Mendova se e kisha nën kontroll shkrimin për Zhakun kur e takova gjatë seancës fotografike. Ishte ashtu siç e kisha menduar. Sillej moskokëçarëse përpara aparatit, bënte shaka me të gjithë, shpeshherë gjatë ndërrimit të veshjeve më fliste për projektet e saj që kishte në plan dhe rendiste: skenar filmi, program televiziv, roman, projekt në teatër… Njësoj siç bënte gjithmonë: shpërndahej kudo, donte t’i bënte të gjitha. Gjatë gjithë ditës kishte atë sjelljen prej “nuk më intereson se çfarë mendon për mua”, që ne ia njohim mirë pas kaq vitesh të Zhakut në ekran. E kisha gati në kokë shkrimin për të derisa të nesërmen pasdite, në një kafe modeste pranë Kinema Millennium-it, ku e kishim lënë për të bërë intervistën, u prezantova me Inidën.
E veshur casual, me një palë pantallona me kuadrate skoceze që rrinin ngushtë pas këmbëve të saj të gjata e të holla, atlete dhe një bluzë sportive, Inida kishte një butësi femërore gati të thyeshme. Flokët i kishte mbledhur shkujdesur dhe mbante një palë syze optike. Fliste qetë dhe çdo pyetjeje i përgjigjej sikur e priste t’i bëhej. Pa pompozitet dhe pa ndonjë dëshirë për të tërhequr vëmendje. Më fliste më shumë si një mike e vjetër, sesa si vajza që publikisht deklaron se është një brandname, se dëshiron të ngelet në histori si Akili për bëmat e saj dhe se nuk i intereson opinioni i të tjerëve, por vetëm i vetes.
“Zhaku dhe Inida janë të njëjtët persona, vetëm se me rrahje zemre të ndryshme”, tregon ajo. Siç e pranon dhe vetë, ajo është një person i dublikuar, por ndryshe nga personazhe të tjera publike, të dyja vetat e saj janë të pandara nga njëra-tjetra. Edhe nëse njëra “bërtet” më shumë në publik dhe tjetra rri e tërhequr në rrethin e ngushtë shoqëror dhe familjar, së bashku ato krijojnë një vajzë të rrallë në llojin e saj në ekranet shqiptare. Që nga dalja e parë në ekran kur ishte adoleshente me “Hit Parade” në Alba TV, ajo “ka fituar” më shumë epitete se cilido personazh tjetër televiziv: e çmendur, interesante, e çuditshme, acaruese, ndryshe, e paqëndrueshme, idealiste, ekstravagante, “rehat”, e paparashikueshme etj. Por pjesa më e madhe e këtyre klasifikimeve i drejtoheshin vetëm Zhakut, duke anashkaluar Inidën. Ose më mirë, pa i bashkuar të dyja. Inida Gjata (Zhaku), më shumë se çdo përcaktim tjetër, ka një armë që shumë gra e vajza që dalin në televizion nuk e kanë (ose nuk duan ta përdorin): lirinë. Dhe do me çdo kusht që këtë liri ta bëj publike, qoftë duke punuar me projekte, pa u varur nga asnjë televizion apo radio, qoftë me mënyrën se si fl et apo sillet në ekran, qoftë me dëshirën për të qenë në kontroll të çdo projekti dhe të mos mbetet thjesht prezantuese.
