Jehonës, ndikoi në krijimin e karrierës së saj, më saktë vonoi karrierën e saj. Në një kohë kur Adelina Ismaili ishte në kulmin e suksesit, Jehona, vetëm dy vjet më e vogël se ajo, ishte akoma në mëdyshje nëse do të bëhej këngëtare. Për këtë arsye, në kurrikulumin artistik të këngëtares nuk ka asnjë shenjë nga fëmijëria apo adoleshenca. Për herë të parë Jehona u shfaq publikisht në festivalin “Akordet e Kosovës” në vitin 1997, kohë kur i lindi dëshira për t’i hyrë seriozisht muzikës. Përsëri ishte e pamundur të lançohej në atë kohë, kur vendi i saj ishte mes një kaosi politik. I shpreh qartë mendimet e saj ndaj Serbëve, jo duke i përshkruar me urrejtje, por duke zgjedhur të flasë me shumë dhembshuri për popullin e saj. “Nuk dua të përgjithësoj e të shaj popuj, por Shqiptarët e Kosovës me Serbët nuk mund të jenë miq. Çfarë nuk na kanë parë sytë gjatë luftës në Kosovë!”.
E rritur me një frymë patriotike dhe dashuri për Kosovën, Jehona në fillimet e karrierës publikoi edhe një këngë patriotike, “I fundit fat”, ku doli e veshur me kostum popullor kosovar dhe me pamje të trishtë. Por suksesi si këngëtare është i lidhur me pikat e saj të forta, me pamjen e gjallë dhe energjike dhe aftësinë që ka si trendsetter. Ndaj kënga nuk pati kurrsesi suksesin e klipeve të para si “Kriza”, “Jam ajo që jam” e më vonë “Hajdeni”, “Marramendja ime” etj., me të cilat u dallua menjëherë mes turmës së këngëtarëve nga Kosova që u lançuan pas luftës. Jehona e ndërtoi karrierën sipas mënyrës së saj. Në përgjithësi klipet e saj janë plot ngjyra dhe mesazhet e këngëve kanë optimizëm. Këngëtarja 30-vjeçare ka stabilizuar një look punk dhe vishet sipas stilit që sot mund të quhet pa frikë “Jehona Style”. Sipas mënyrës së saj, këngëtarja arriti të mbijetojë kur shumë këngëtare nga Kosova, pas një ose dy këngësh, u zhdukën nga tregu muzikor.
Të njëjtën delikatesë ka përdorur edhe në krijimin e raporteve me shtypin. Ka refuzuar shumë intervista, por ka gjetur kohën t’u japë të gjitha arsyet e duhura gazetarëve në mënyrë që të mos krijojë hatërmbetje. “Më vjen keq sidomos për një gazetar, që prej dy vitesh më është vënë pas për një intervistë. Gjithmonë i përgjigjem duke i dhënë edhe arsyet e mia përse nuk mund të dal nëpër gazeta”.
Entuziazmi i Jehonës është ngjitës, aq sa, sa më shumë kohë kalon me të, aq më e bukur të duket dita. “Tirana ka mot të mrekullueshëm. Tani në Prishtinë nuk do të mund të dilnim dot pa pallto. Ja, shiko, unë vetëm veshje të zeza kam marrë me vete, ngaqë atje është shumë ftohtë. Mua më pëlqen shumë Tirana. Edhe njerëzit janë shumë të dashur. Por kjo e fundit është karakteristikë e popullit tonë. Ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin. Fatmirësisht e kemi akoma të fortë ndjenjën e familjes dhe të shoqërisë. Në vendet perëndimore njerëzit janë bërë individualistë. Për këtë arsye e urrej… Thashë “urrej”? Jo, jo, unë nuk urrej asgjë. Për këtë arsye nuk më pëlqen zhvillimi i teknologjisë, që ka ndihmuar në krijimin e një bote individualiste. Celularët, interneti, nuk janë gjë tjetër vetëm forma për të larguar njerëzit nga njëri-tjetri. Unë nuk kam as Facebook e as adresë msn-je. Do të gënjeja po të thosha që nuk kam as adresë email-i, sepse më duhet për punë”.
