Ishte dita e parë e vitit tek “Petro Nini Luarasi”. Zaimina, atëherë 14 vjeçe, pa vënë këmbën mirë në korridoret e shkollës, thirret në drejtori. Një mësuese kishte vënë alarmin. Diçka nuk i kishte pëlqyer tek nxënësja e sapoardhur. “Çfarë ka? Çfarë ka bërë?”, pyeti drejtori. Ajo, pa hedhur vështrimin nga Zaimina, përgjigjet: “Ja… se është… kështu si është!”. “Unë vetëm qaja në zyrë, nuk po kuptoja asgjë. Isha veshur shumë thjesht, me një këmishë dhe një palë pantallona, dhe nuk e dija përse po më sulmonte”. Atëherë Zaimina Vasjari ende nuk kishte bërë gjoksin, nuk kishte dalë në vaskë e mbuluar me shkumë duke kënduar “Bonito” e as i kishte oksigjenuar flokët. Por kishte një seksualitet të dukshëm, që as ajo vetë nuk e dinte.
Ndoshta se deri në klasë të shtatë kishte luajtur me çunat dhe, si e përkëdhelura e babait dhe e vogla nga dy vajza, donte t’i ngjante atij dhe t’i bëhej “shok i ngushtë”. Papritur, në klasë të tetë, diçka ndryshoi tek ajo: trupi i mori hov. “Deri atëherë ‘Zaçja’ ishte shumë më e shkurtër se mua, edhe pse kishim vetëm një vit diferencë. Të gjithëve iu dukej si çun. Derisa shkoi në klasë të tetë. Ne e kishim shtëpinë pas gjimnazit ‘Sami Frashëri’ dhe mua vazhdimisht më ndalonin çuna që më pyesnin për motrën time”, tregon motra e madhe, Beliola.
Bukuroshja, ende në 8-vjeçare, pa arritur 172 cm e sotme, i ra në sy stilistes Zina Kondi, që i propozoi Fadil Berishës të bënin ca foto. Pas disa muajsh ajo u zbulua nga organizatorët e “Miss Shqipëria 2002”. Episodi i mësueses së “Petro Nini Luarasit” (më pas Zaimina, e pakënaqur nga trajtimi i mësueseve ndaj saj, vendosi të ndërrojë shkollë dhe vazhdoi të mesmen tek privatja “American Global High School”) është shumë domethënës nëse do të shohim të gjithë jetën e saj në vazhdimësi.
Performuesja seksi është një nga femrat më të paragjykuara dhe më të sulmuara në showbiz. “Kanë thënë çdo gjë për mua! Më kujtohet që një herë lexova një titull në gazetë ‘Ku i gjen lekët Zaimina?’, duke nënkuptuar se unë, meqenëse bëja videoklipe, duhej të kisha financues ndonjë apo shumë meshkuj. Kanë aluduar për marrëdhënie me njerëz që unë as e di që ekzistojnë. Më kanë bërë lloj-lloj gjërash, aq sa më dukej sikur nuk po lexoja më për veten, por për dikë tjetër që më ngjante fizikisht”.
Por seksualiteti i saj shet, aq shumë, sa faqet e para të gazetave u hapën një ditë me disa foto soft-porn, ku koka e Zaiminës ishte montuar me mjeshtëri në trupin e disa modeleve nudo të huaja. “Unë as që e kisha idenë, por në mëngjes më zgjon një miku im dhe ai vetë i habitur më thotë: ‘Çfarë ishin ato?’. U tmerrova kur i pashë, – dhe pastaj vazhdon, – madje në një foto isha edhe me shoqen time, Xhulin! Se kush qenka kjo Xhuli!”, dhe qesh. Por atë kohë e kujton si një ndër periudhat më të vështira të jetës së saj. Hajde mbushu mendjen njerëzve se ato ishin foto-montazh! Madje, po të klikosh në internet, edhe sot e kësaj dite sheh se, pavarësisht shpjegimit nga zotëruesi i website-it ku janë publikuar fotot që “ato janë foto-montazh”, komentet e njerëzve janë gjithë mllef. Femra dhe meshkuj e shajnë Zaiminën dhe e quajnë “Turpi i vajzave shqiptare!” apo “Kurvë!”.