Zhaku thotë atë që Inida ka në mendje dhe Inida mbështet të gjitha iniciativat e Zhakut. Prej kohësh ajo është çiftëzuar dhe dashuruar me atë që ka krijuar vetë. Ndaj, nëse keni dyshime, kritika, rezerva për projektet e shumta që merr përsipër, për atë që thotë apo mënyrën se si sillet, të paktën jepini meritën që i takon për lirinë që ka! Sepse personazhi publik që ajo ka krijuar ndër vite, i pakrahasueshëm me asnjë tjetër në tip, është projekti i saj më i rëndësishëm. Inida Gjata (Zhaku) thotë dhe bën atë që shumë gra e vajza të tjera as që do të guxonin, sillet në publik ashtu si shumë sillen në intimitetin e shtëpisë së tyre dhe nuk e ka problem të rrëfej veten e saj me gjithë të mirat e të këqijat kur shumë të tjerë preferojnë ta fshehin fare. Ajo udhëton pa vizë në të gjithë territoret e tabuve dhe shsh-ve shqiptare dhe neve na pëlqen kur kthehet nga këto udhëtime me gjëra që vetë s’i themi dot. Ndaj, çfarëdo të bëjë, është mirë kur e kemi mes nesh dhe e dëgjojmë. Kur arrita në këtë konkluzion, vendosa që të mos e bëja shkrim atë që kisha nisur në kokë. Por ta lija të fl iste vetë. Për të kënaqur edhe ata që e blenë këtë muaj “Anabel-in” me pyetjen: Çfarë do të thotë ajo këtë radhë?
Si t’u duk eksperienca e photoshoot-it, sepse dje më the që e kishe pritur prej vitesh këtë gjë.
Mund të them se ishte një nga eksperiencat më të bukura që kam pasur; më dha shumë kënaqësi. E kam provuar 17 vjeçe, kur kam bërë një set me një fotograf italian me veshjet e Ardi Asllanit në Berat. Prej kohësh kërkoja të bëja një set me Gelin, që të kishte një karakter të ngjashëm me këtë që më ofruat ju. Dhe u kënaqa shumë, se veshjet që zgjodhët ishin të përshtatshme me stilin tim. Mënyra se si Geli e trajtoi të gjithë seancën e fotografi së, liria që ndjeva përpara aparatit, madje edhe punëtorët që u grumbulluan të na shihnin, të gjitha më kënaqën shumë. Gjithsesi, mësova se po të isha modele, nuk do të kisha rezistuar shumë në këtë biznes, sepse është shumë e lodhshme, pasi i përkushtohesh një ditë të tërë.
Stili që ne menduam për ty ishte mashkullor. Në çdo foto ti paraqisje një tip të ndryshëm mashkulli. Ky është stili yt edhe në jetë?
Çdo lloj stili, çdo gjëje që ke në trup – nuk ka rëndësi në është bërë për femër apo për mashkull – duhet t’i japësh kuptim në një rrethanë të caktuar. Megjithatë unë u ndjeva shumë femër.
Të shoh kudo: në ekran, në teatër, në galeri, në kanale muzikore, në gazetë... Nuk mendon se shpërndarja jote në kaq shumë gjëra të dëmton? Njerëzit sapo nisin të lidhen me një punë tënden, menjëherë ti e braktis dhe bën diçka tjetër…
Për mua nuk është e rëndësishme që punët e mia të vlerësohen kur unë jam gjallë, por të vlejnë kur nuk jam. Ata që më kushtojnë vëmendje, e kuptojnë këtë mënyrë timen të të shprehurit. Unë nuk bëj gjëra për t’u dukur, por sepse më pëlqen mua.
Por mjetet që ti përdor të bëjnë të dukesh. Madje shumë njerëz mund ta argumentojnë se mënyra jote – nëse flasim kryesisht për televizionin – e të shprehurit, të komunikuarit, është një thirrje për vëmendje.
Vuaj kur njerëzit mendojnë se jam prezantuese. Unë gjithmonë i kam shkruar vetë gjërat që kam bërë, që te “Hit Parade-i” tek Alba TV. Hyja e dilja siç doja vetë, thosha gjëra që unë mendoja se duheshin thënë. Unë e jetoj atë që di të bëj, nuk hiqem.
“Di të bëj” është një deklaratë e fortë, duhet të jesh shumë e sigurt në vetvete që të marrësh përsipër ta thuash…
Kur them “di të bëj”, dua të them se “di të komunikoj”, por jo të shfaq. Unë nuk jam një mekanik që rregulloj diçka dhe aq më mjafton. Unë komunikoj në format e mia, sepse nuk më duket asnjëherë e mjaftueshme ajo që kam thënë. Në të vërtetë, unë nuk di si ta përcaktoj veten, sepse gjithmonë kam preferuar të jem e çliruar nga çdo lloj përcaktimi.