Jehona nuk e thotë dot fjalën “urrej”! Sikur po e ekzagjeron me këto qëndrimet pozitive! Të jetë vërtet e tillë apo duke qenë se ka studiuar në Degën e Psikologjisë dhe vazhdon studimet master për Psikoterapi Pozitive, po eksperimenton me veten duke modifikuar sjelljen? Fundja për diçka duhet t’i ketë shërbyer kursi i Psikoterapisë Pozitive! Siç e përshkruajnë edhe shumë shembuj në psikologji, njerëzit kanë perceptime të ndryshme nga njëri-tjetri mbi botën. I Jehonës, edhe në qoftë një sjellje e modifikuar me kalimin e kohës, duket qartë që është shumë pozitiv. Mund të thuash që ajo i ka të gjitha arsyet për ta parë botën në këtë këndvështrim. Ka një lidhje 3-vjeçare me një burrë të suksesshëm, i cili, sipas Jehonës, është edhe partneri ideal; ka një familje që e ka mbështetur moralisht dhe financiarisht; puna e saj është pasioni më i madh që ka në jetë dhe që i siguron të ardhura të mira; ka ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe ka krijuar një imazh të pastër publik. Por prapëseprapë këto arsye mund t’i kenë edhe njerëz të tjerë, të cilët vazhdojnë ta shohin botën gri. Çfarë ka Jehona më shumë? Shumë e thjeshtë! Ajo di të qeshë shumë bukur! I ka qeshur gjithmonë jetës dhe jeta ia ka kthyer në të njëjtën mënyrë. Është ligj universal. Është mesazhi i “sekretit” të Jehonës.
Në një faqe interneti lexova që ishe shenja e Akrepit dhe kishe lindur në 20 nëntor 1980. Me sa di unë, ti je shenja e Peshores. A nuk është mirë të mësojmë saktë ca informacione të thëna nga ti vetë?
Kam lindur në 16 tetor 1980 në Prishtinë. Kam dy prindër me profesione të ndryshëm njëri nga tjetri. Nëna është teknike dhëmbësh, kurse babai inxhinier në telekomunikacion. Nëna ka punuar si ndihmësestomatologe. Kam dy motra dhe një vëlla. Unë jam e dyta nga fëmijët. Kam një motër më të vogël. …dhe, siç më the gjatë shërbimit fotografik, ti je dhe më e shkurtra në familje? (Qesh) Fatkeqësisht po. Jam 1.70 cm e gjatë dhe më e shkurtra në familjen time. Kur dal me vëllanë, ai duket si gjigant para meje, sepse është 1.96 cm i gjatë. Është një pyetje që bëhet rëndom, por më duhet ta bëj, sepse në rastin tënd, pak dihet si e ke filluar muzikën. Në fakt as unë nuk dua të nis atë rrëfimin tipik: Kam qenë e pasionuar pas muzikës që e vogël etj., etj.
Atëherë ta fillojmë pak si më ndryshe. Cilat janë kujtimet e para të fëmijërisë që i lidh me muzikën?
Duhet të kem qenë 6 vjeçe kur në Festivalin e RTSH-së Parashqevi Simaku fitoi vendin e parë me këngën “E duamlumturinë”. Duhet t’i kem torturuar prindërit, sepse kaq shumë e pëlqeja këtë këngë, saqë për muaj me radhë nuk e hiqja nga goja. E filloja në mëngjes dhe e mbyllja në mbrëmje. Kujtime të tjera që më vijnë ndër mend janë pjesëmarrjet në aktivitetet artistike të shkollës. Unë kam qenë një fëmijë shumë i gjallë dhe merrja pjesë në të gjithaaktivitetet kulturore artistike që organizonte shkolla.
Përmende Parashqevi Simakun në një kohë që Kosova dhe Shqipëria i kishin kufijtë e mbyllur e pak dinim përnjëri-tjetrin. Ju i ndiqni rregullisht festivalet e RTSH-së?
Nuk më ka shpëtuar asnjë event kulturor i të tilla përmasavsiç ishin Festivali i RTSH-së, San Remo e sigurisht Euroviozion-i, i cili shndërrohej në një festë kombëtare.