Po a është vërtet faji i shqiptarëve për gjithë këto paragjykime ndaj bukuroshes 23-vjeçare? Diskutimi për të vendosur Zaiminën në kopertinë ka qenë një nga diskutimet më të zjarrta brenda stafit. Pavarësisht se “Anabel-i” është revistë mode dhe i lejohet të ketë në kopertinë nga personazhe të njohur deri tek modele – mjafton që të sjellin një frymë të modës së fundit – njerëzit gjithmonë e konsiderojnë personazhin e kopertinës si model. Model për veten, për fëmijët e tyre, për shoqërinë.
Me disa videoklipe shumë provokuese, si “Chupa Chupa” dhe “Bonito” në CV, me një vokal që nuk mund ta klasifikojë tek këngëtaret e mira (si artistet e mëparshme në ballinën e “Anabel-it”: Besa, Jonida, Tuna apo Adelina) dhe me një veshje që shpesh thyen rregullin e klasit “këmbët jashtë dhe gjoksi i mbuluar ose anasjelltas”, Zaimina ishte një pretendente e fortë për të mos qenë në kopertinë. Natyrisht, nëse do t’u bindeshim vetëm këtyre tre rregullave dhe opinionit të përgjithshëm për atë që duhet të jetë imazhi i muajit në një revistë.
Por ja që herë pas here përplaseshim me sinjale të tjera, që nuk na linin të qetë. “Zaimina ka ndryshuar look tërësisht. Mjafton të shihni dy videoklipet e fundit. Ka një stil mjaft modern, që nga veshja, deri tek flokët dhe grimi”, më tha një ditë Jonida Maliqi, e cila një mbrëmje më parë kishte parë videoklipin e fundit të bukuroshes “Problem”. Tek “E diela Shqiptare” Sonila Meço i tregon publikut se vajza seksi kishte mbaruar shkollën e mesme me mesatare 9.7 dhe këtë e kishte konfirmuar nga drejtuesit e asaj shkolle (këtë lajm e botoi disa javë më vonë “Bluetooth” i “Gazeta Shqiptare”). Olti Curri, një nga tekstshkruesit më të mirë shqiptarë, më tregonte herë pas here se sa i mrekulluar kishte ngelur nga bashkëpunimi me Zaiminën, sa korrekte ishte ajo gjatë gjithë punës.
Por Zaimina na intrigoi edhe më shumë kur nisëm të kujtonim se dy vitet e fundit, përveç ndonjë fotoje me rroba banje të shkrepur në pishinë dhe intervistave për albumet e saj, asgjë tjetër nuk dihej për të. Ku ishte ajo dhe jeta e saj private? Përse nuk flitej për të dashurit e saj të vërtetë, të rremë, makinave që u jepte apo ngjyrën e të mbathurave, siç bëhej me të tjera? Nuk e shihje as të përqafuar në festa me personazhet e “BB”, ku publiciteti ishte i garantuar. Ajo dalëngadalë i ishte afruar shumë kopertinës dhe dëshirës sonë për ta shndërruar krejtësisht, por nuk e njihnim ende.