Dakord, këtë e kuptoj. Por e kam të vështirë të kuptoj sigurinë e madhe që ke tek vetja…
Unë kam investuar në gjërat që kam bërë. Kam bërë Regji në shkollë, babai im është regjisor, jam rritur në ambient artistësh, jam rritur në teatër, jam rritur me emisione televizive, që nga programet e fëmijëve. Unë ndihem në mënyrë natyrale pjesë e kësaj gjëje. Sidoqoftë, unë gjithmonë përpiqem të zhvillohem më shumë, edhe pse në shumë raste duhet të kesh hapësirën, terrenin dhe përkrahjen e duhur për të realizuar ato që do, ashtu siç do.
Pra, po të doja ta përcaktoja, edhe pse i urren përcaktimet, do të thosha që profesioni yt është komunikimi, por freelance, me sa kam kuptuar.
Unë punoj me kontratë, nuk kam punuar asnjëherë në vend fiks dhe kushti im kryesor ka qenë gjithmonë liria. Kam qenë e përqendruar në një projekt radiofonik, më pas kam shkruar në gazeta, kam vënë shfaqje në skenë, jam përpjekur të jem gjithmonë koherente me mënyrën e komunikimit. Përvoja dhe fati që kam më kanë ndihmuar të zhvilloj aftësitë e mia në fusha të ndryshme komunikimi. Kam zhvilluar identitetin duke mos bërë vetëm një nga të gjitha. Nëse nuk e mendon kështu, duket vërtet si hallakatje.
Çfarë kërkon të arrish nëpërmjet formave të tua të komunikimit?
Dua të kuptoj si mendojnë të tjerët. Fillimisht dua të kuptoj se si e mendoj unë diçka që më pas të tërheq ata që mendojnë si unë.
Ke ndier efekte të kësaj?
Po, tek njerëzit që nuk i njoh dhe që më përkrahin. Realiteti im nuk është gjithmonë me lule, madje kam pasur edhe pjesë të errëta në jetën time, por përgjithësisht kam pasur fat dhe nuk ankohem për këtë. Kam vënë re dashuri të njerëzve, fluks interesi ndaj meje, jo vetëm kur dilja në televizion. Kjo dashuri më ka mbajtur gjallë edhe në këtë kohë të gjatë mungese në televizion. Sa herë më kanë ftuar në një emision, e kam ndier përkrahjen e njerëzve.
Shumë të përkufizojnë me fjalën “interesante”. Kaq mjafton për ty?
Ata që më quajnë interesante nuk arrijnë të identifikojnë dot se çfarë u pëlqen tek unë; nuk e mendojnë dy herë, por përqendrohen tek fasada; e dinë që ka diçka tek unë ndryshe nga të tjerët, por nuk përpiqen ta analizojnë.
Çfarë ka tek ty që të tjerët duhet ta dinë?
Unë kam një aftësi dhe qëllim për të grumbulluar njerëz rreth një ideje, mendimi apo gjykimi. Pak a shumë, ëndrrën e çdo lideri.
Ja ku u kthyem prapë tek dëshira jote për të hyrë në histori…
Në fakt, në histori, më shumë se me një lider, unë doja të identifikohesha me Akilin, në kuptimin e lavdisë. Lavdi për një bëmë. Përpiqem që çdo gjë që bëj të prekë interesat e shumë njerëzve. Kur kam hapësirë të ngacmoj një mendim, unë e shfrytëzoj për t’i parë gjërat në më të mirën e tyre. Kur diskutoj projektet e mia me shokët, mendoj direkt fundin, se si do të jetë, çfarë efekti do të krijojë. Them se kam stërvitur shqisat dhe aftësitë e mia për të krijuar mjetet dhe për të gjetur rrugën për të promovuar këto mjete. Në mbyllje të përgjigjes ndaj pyetjes tënde, do të them një sekret të fëmijërisë. Kur isha e vogël, më pyesnin se çfarë do të bëja kur të rritesha. Unë u thosha se doja të isha “e pavdekshme”.