Pastaj vazhdove shkollën për muzikë?
Duhet të sqaroj se i gjithë edukimi im lidhet me situatën politike gjatë atyre viteve në Kosovë. Po, është e vërtetë qëvazhdova shkollën e mesme për muzikë, por shkollën ne e bënim në mënyrë private në shtëpi. Xhaxhai im lëshoi shtëpinë që të zhvilloheshin orët e mësimit. Ishim shumëpak nxënës dhe mësuesit na mësonin në mënyrë private, që të mos mbeteshim të pashkolluar.
Domethënë shkolla në shqip nuk funksiononte si institucion shtetëror?
Jo.
Po mësuesit paguheshin?
Këtë po të shpjegoj. Për shumë vite mësuesit në Kosovë nuk janë paguar, por jepnin mësim në mënyrë vullnetare. Unë i përkas një brezi që u rrit mes vështirësive. Ne nuk kemi organizuar asnjë ekskursion me shkollën, nuk përjetuam ndjesinë e një shkolle të vërtetë. Kur hyra në klasë të katërt, mbaj mend që në Kosovë gjendja filloi të përkeqësohej edhe më shumë. Njerëzit po i largonin nga puna, institucionet shkollore u mbyllën ndaj katër vitet e të mesmes i kam mbaruar në shtëpinë e xhaxhait. Fatkeqësia më e madhe është se akoma edhe sot mësuesit e shkollave të mesme marrin paga shumë të ulëta. Më vjen shumë keq, sepse janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj për edukimin e brezit të ri.
Kur ka qenë hera e parë që je shfaqur për publikun?
Ka qenë viti 1997 kur mora pjesë bashkë me një shoqen e klasës te “Akordet e Kosovës”, që ka qenë një festival nga ku kanë dalë shumë artistë, si për shembull Nexhmije Pagarusha apo këngëtare të brezit tim, si Adelina Ismaili. Madje Adelina Ismaili ka marrë pjesë që fëmijë në festivalin “Akordet e Kosovës” për fëmijë. Atë vit që mora pjesë unë, organizatorët filluan ta rimëkëmbnin aktivitetin, por nuk zgjati, sepse më vonë situata politika në Kosovë u tensionua edhe më shumë.
Adelina ka shërbyer si model për ty?
Nuk kam qejf të bëj krahasime të këtij lloji. Adelinën e kam mikeshë të mirë dhe është mbi të gjitha artiste, por unë nuk kam pasur modele për të ndjekur. Arsyeja është e thjeshtë. Kur Adelina ishte në kulmin e karrierës, unë ende nuk e kisha ndarë mendjen se çfarë do të bëja me jetën time. Pas pjesëmarrjes te “Akordet e Kosovës”, fillova të mendoj seriozisht për t’u marrë me muzikë.
Po pastaj ç’ndodhi?
Siç të thashë, karriera ime si këngëtare lidhet ngushtë me situatën politike. Kur unë ende nuk kisha përfunduar shkollën e mesme, në Kosovë plasi lufta. Thuajse të gjithë shqiptarët e Kosovës u dëbuan nga vendi. Bashkë me familjen time, ne u larguam drejt Maqedonisë. Ka qenë një kohë shumë e vështirë për të gjithë Kosovën.
U prek familja juaj nga lufta?
Po. Babanë e kanë rrahur kaq shumë, saqë i kanë thyer nofullën dhe brinjët. Në luftë kam humbur djalin e xhaxhait 22 vjeç dhe kam pasur të afërm të tjerë plagosur.
Mbaj mend kur na dëbuan nga shtëpitë, rrugës kur po shkonim drejt Maqedonisë, ndeshëm me kolona pa fund njerëzish. Kishte qindra gra dhe fëmijë të uritur. Nuk e di ku e gjeti babai im guximin për t’u kthyer në Prishtinë kur gjendja ishte kaotike, për të marrë ushqime, të cilat i shpërndamë dhe na u mbaruan brenda 24 orësh. Kur u ktheva... (qan) ...më mirë e lëmë me kaq. (Pas një pushimi, Jehona fillon të tregojë). Fatmirësisht, kam pasur prindër që kanë punuar shumë.