Ndaj një pasdite qershori vendosëm ta takonim. Si asnjëherë tjetër, me asnjë personazh, 4 veta nga stafi ynë kishim rrethuar Zaiminën dhe Beliolën (e cila luan edhe rolin e menaxheres së të motrës dhe është gjithmonë me të në çdo takim mediatik) tek një kafe pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot” dhe, si të ishim një juri gjatë një audicioni, vetëm e pyesnim. Zaimina kishte veshur një palë xhinse të gjera (boyfriend jeans) të mbledhura ngushtë rreth kyçit dhe një kanotierë gri. Flokët e zinj e të gjatë i kishte lënë të lëshuar dhe në lëkurën e porcelantë nuk kishte asnjë grim make-up-i, përveç një rimeli të lehtë. Ishte e bukur. Shumë e bukur. As buzët e fryra pak artificialisht nuk i dukeshin të ekzagjeruara, madje sikur i përkisnin asaj. Fliste me një zë të butë, kishte një sjellje femërore, edhe pse herë pas here, kur në tavolinë hidhej ndonjë batutë, e shoqëronte me lëvizje impulsive si përplasje duarsh. Por sytë të ngelnin tek shikimi i saj. Një shikim prej fëmije, i ujtë, ëndërrimtar. Dukej gati si i shkëputur nga pjesa seksuale e saj.
Na u deshën vetëm pesë minuta nga prezantimi i parë për t’u bindur se ajo do të ishte në kopertinë. U ngatërruam në shumë ide se çfarë duhet të ishte ajo, si duhet ta nxirrnim në foto, derisa u vendos: “Malena!”. Nuk do të riinskenonim filmin e famshëm të Tornatore-s, as historia nuk do të ishte e njëjtë, por gjetëm diçka të përbashkët mes të dyjave. Bukuroshe të një fshati të përhumbur, të adhuruara me pasion nga meshkujt dhe të urryera me të njëjtin pasion nga gratë.
Nuk menduam më gjatë për lidhjen mes të dyjave, por një ditë më vonë, teksa nisa të kërkoja mbi opinionin e njerëzve për të në internet, kuptova se kishte një ngjashmëri të frikshme. Poshtë çdo videoklipi në Youtube apo poshtë çdo fotoje të saj në web, ishin me dhjetëra meshkuj që shprehnin gjithë epsh nën pseudonime dëshirat e tyre intime seksuale ndaj saj dhe me dhjetëra femra që e urrenin. E shanin madje deri në pikën sa lexoje komente ku vajza pretendonin se ajo kishte qenë një rosak i shëmtuar dhe ishte bërë e bukur vetëm falë kirurgjisë plastike. Duke harruar se ajo kishte fituar kurorën “Miss Shqipëria” pa asnjë operacion në moshën 15-vjeçare.
Ditën që do të niseshim për në Qeparo, ajo kishte veshur një fustan të shkurtër bust plazhi, kombinuar me një palë sandale të sheshta gladiatori. Flokët i kishte të mbledhura pa extension dhe në fytyrë nuk kishte aspak make-up. U mundova të kuptoja se ku ishte problemi i atij fustani. Ishte perfekt për plazh, çdo femër mund ta vishte dhe e kishte veshur, por nuk të bënte të njëjtën përshtypje si tek Zaimina. “Ajo, çfarëdo që të veshë, gjithmonë duket ndryshe, e ka këtë veti. Tani është verë, por ta shihni në dimër! Me pantallona e xhup dhe prapë kthejnë kokën”, tregon motra e saj, e cila, edhe pse shumë elegante dhe simpatike, na garanton që nuk ka pasur asnjëherë të njëjtin efekt në prezantimin e parë tek të tjerët sa Zaimina.
Gjatë rrugës për në Qeparo, ajo nuk pushonte së treguari histori, bënte shaka dhe imitonte njerëzit me mjeshtërinë e një profesionisti. Nuk kishte asgjë seksi në sjelljen e saj prej komikeje. Sapo mbërritëm në plazh, ajo nxitoi të merrte nga çanta një kuti me letra për të luajtur “Murlan” dhe “Xing”. Luante me zellin e një fëmije, ndërsa njerëzit në kafen e hotelit nuk ia hiqnin sytë. Edhe pas 5 orësh udhëtimi, pas një dreke jo aq të shijshme në një restorant në Himarë, pas një përzierjeje stomaku në kthesat e Llogorasë, ajo sërish dukej e bukur. Fytyra e saj nuk shfaqte një grimcë lodhjeje. Dhe jo vetëm kaq, por në trupin e saj nuk shihje aspak celulit, qoftë edhe një grimcë të vetme, as edhe një celulitëz, sa për të na lumturuar ne femrat e tjera, që të bindemi se perfektja nuk ekziston. “Jo, nuk kam, është gjenetike, pastaj unë 50 kg njeri jam, ku t’i kem”, përgjigjet me shaka dhe vazhdon bisedën.