Si i ke marrëdhëniet me vdekjen?
Uroj që të mos vdes shumë shpejt; jo se dua të shënoj shumë vite në fletën e lajmërimit, por të kem kohën e duhur që të shoh të realizuara projektet e mia. Pa bërë 20 kalamaj, nuk vdes (qesh).
Doja të rrinim edhe pak tek tema e pasionit tënd për të komunikuar, për të ndryshuar. Gjëja më e thjeshtë për t’u bërë – që e kam vënë re në disa prej deklaratave të tua, qoftë në shtyp apo televizive – është të kritikosh pa sugjeruar një zgjidhje…
Unë kaq fuqi kam, kjo është fuqia ime: që të bëj një zile, të ndërgjegjësoj aq sa mund të ndërgjegjësoj.
Por nëse do të ngelesh në histori, duhet të lësh një vepër pas, duhet që përpjekjet e tua të kenë ndikuar për një ndryshim pozitiv. Kanë pasur efekt zilet e tua?
Po, kanë pasur. Rasti më i freskët është restaurimi i Teatrit të Kukullave. Unë organizova një aktivitet për Halloween, ku falë disa sponsorëve, krijova një event 28orësh pranë këtij teatri. Krijova një ekspozitë me gjithë dokumentacionin dhe historikun e ndërtesës së Teatrit të Kukullave, të cilën e gjeta në Arkivën e Shtetit. Artan Minarolli, në kohën kur ishte drejtor i Arkivës së Filmit, më dha mundësi të shfaqja një koleksion të filmave shqiptarë nga viti 1975 deri më 1990. Mora të gjitha kukullat e Teatrit dhe i ekspozova. Dhe në fund gjeta fonde për të restauruar një pjesë të teatrit. Eventin nuk e promovova me bujë, nuk i rashë asnjë zileje, por bëra një marrëveshje me pronarin e gjimnazit “Faik Konica”, i cili në këmbim të fondeve që ofroi për restaurim, fitoi reklamë për shkollën në event. Por edhe në “Metropolitan Show”, një emision të tërë ia kam kushtuar një vajze që nuk kishte lekë për një ndërhyrje kirurgjikale që do t’i shpëtonte jetën. Arrita të mblidhja lekët që i nevojiteshin.
Aktivitetet që më ke përmendur nuk të sjellin fitime të mëdha. Apo jo?
E vërtetë, në shumicën e rasteve bëj gjëra që nuk më sjellin asnjë përfitim financiar. Krahas projekteve të mia, shpesh bëj kontrata PR-i për kompani të ndryshme dhe këto më sjellin fitime deri diku. Por kam edhe prindërit që më ndihmojnë. Jetoj me ta.
Njëzet kalamajtë e tu si ke ndër mend t’i bësh atëherë?
Me 20 kalamaj nënkuptoja veprat e mia…
Çfarëdo të jetë, kërkon investim financiar.
Fatmirësisht ka akoma njerëz që besojnë tek unë dhe më përkrahin në projektet e mia. Unë nuk kam punuar kurrë për lekë, mua më mjafton të kem aq lekë sa për ta shtyrë. I kam jetuar të gjithë stilet e jetës, që nga ajo më luksozja dhe deri tek stilet më pak luksoze. Kam provuar gjithçka në këtë jetë dhe çdo ditë zbuloj nga një kënaqësi të re. Atë që e kam, e shijoj plotësisht, pavarësisht se sa lekë më sjell në fund të ditës.
Kush është Inida dhe kush është Zhaku?
I njëjti individ me rrahje zemre të ndryshme. Inida është ajo që duket me miqtë e mi, me familjen time. Kur ndiej vëmendjen e të tjerëve, jam Zhaku, më protagoniste, nxjerr nga vetja disa cilësi që më përcaktojnë rrethanat; kur jam mes miqve të mi dhe familjes, janë rrethanat që më përcaktojnë vëmendjen. Gjithsesi, si Inida, si Zhaku, janë protagoniste të jetës së tyre. Kur isha e vogël, isha e bindur se më filmonin. Gjithmonë kam qenë e ndërgjegjshme për atë që them, për atë që shfaq dhe për atë që njeriu është në të vërtetë. Mjafton vetëdija që ti të dalësh ashtu siç je.