Edhe gjatë viteve më të vështira, jo vetëm për familjen time, por për të gjithë Kosovën, prindërit e mi kanë bërë sakrifica nga më të mëdha që ne fëmijëve të mos na mungonte asgjë në shtëpi. Gjatë kohës kur babanë tim e larguan nga puna e po ashtu pak kohë më vonë edhe nënën, prindërit e mi bënë sakrifica të jashtëzakonshme që ne të mos i kuptonim vështirësitë financiare që po kalonte familja jonë. Babai mori një tokë me qira dhe mbolli domate. Për të nxjerrë të ardhura, dilte në treg për t’i shitur. Kështu, babai im, nga një punë e mirë si inxhinier, filloi të punonte tokën. Ndaj mua kurrë nuk më mungoi asgjë në një kohë kur familje të tjera nuk kishin me çfarë ta shtronin tavolinën. Por gjendja jonë ekonomike u përmirësua kur babai filloi punë në Rusi në “Mabetex”, e cila është një firmë ndërtimi kosovare që kërkonte njerëz profesionistë dhe ofronte paga vërtet të larta. Kështu, në kohën kur familjet kosovare shtynin muajin me 10 marka, unë u kërkoja prindërve xhinse Levi's, që në atë kohë kushtonin 120 marka. Isha në një klasë me fëmijë që vinin nga familje në gjendje të mirë ekonomike dhe ishin të gjithë të veshur mirë. Ndaj, për të mos e ndier ndryshimin, si fëmijë që isha, kërkoja veshje sportive dhe atlete të firmuara. Kur kujtoj sakrificat e prindërve të mi, them se njerëzit që e duan punën, jo vetëm që mund të mbijetojnë në kohëra të këqija, por mund të jetojnë mirë.
Të ka ndihmuar gjendja e mirë financiare e familjes për t’u bërë këngëtare?
Prindërit më kanë ndihmuar për gjithçka. Ata paguan të gjitha shpenzimet për albumin tim të parë, "Jam ajo që jam", i cili u publikua në vitin 2003. Ata paguan edhe realizimin e klipit të parë "Kriza". Falë mbështetjes së tyre, munda të punoj që në fillim me njerëz profesionistë e normalisht edhe më të kushtueshëm. Kam zgjedhur gjithmonë më të mirët. Unë ose dua ta bëj mirë diçka, ose nuk e bëj fare. Ndaj albumi im i parë doli i suksesshëm.
Cilët ishin bashkëpunëtorët e tu në këtë album?
Bashkëpunova me Enis Preshevën dhe Darko Dimitrovin. Isha ndër të parat këngëtare kosovare që bashkëpunova me Darko Dimitrovin. Ai bëri “Krizën” dhe "Jam ajo që jam".
Po klipet kush i realizoi?
Ah, kjo është një pikë interesante. Klipet i realizoi Aleksandri, por në një kohë kur askush nuk e njihte në Shqipëri apo në Kosovë.
Si e gjete Aleksandrin? Kush ta sugjeroi?
Në fakt, në kohën kur kam realizuar klipin "Kriza", Aleksandrinjihej pak edhe në vendin e tij, në Maqedoni, ku kishte realizuar disa klipe. Kishte realizuar edhe klipin “Piroman” për Tunën dhe mua më kishte pëlqyer shumë ky klip. Darkoja ma sugjeroi dhe më tha që është vërtet i talentuar. Unë kërkova të bëja një klip me një shumë modeste. Shuma ishte modeste sipas tyre, sepse mua më dukej shumë.
Cila ka qenë kënga që të lançoi në Kosovë dhe si fillove ta masje suksesin tënd?
“Kriza” është një këngë që pati shumë sukses. Filloi të dëgjohej shumë nëpër klube nate. Kënga “Përvjetori” dhe “Fustani i bardhë” di që kanë pasur shumë sukses. Suksesin fillova ta masja me koncertet e shumta që po bëja.
I referohesh koncerteve në klube nate në Kosovë?