Duket që këtë pyetje e ka dëgjuar me dhjetëra herë. “Ti duhet të kesh kompleksuar shumë femra në jetën tënde”, i them unë. “Nuk e di, nuk bëj asgjë për të kompleksuar. Por ka pasur raste që shoqe të përbashkëta tonat, përpara se të dilnim, merrnin motrën time në telefon dhe e pyesnin ‘Po Zaimina çfarë do veshë?’. Unë nuk e kisha vendosur akoma dhe më shtynin ta vendosja, sepse nuk dilnin pa ditur veshjen time”. Tipike femërore! “Të them të drejtën, edhe unë habitem kur më marrin kaq seriozisht. OK, jam tërheqëse, por ndonjëherë ky është problem më vete. Femrat bëhen të pasigurta kot. E keni vënë re se si na shemben këto nocione mbi pamjen kur dëgjojmë se si një mashkull tradhtoi të dashurën e tij të bukur për një tjetër më pak të bukur? Sepse pamja në fund të ditës nuk të siguron lumturinë”.
Sado e logjikshme, kjo deklaratë nuk pi ujë kur bëhet fjalë për imazhin e saj në showbiz. A do të ishte Zaimina aq e suksesshme po të mos ishte e bukur dhe të kishte të njëjtin vokal? “Jo, normale që njerëzit në koncerte presin të më shohin edhe mua, përveçse të dëgjojnë këngët e mia. Por problemi këtu është që mua apo të tjerave vajza që konsiderohen seksi në tregun muzikor na kanë vënë në një tabelë qitjeje dhe të gjithë janë të lirë të qëllojnë mbi ne. Harrojnë që seksi shet. Edhe Beyonce, që ka një zë fantastik, vesh fustane shumë të shkurtra, madje është cilësuar si këngëtarja më e zhveshur e Amerikës. Lady Gaga del me të brendshme, Britney Spears, Jennifer Lopez etj. kanë pasur momentet e tyre të lakuriqësisë. Veshjet e tyre diskutohen, por andej nuk u vendosin këngëtareve femra emra nga më ofenduesët, siç ndodh me ne. E kundërta: Michelle Obama i thotë Beyonce-s që jam krenare që vajzat e mia të kanë model”.
Ja ku më solli tek pjesa ime e preferuar. Po mirë, Beyonce përveç cilësive të vokalit, ka edhe një performancë fantastike, që këtu zor se e sheh nga performueset tona, Jennifer Lopez kërcen flamengo me Joaquin Cortes, Lady Gaga apo Madonna, nëpërmjet zhveshjes dhe teksteve të tyre, përcjellin mesazhe që influencojnë miliona njerëz në të gjithë botën dhe krijojnë lëvizje të reja shoqërore. Po Zaimina çfarë bën? “Unë argëtoj njerëzit, populli i do këngët e mia, i pëlqen. Unë nuk pretendoj të jem këngëtare e mirë, madje nuk e kam thënë ndonjëherë këtë gjë dhe as ofendohem kur më sulmojnë në këtë pikë, por këto janë mundësitë tona. Po të ishte Shqipëria si një vend normal perëndimor, atëherë unë nuk do të bridhja me makinën time së bashku me motrën me CD në dorë nga koncerti në koncert në klube ku ndonjëherë mungon edhe skena, por do të kisha agjentë, publicistë dhe shtëpi diskografike nga mbrapa, që do të merreshin me mua. Dhe normalisht (gjithmonë nëse do të isha në këtë fushë) unë do të stërvitesha me orë të tëra në palestër për të bërë të njëjtat performanca si ato andej”.