Të bezdis paragjykimi i të tjerëve?
E di se shumë njerëz, kur më kanë parë për herë të parë tek Alba TV, kanë menduar: “Çfarë është kjo idiote! Kjo nuk është normale”. Unë doja që njerëzit të kuptojnë se e kam prej vërteti. Unë nuk shoh asgjë të çuditshme tek vetja ime, asgjë anormale. Unë nuk kam ndërtuar një personazh.
Të ka lodhur lufta për t’u kuptuar?
Më ka prishur punë gjykimi i shumë njerëzve që unë mendoj se s’dinë të gjykojnë. Por nuk kam se ç’të bëj…
Mund të bësh edhe disa kompromise, p.sh.?
I vetmi kompromis është koha që kam. Nuk kam dashur të bëj kompromise me veten time. Kam menduar se kam pasur shumë të drejtë edhe në ato raste kur mendimi im nuk është llogaritur…
E sigurt se ke gjithmonë të drejtë në të tilla raste?
E sigurt.
Mosdëshira për të lëshuar pe, mesa shoh, do të të krijojë probleme në martesë…
Mua më duket martesa një gënjeshtër, më duket kompromisi më i madh. Kam qenë unë që kam dashur të martohem me njeriun e parë që kam pasur, por tani them: O Zot, si mund të martohesha unë?! S’do të kisha takuar ata meshkuj të mrekullueshëm që kam takuar gjatë këtyre viteve!
Kjo qëndron, gjithsesi kam të freskët filmin “Up in the Air”, që e pashë në kinema. Protagonisti preferonte jetën tënde dhe në fund e kuptoi se nuk ishte reale. U ndje shumë i vetmuar…
Unë kam veten time, ndaj s’ngel vetëm asnjëherë. Unë nuk plotësohem po të kem dikë në krah. Jam një individ që funksionon më së miri edhe vetëm. Nuk dua që martesa të më bëhet qëllim në vetvete. Kur jam e dashuruar me dikë, dua të kaloj gjithë jetën me të. Por edhe po u ndava, gjithmonë do të gjej dikë tjetër.
Nuk të frymëzon as martesa e gjatë e prindërve të tu?
Edhe pse ata janë shumë të lezetshëm, interesantë, ndonjëherë i pyes se përse janë martuar. Të dy mund të kishin bashkëjetuar shumë mirë, ata janë të lirë, kanë hapësirën e tyre, por nuk është martesa kulmi i lumturisë.
Po fëmijë do?
Unë jam shumë kurioze të shoh si do të bëhet fëmija im. Gjithsesi, kohët e fundit, më është zhvilluar mua instinkti i fëmijës. Ndihem gjithmonë e më e vogël…
Mos është kjo një deklaratë papjekurie?
Unë nuk dua të bëj një fëmijë sepse duhet të bëj fëmijë, pa pasur një garanci që do të jetoj si dua dhe në kushte sa më të mira për atë fëmijë.
Zhaku, e kam vënë re se sa herë ka tema tabu, të ftojnë edhe ty. Duket sikur përpara emisionit në redaksi diskutohet: “Kush flet për seks? Zhaku. Kush flet për dashurinë? Zhaku”. Të vjen keq që je e vetmja nëpër studio emisionesh që diskuton hapur për këto gjëra?
Më thonë shpesh: “Sa mirë që merr përsipër e ke kurajë të thuash se bën seks”. Ku qëndron e ndaluara këtu?! Unë flas për këtë temë sepse e di, sepse kam përvojë, ashtu si shumë të tjerë. Nuk më duket tabu, është diçka shumë natyrale. Por nuk pranoj të flasë për tema të cilat nuk i di, si: shkenca, moda etj. Ndaj, edhe pse dukem sikur dal shpesh, dal për ato tema që besoj se kam çfarë të flas. Dhe atë që them, e them si e mendoj. Jam mësuar të flas hapur.