Po, por sidomos koncerteve të organizuara jashtë shtetit. Në klubet e natës në Kosovë këndoj rrallë. Nuk jam e përhershme në ndonjë klub.
Po kaq rrallë ke realizuar edhe klipe? Është një strategji që ke zgjedhur për të ndërtuar karrierën tënde?
Unë dua të eci me hapa të sigurta. Dua që kur t’i bëj gjërat, t’i bëj mirë. Jam një tip që nuk dua t’i imponohem publikut duke prodhuar vazhdimisht, ndaj nuk kam realizuar shumë klipe. Kam qejf të punoj jo sepse duhet, por sepse më pëlqen. Por në Kosovë u lançova edhe nëpërmjet programeve të fundvitit, që dikur kanë qenë të rëndësishëm. Në kohën kur lançova albumin, shumë këngë u bënë të famshme, pasi u transmetuan në këto programe. Në Shqipëri këto këngë nuk janë aspak të dëgjuara.
“Mos thuaj jo” ka qenë një këngë që në Kosovë është bërë e famshme në klube. Me sa di, në Shqipëri nuk e njohin fare. Një tjetër këngë që në Kosovë qëndroi për tetë javë në vendin e parë në klasifikimet muzikore është “Thuaje”. Përsëri në Shqipëri është fare e padëgjuar.
Sepse këtu këngët më tepër lançohen nëpërmjet klipeve.
Me sa di unë, këto këngë nuk janë realizuar me klipe?
Po, është e vërtetë.
Po tani, Jehona, vazhdon të punosh vetëm për pasion?
Prej shtatë vitesh kënga është kthyer në profesion. Unë jetoj mirë me të ardhurat që fitoj nga koncertet. Kam shëtitur një pjesë të madhe të Europës me koncerte, kam takuar shumë bashkatdhetarë. Kënga është një profesion që më pëlqen.
Menaxhohesh nga dikush?
Jo. Le të themi që kam ndërmjetës. Kohët e fundit im vëlla po merret me ndërmjetësimin e koncerteve.
Është më mirë të punosh me menaxher?
Është shumë e vështirë të punosh me menaxher. Nuk e kam fjalën për raportet që mund të krijojë menaxheri me këngëtarin, por për vështirësinë e raporteve të menaxherit me organizatorët e koncerteve. Në Kosovë, besoj edhe në Shqipëri, nuk funksionon akoma profesioni i menaxherit artistik për këngëtarin.
Më tregove që kjo është intervista e parë që jep pas shumë vitesh. Përse ke zgjedhur të ruash një profil të ulët publik?
Sepse kjo është një mënyrë për të ruajtur jetën time private.
Për shkak të ndonjë incidenti që ke pasur më parë me mediat?
Unë nuk do ta quaja incident; janë thjesht thashetheme.
Disa vjet më parë në media doli një thashethem për arsyen e ndarjes tënde nga ish-i dashuri. U shkrua sikur shkaktare e ndarjes ishte Adelina Thaqi?
Ka qenë vërtet thashethem, ndaj nuk më duket e arsyeshme t’iu hyj sqarimeve. Lidhja ime e parë përfundoi sepse kishte ardhur momenti për të përfunduar dhe kaq.
Lidhje? U fol se ai ishte bashkëshorti yt.
Juridikisht nuk kam qenë asnjëherë e martuar dhe përderisa nuk kam qenë e martuar, as jam divorcuar ndonjëherë. Përse të flasim për lidhje të kaluara kur kam tani një lidhje tjetër, e cila më bën shumë e lumtur?! Shpresoj të zgjasë përjetësisht.
Keni tre vjet me Lavdimin?
Unë jam pak si meshkujt në këtë pikë. Nuk i mbaj mend saktë datat. Por duhet të kem më shumë se tre vjet. Jam shumë e lumtur që pata fatin të njoh një njeri si Lavdimi. E them me plot gojë që kam gjetur dashurinë e vërtetë. Sikur nesër të ndahem, do t’i jem përjetë mirënjohëse dhe do të jem shumë e lumtur për momentet e bukura që kam kaluar me të. Kam takuar njerëz që nuk e kanë njohur kurrë dashurinë e vërtetë në jetën e tyre dhe sinqerisht më vjen keq për ta. Unë jam shumë me fat që u njoha me Lavdimin.