Zaimina flet me qetësi dhe një gjykim të ftohtë. Nuk pretendon. Kjo ishte ajo që më pëlqeu gjatë gjithë kohës që kalova me të. Nuk pretendonte për asgjë që ajo nuk ishte apo që kërkonte të ishte. “Ky është biznes dhe ky është i vetmi biznes që unë mund të bëj aktualisht. Unë dua t’i fitoj vetë lekët e mia dhe po fitoj shumë mirë. Por edhe lodhem. Nëse do të dëgjoni me kujdes këngët e mia, zëri im ka ndryshuar që nga fillimi deri tani. Sepse e marr më seriozisht këtë punë për aq kohë sa jam këtu. Marr mësime vokali përpara çdo kënge”, e mbyll ajo, duke e ditur se, pavarësisht çfarë thotë, ky lloj biznesi e ka klasifikuar për shumë njerëz si modele të keqe, kur ajo mund të ishte një modele shumë e mirë.
Në moskokëçarjen e saj për të treguar “të mirat” në çdo gazetë apo televizion, ajo ka lënë të hapura mjaft thashetheme dhe trillime. “Pak më parë ti më pyete se çfarë bëjmë ne, si ndikojmë ne. Po ja, për shembull, unë kam krijuar një lidhje shumë të ngushtë me një grup fëmijësh nga ‘Zyber Hallulli’, të cilët i ndihmoj sa herë kanë probleme, kryesisht me mësueset e tyre në shkollë. Kur kanë koncerte, më ftojnë gjithmonë dhe unë e bëj me kënaqësi. Por këto gjëra unë i bëj se kështu e ndiej dhe nuk e shoh të nevojshme të marr në telefon gazetat apo televizionet dhe t’u them ‘Zaimina jam, sapo bëra një bamirësi. Ju lutem shkruani për mua!’”.
Aq pak të vërteta dihen për të, sa edhe unë ende mbarsja me vete një legjendë urbane mbi jetën e saj, që ma kishte thënë dikur një mikesha ime gazetare. “Ti je rritur e varfër në një barakë me prindër të ndarë?”, e pyes. “Jo, prindërit janë bashkë dhe e kundërta, babai im ka qenë kapiten anijeje që në kohën e komunizmit. Të gjitha lodrat dhe ushqimet që shihnim në reklamat televizive, ai na i sillte në shtëpi, – vazhdon ajo. – Babai është idhulli im. Ai nuk na ka lënë asgjë mangut. Edhe kur ka kaluar momente të vështira ekonomike, ne nuk e kuptuam kurrë. Në shtëpi kemi pasur gjithmonë çfarë kemi dashur.
“Po pse atëherë një vajzë e rritur me kaq shumë të mira materiale dhe dashuri, senatore në shkollë të mesme, me talent në pikturë e një pasion të madh për arkitekturën, do të vendoste të bënte kompromise me biznesin e muzikës, të këndonte në klube pa skenë dhe përpara dhjetëra celularëve që presin të kapin ndonjë moment nga të brendshmet e saj për ta hedhur në Facebook?! “Pasi fitova ‘Miss Shqipëria’, unë doja të vazhdoja në muzikë. Gjërat rrodhën dhe unë pashë se njerëzit më donin e më kërkonin nëpër koncerte. Është një punë që, përpos vështirësive, ka edhe bukuri, sepse argëtoj njerëzit. Por nuk është diçka e përhershme. Prandaj iu ktheva arkitekturës. Edhe dy vjet dhe mezi po pres të punoj në një studio arkitekture”.