Po meshkujt e jetës tënde, që dëgjojnë kur ti flet aq hapur për seksin, çfarë mendojnë?
Ata që kanë qenë në jetën time janë miq të mitë, kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë. Pastaj edhe po të mërziten, koha rregullon gjithçka; asnjë gjë nuk është e përjetshme, askush nuk është i pazëvendësueshëm, asnjë e vërtetë nuk është e padiskutueshme.
Nuk ke frikë se cinizmi yt ndaj dashurisë dhe lidhjeve të qëndrueshme mund të të çojë gjithmonë në lidhje të paqëndrueshme?
Është ligji i atraksionit… Gjithmonë ka një fund dhe këtë e kam kuptuar nga përvoja. Edhe gjatë fundit, edhe pak pas fundit, jam ndier e vrarë, e plagosur dhe kam vuajtur prej historive të mia. Jam unë ajo që them “kaq do të zgjasë”. Por nuk e humbas shpresën se ekziston dashuria e vërtetë, në fakt ekzistojnë shumë dashuri. Unë e shijoj momentin duke mos e ditur deri ku do më çojë.
Je optimiste?
Shumë. Mendoj se gjithçka çfarë bën apo të ndodh vlen, gjithçka të çon diku tjetër, çdo gjë ka një arsye se përse bëhet.
Vura re që kur flet për miqtë, u referohesh atyre si “shokë”, jo “shoqe”.
E vërtetë, kam më shumë shokë se shoqe, jam shoqe shumë e mirë për çunat, sikur futem në rrobat e tyre. Dua shumë atë që meshkujt evidentojnë tek unë. Unë kam edhe shoqe, kam shoqe shumë të mira, por në përgjithësi jam më rehat dhe më e qetë me veten time kur jam në shoqërinë e meshkujve.
Ke ndier ndonjëherë xhelozinë e femrave të tjera?
Varet nga situata. Kur janë femra të shoqëruara, e ndiej se në njëfarë mënyre më gjykojnë. Sidomos në raste kur ato janë të dashurat e shokëve të mi. Mënyra se si unë flas me ta, si sillem, ato i komplekson.
Mendon se kanë frikë nga liria jote?
Një fare zilie nga rehatllëku i meshkujve në marrëdhënie me mua. Unë jam e çliruar plotësisht nga budallallëqe të tilla dhe nuk e kuptoj se si ato vihen në siklet. Natyrisht, në një bisedë me një çift, unë i kushtoj vëmendje edhe të dashurës së mikut tim, por shpesh ndiej një stepje më të madhe nga ata.
Po ti je xheloze për meshkujt e tu?
Jam xheloze, se jam natyrë pasionante. Nëse dyshoj për diçka, mjafton të më bindësh se nuk ka asgjë dhe unë nuk të bezdis. E kam shumë zët mungesën e sinqeritetit dhe po u ndjeva shumë xheloze, gjithmonë ka diçka që s’shkon.
Lufton për të ruajtur një marrëdhënie?
Kam luftuar më shumë dikur, por historitë njësoj janë. Kanë nisur njësoj dhe kanë mbaruar të gjitha.
Ja, sërish me këtë skepticizmin tënd…
Po ashtu është! Do njihesh me dikë që të pëlqen, do të krijosh mundësinë që të shihesh sa më shpesh me të, gradualisht do t’i kërkosh më shumë vëmendje, do të dalësh me të, do të bësh dashuri, do të zbukurosh marrëdhënien me gjëra të reja dhe, pavarësisht se ku është duke shkuar kjo marrëdhënie, gjithmonë e ke me vete pasigurinë që vjen nga fakti se ajo do të mbarojë.
Por kur përqendrohesh tek fundi, mos humb udhëtimin?
Sepse më pëlqen udhëtimi, ndaj nuk ndaloj së riprovuari lidhje të reja. Kam shumë histori të bukura dashurie…