Kam lexuar diku që e ke shumë frikë vetminë?
Po, është e vërtetë. Unë jam rritur në një familje të madhe dhe të lumtur. Jam rritur me dashurinë e tyre e nuk mund të jetoj ndryshe. Edhe kur të vdes, dua të jem e rrethuar nga njerëzit e mi të dashur.
T’i rikthehemi një pjese tjetër të rëndësishme të jetës tënde: studimeve për Psikologji dhe Psikoterapi Pozitive…
Kam mbaruar Fakultetin e Psikologjisë sipas sistemit të Bolonjës. Jam shumë e lumtur që u jam futur studimeve të psikologjisë dhe besoj që nuk do të ndalem kurrë gjatë gjithë jetës. Psikologjia është një shkencë që kërkon studim të vazhdueshëm. Nuk mund të them se me përfundimin e Fakultetit unë kam mbaruar punë me psikologjinë apo mund të quhem psikologe. Deri tani kam fituar vetëm një çelës për të hapur derën dhe për të studiuar shkencën.
Ndërkohë vazhdon studimet master për Psikoterapi Pozitive?
Po. Është e vërtetë.
Të ka ndihmuar kursi i Psikoterapisë Pozitive në nivel personal? A mund të më japësh ndonjë shembull konkret?
Nuk më vjen ndër mend ndonjë shembull. Por di të them që nëpërmjet studimeve psikologjike, arrij t’i menaxhoj situatat me të cilat përballem më mirë dhe i marr problemet më lehtë. Psikoterapia pozitive ndihmon për të krijuar një balancë me familjen, aktivitetin fizik, shëndetin dhe partnerin. Të gjitha këto duhet t’i kesh në nivelin e duhur. Sepse nëse njëra mungon, atëherë njeriu ndjen boshllëk. Njeriu duhet të bëjë të pamundurën që këtë boshllëk ta mbushë me gjëra të tjera.
Mendon se çdo njeri e arrin këtë balancë nëpërmjet psikoterapisë pozitive?
Ndihmon shumë. Por është e pamundur që gjërat të jenë kaq absolute. Personalisht studimet e psikologjisë më kanë ndihmuar të kem një jetë më të lehtë. Pastaj gjithçka varet edhe nga personaliteti i njeriut.
Si duket, ti je e prirur për të menduar pozitivisht.
Po. Besoj se po. Mua më pëlqen shumë libri “Sekreti”. Është një libër filozofik dhe unë besoj në atë filozofi. Është ligji i tërheqjes. Nëse njeriu e dëshiron me shpirt diçka, e realizon. Por shpesh, librat filozofikë, sidomos ato me karakter komercial, janë autosugjestionues dhe autosugjestioni funksionon e në këtë mënyrë njeriu është i prirur të besojë në libra të tillë. Por “Sekreti” ka edhe diçka tjetër: të jep ndjenja pozitive për një kohë të gjatë pasi e ke lexuar.
Ka ndonjë lloj filozofie që nuk i përshtatet karakterit tënd?
Po. Për shembull teoria ekzistencialiste. Unë jam kundër saj, sepse njeriun e shoh si qenie sociale dhe jo të veçuar. Një teori tjetër që nuk e mbështes tërësisht është teoria e Frojdit mbi impulset seksuale. Për mendimin tim, jo të gjitha fenomenet shpjegohen si pasojë e impulseve seksuale. Nga ana tjetër, më pëlqen jashtëzakonisht shumë ndarja që i ka bërë Frojdi njeriut në id, ego dhe super ego.
Besoj se studimet të kanë ndihmuar edhe për të kuptuar një njeri nga gjuha e trupit?
Po, por varet edhe nga koha që rri me të. Sigurisht, disa nga mesazhet që jep gjuha e trupit, por është shumë i rëndësishëm edhe kohëqëndrimi.
Gjatë kësaj kohe, kape ndonjë mesazh për bisedën tonë?
Nuk patëm kohën e duhur për të përcaktuar shumë detaje. Por mund të them që patëm një bisedë të këndshme.