“Nuk është se të favorizojnë në nota pak edhe profesorët? Ti je e njohur, shkollat private nuk janë edhe aq strikte…”, e pyes unë. “Ka pasur raste kur kam qenë me koncerte dhe kam kërkuar leje. Për sa u përket notave, nuk kërkoj favore. Pastaj provimet finale janë me kode dhe jo me emra, kështu që notat e mira i marr nga merita dhe jo nga emri im”. Përpara se t’u rikthehej studimeve për arkitekturë, ajo mori disa mësime për designer pranë “Elia Style” dhe “Aeromode School”. Hapi një atelie ku dizenjonte vetë, si edhe shiste fustane nusërie. “Duhet t’i rrish në kokë çdo biznesi, por unë isha e angazhuar me koncerte. Shpesh e kisha të pamundur t’i përballoja klientët, nuk isha e prerë për atë punë. Kishte njerëz që vinin se donin të më takonin mua, ndërsa unë kujtoja se do të merrnin fustane dhe provonim bashkë me orë të tëra”, tregon ajo, edhe pse vetë vazhdon të dizenjojë e të qepë të gjitha fustanet e saj për videoklipe.
Dy vitet e fundit pamja e saj ka ndryshuar totalisht. Ka një frymë perëndimore. “Por në fillim në treg [muzikor] mbizotëronte fryma bullgare, ndaj videoklipet e mia të para në look ndiqnin atë frymë, më pas u tërhoqa shumë nga risitë e modës botërore. Si stilist adhuroj Marc Jacobs”. Në veshjet e saj të përditshme nuk ka shumë firmato, përveç një çante Louis Vuitton, nga koleksioni Stephen Sprouse, që ajo e përdor aq shkujdesur sikur të ishte një çantë pazari. “Prandaj është origjinale që të keqtrajtohet”, thotë ajo me të qeshur. Është e vetmja gjë që bie në sy. Përdor një Nokia të vjetër që një Zot e di se ku mund ta ketë gjetur në epokën e Blackberry-t dhe iPhone-it dhe prej vitesh ka të njëjtën makinë: një Golf 4 të 2002-shit.
Ndërsa gruaja që Zaimina “aktroi” në fotot e editorialit është e mbushur me të mira materiale nga i shoqi emigrant, por ka boshllëk shpirtëror. “E kuptoj fare mirë atë lloj gruaje. Për mua lekët janë të rëndësishme se krijojnë pavarësi, por unë jam romantike, unë dua të më dashurojnë dhe të dashuroj”. Bisedën tonë e ndërpresim herë pas here me tema jashtë interviste (çfarë prisni nga një e shenjës së Binjakëve, si Zaimina?!). Në një moment ajo mërzitet me mua dhe Beliolën që mbronim Mel Gibson-in gjatë incidentit me të dashurën e tij Oksana. “Një njeri që ka lekë, ka pushtet, nuk do të thotë se ka të drejtë të keqtrajtojë një grua në atë mënyrë. Çfarë duan këta burra, përse nuk bien rehat? Mirë ia bëri ajo!”, thotë ndërsa ne i kundërviheshim duke këmbëngulur se Oxana kishte bërë gabim që e kishte regjistruar bisedën. “Femrat janë shumë të forta, zakonisht janë meshkujt ata frikacakët që prishin marrëdhënien”, vazhdon.
“Po ti ke frikë nga tradhtia?”. “Më shumë kam frikë nga fakti që meshkujt nuk do të mundin të japin ndonjëherë aq sa femrat japin për ta”. Gjatë kohës që ndenjëm bashkë, në telefonin e saj personal (numrin e të cilit e dinë shumë pak veta dhe askush nga media), dikush merrte vazhdimisht. Ishte ose Ai, ose prindërit e saj. “Unë dashuroj një njeri prej shumë vitesh, por nuk dua të flas për të. Se në momentin që kërkon vëmendjen e të tjerëve për historinë tënde, do të presësh edhe komentet dhe gjykimet e tyre. Por unë nuk dua ta ndaj më askënd këtë histori. Vetëm një çift e di se sa e vërtetë është dashuria”. Teksa thotë këto fjalë, sytë e saj të ujshëm duken gati sikur do të derdhin lot. “Pavarësisht se të gjithë kemi pasur dëshira e kuriozitete, unë nuk jam nga ato që dua ta mbush jetën time me famë e ta mbaj të zbrazur nga dashuria. Nuk besoj se jetohet kështu. Unë jam ajo romantikja klasike që jap gjithçka për atë që dua, ia fal gabimet dhe mendoj familjen dhe pleqërinë me të”.
Qetësia që ndoqi këto fjalë (një shenjë e heshtur për të më sugjeruar se nuk donte të vazhdonte më mbi këtë temë) nuk zgjati shumë, sepse pas disa minutash në tavolinë vjen porosia nga një fast-food. “Një club sandwich, toast me vezë dhe… ku është ëmbëlsira ime? Unë vaktin e dua të plotë!”, thërret ajo duke qeshur dhe i kërkon Beliolës të telefonojë sërish. “Ku e çon gjithë këtë ushqim?”, e pyes unë, shumë kg më tepër se ajo dhe u ngopa vetëm duke parë ushqimin në tavolinë. “Kam fatin të kem këtë metabolizëm”. Deri përpara 6 muajsh, ajo merrej me palestër. “Rrija 4 orë në ditë. E kam me shumë qejf. Do t’i kthehem prapë sa të mbyll sezonin”. Beliola, gjatë gjithë bisedave, pohon se “Zaimina të ngre nervat, nuk shëndoshet, nuk ka celulit dhe duket gjithmonë bukur!”.
Por Zaimina ka edhe diçka tjetër që Beliola harron ta cilësojë: ka motrën e saj. Nëse prindërit do të kishin një dëshirë për fëmijët e tyre, të uronin të kishin këtë dashuri dhe afrimitet sa Zaimina dhe Beliola. Beliola është menaxherja, publicistja, motra, shoqja, këshilltarja e saj më e ngushtë. Ajo merret me të gjitha daljet e saj publike, ndërsa Zaimina vetëm “i bindet”. “Kur isha e vogël, në fillim më shoqëronte mami nëpër koncerte, por më pas babi i kërkoi Beliolës të vinte me mua. Kështu u lidhëm më shumë”. Inicialet e Beliolës Zaimina i ka gdhendur në tatuazhin tribal që ka rreth parakrahut. “Beliola është motra dhe shoqja ime, njeriu i vetëm të cilit i besoj. Në këtë botë ka shumë hipokrizi, ndaj duhet të qeshësh, të bësh punën dhe të kthehesh në jetën tënde. Ky biznes ka shumë falsitete dhe dikush gjithmonë pret me rastin e parë që të të fundosë”.
E ka mësuar këtë gjë që ditën e parë të shkollës, kur një grua shumë më e madhe (por jo më e pjekur) se ajo e sulmoi vetëm se Zaimina ishte e bukur. Pa dhënë asnjë arsyetim, pa pasur asnjë provë, ajo u frikësua nga bukuria e saj dhe efekti që (me zgjuarsinë e një femre) parashikoi se do të kishte tek meshkujt. Zaimina është shumë e bukur, madje në disa poza ka një ngjashmëri të frikshme me Angelina Jolie-në. Por mbi të gjitha ajo është shumë e vërtetë! Nga ajo vërtetësi që të merr malli ta ndeshësh në kohët e sotme. Sa shumë “modele” të mira shoqërore me veshje deri tek gjuri e diploma në xhep takojmë nga afër dhe sa të dëshpëruara na duken teksa përpiqen të largojnë të kaluarën e të krijojnë një “un” tjetër në të ardhmen. Sa pak të çiltër e të drejtë takojmë si Zaimina! Atëherë përse ta fundosim me urrejtjen shtazarake të grave që shkulën flokët e Malenës, kur mund ta ruajmë e ta duam ashtu siç është?!